Menaxheri i Benzemas e godet Francën: Karim ishte i gatshëm të luante në Botëror, por u dërgua në shtëpi para kohe
Karim Benzema ishte i gatshëm të luante për Francën nga rrethin i një të tetës së finales në Kupën e Botës, por ai u dërgua në shtëpi para kohe nga trajneri Didier Deschamps dhe ekipi mjekësor i kombëtares, thotë menaxheri i sulmuesit të Real Madridit, Karim Djaziri.
Benzema, 35 vjeç, pësoi lëndim në kofshe gjatë stërvitjeve më 19 nëntor, tri ditë para se Franca ta niste mbrojtjen e titullit të botës në Katar. Federata e Futbollit e Francës kishte thënë se Benzemas i duheshin tri javë për t’u riaftësuar nga lëndimi.
Trajneri Deschamps – pasi u konsultua me mjekun e skuadrës Franck Le Gall – vendosi ta largojë të lënduarin Benzema nga ekipi kombëtar.
Benzema u rikthye për t’u stërvitur me Real Madridin dhe më vonë njoftoi pensionimin nga Kombëtarja e Francës.
“I kam konsultuar tre specialistë të cilët konfirmojnë diagnozën se Benzema ka mundur të luante nga rrethi i një të tetës së finales, të ishte në bankën rezervë të paktën”, tha menaxheri i Benzemas, Karim Djaziri.
“Përse i kërkuat atij të largohej kaq shpejt”, pyeti ai.
Djaziri ka folur haptazi kundër Kombëtares së Francës për kthimin e Benzemas në shtëpi nga Kupa e Botës.
“Një javë pasi u largua, Benzema filloi të vrapojë përsëri. Pas katër ditëve stërvitje, ai luajti 30 minuta në një miqësore për Real Madridin”, shtoi ai.
Pa Benzeman, Franca arriti në finale të Kupës së Botës, ku u mposht nga Argjentina në penallti.
Bashkëlojtari i Benzemas, Kylian Mbappe, e fitoi Këpucën e Artë për golashënuesin më të mirë, me tetë gola, përfshirë një het-trik në finale.
Ndërsa zëvendësuesi i Benzemas në sulm, Olivier Giroud, i shënoi katër gola.
Deschamps zgjodhi të mos e ftonte asnjë sulmues për ta zëvendësuar Benzeman e larguar.
Sipas ESPN, Deschamps mendonte se lëndimi i sulmuesit ishte tepër serioz për ta mbajtur atë në Katar pa luajtur tri javë.
Në anën tjetër, Benzema besonte se, sikur Deschamps ta vlerësonte at vërtet, atëherë ai do ta kishte mbajtur në skuadër në mënyrë që ai të luante në fazën e eliminimit.

