Morgan: Ronaldo m’u afrua vetë dhe më kërkoi ta intervistoja
Piers Morgan ka thënë se Cristiano Ronaldo i ishte afruar vetë atij për realizimin e intervistës kontrovers, në të cilën ai e goditi klubin e vet Manchester United.
Sipas gazetarit britanik Morgan, Ronaldo donte ta bënte këtë intervistë me thelb për telashet në United dhe marrëdhëniet e tij të brishta me trajnerin Erik ten Hag.
Dy pjesët e plota të intervistës do të transmetohen të mërkurën dhe të enjten në mbrëmje. Unitedi do të përgatitet për fjalë të tjera bombastike nga Ronaldo, i cili shkaktoi zemërimin brenda klubit pas publikimit të disa videove të shkurtra nga kjo intervistë.
Morgan e pranon se ka marrëdhënie të mira me superyllin portugez dhe këmbënguli se ideja e realizimit të intervistës tani ishte e vetë Ronaldos.
“Cristiano më kërkoi ta bënim (intervistën). Kaq. Nuk i kërkova unë, ai më kërkoi mua. Ai ka kohë që po e mendon këtë, nuk është fshehtësi që ai ndihet thellësisht i zemëruar me atë që po ndodh në United”, tha Morgan për talkSPORT.
“Ai ndien se i duhet të flasë publikisht, ai e është i vetëdijshëm së do të jetë bombastike dhe do të shkaktojë ndryshime, por ai ndien se i duhet ta bëjë. Ai e di se njerëzit do ta kritikojnë, por po ashtu e di se po e thotë të vërtetën”, shtoi ai.
Ronaldo u rikthye në Old Trafford në fillim të sezonit 2021/22, pasi ishte bindur nga ish-trajneri, legjenda Sir Alex Ferguson t’i ribashkohej klubit 12 vite pasi ishte larguar në drejtim të Real Madridit.
Sezoni i tij i dytë në United pas kthimit në klub, megjithatë, nuk ka shkuar sipas planit, pasi Ronaldo e humbi vendin e titullarit dhe u kritikua shumë për veprimet që bënte si pasojë.

Ronaldo, 37 vjeç, tha gjatë intervistës së ndihet i tradhtuar nga Manchester Unitedi.
“Manchester United u përpoq të më detyronte të largohesha. Jo vetëm trajneri (Ralf Rangnick), por edhe njerëzit e tjerë që janë përreth klubit. U ndjeva i tradhtuar”, tha Ronaldo.
“Ndiej se disa njerëz nuk më donin në Manchester United, jo vetëm këtë vit por edhe sezonin e kaluar”.
Ai nuk ngurroi ta godasë edhe trajnerin e tanishëm të djajve të kuq, Ten Hag, duke e pranuar se nuk e respekton.
"Nuk kam respekt për të pasi ai nuk tregoi respekt për mua. Nëse nuk ke respekt për mua, asnjëherë nuk do të kam respekt për ty", shtoi Ronaldo.
Ronaldo kishte refuzuar të futej në lojë si zëvendësues kundër Tottenhamit dhe pastaj ishte larguar nga stadiumi para përfundimit të ndeshjes muajin e kaluar.
Unitedi po fitonte me dy gola epërsi, kur 37-vjeçari u largua drejt tunelit të stadiumit ende pa përfunduar ndeshja dhe si pasojë Ten Hag e largoi përkohësisht nga skuadra dhe e detyroi të stërvitej me ekipin e të rinjve.

