Manchester Unitedi del me komunikatë, pas intervistës tronditëse të Cristiano Ronaldos
Manchester Unitedi ka thënë se do të dalë më vonë me një reagim ndaj intervistës tronditëse të Cristiano Ronaldos “pasi të gjitha faktet të jenë mbledhur”.
Ronaldo e kritikoi klubin dhe trajnerin Erik ten Hag në veçanti gjatë intervistës 90-minutëshe me gazetarin Piers Morgan të dielën mbrëma, e cila u publikua pak pasi Unitedi shënoi fitore të rëndësishme kundër Fulhamit në Premierligë.
“Klubi do ta mendojë reagimin e vet, pasi të gjitha faktet të jenë mbledhur. Përqendrimi ynë mbetet në përgatitjet e skuadrës për pjesën e dytë të sezonit, vazhdimin e këtij momenti të mirë, besimin dhe unitetin që po ndërtohet mes lojtarëve, trajnerit, stafit dhe tifozëve”, thuhet në reagimin e Unitedit.
ℹ️ Club statement.#MUFC
— Manchester United (@ManUtd) November 14, 2022
Çfarë tha Ronaldo në intervistën bombastike të dielën?
Ronaldo, 37 vjeç, tha gjatë intervistës së ndihet i tradhtuar nga Manchester Unitedi.
“Manchester United u përpoq të më detyronte të largohesha. Jo vetëm trajneri (Ralf Rangnick), por edhe njerëzit e tjerë që janë përreth klubit. U ndjeva i tradhtuar”, tha Ronaldo.
“Ndiej se disa njerëz nuk më donin në Manchester United, jo vetëm këtë vit por edhe sezonin e kaluar”.
Ai nuk ngurroi ta godasë edhe trajnerin e tanishëm të djajve të kuq, Ten Hag, duke e pranuar se nuk e respekton.
"Nuk kam respekt për të pasi ai nuk tregoi respekt për mua. Nëse nuk ke respekt për mua, asnjëherë nuk do të kam respekt për ty", shtoi Ronaldo.
Ronaldo kishte refuzuar të futej në lojë si zëvendësues kundër Tottenhamit dhe pastaj ishte larguar nga stadiumi para përfundimit të ndeshjes muajin e kaluar.
Unitedi po fitonte me dy gola epërsi, kur 37-vjeçari u largua drejt tunelit të stadiumit ende pa përfunduar ndeshja dhe si pasojë Ten Hag e largoi përkohësisht nga skuadra dhe e detyroi të stërvitej me ekipin e të rinjve.
Ronaldo u rikthye në Old Trafford në fillim të sezonit 2021/22, pasi ishte bindur nga ish-trajneri, legjenda Sir Alex Ferguson t’i ribashkohej klubit 12 vite pasi ishte larguar në drejtim të Real Madridit.
Sezoni i tij i dytë në United pas kthimit në klub, megjithatë, nuk ka shkuar sipas planit, pasi Ronaldo e humbi vendin e titullarit dhe u kritikua shumë për veprimet që bënte si pasojë.


