Ronaldo: Rooney po më kritikon sepse unë jam më i bukur se ai dhe po luaj ende në nivelin e lartë
Cristiano Ronaldo ka lënë të kuptohet se ish-bashkëlojtari i vet te Manchester United, Wayne Rooney, po e kritikon për gjoja shkak se ia ka zili për karrierën dhe për pamjen fizike.
Rooney, i cili luajti përkrah portugezit për pesë sezone në Old Trafford, e kishte kritikuar Ronaldon për refuzimin e tij të futej në lojë si zëvendësues kundër Tottenhamit dhe për largimin nga stadiumi para përfundimit të ndeshjes muajin e kaluar.
Unitedi po fitonte me dy gola epërsi, kur 37-vjeçari u largua drejt tunelit të stadiumit ende pa përfunduar ndeshja dhe si pasojë trajneri Erik ten Hag e largoi përkohësisht nga skuadra dhe e detyroi të stërvitej me ekipin e të rinjve.
Rooney tha më vonë se ndëshkimi i Ronaldos ishte i arsyeshëm dhe e quajti të papranueshme sjelljen e pesë herë fituesit të Topit të Artë, si dhe nënvizoi se Unitedi është ekip ma i mirë pa portugezin.
Ronaldo i reagoi ish-sulmuesit anglez gjatë një interviste shpërthyese të dielën mbrëma, duke e cilësuar si xheloz ish-bashkëlojtarin e vet.
“Nuk e di përse ai më kritikon mua kaq keq... mbase sepse ai e përfundoi karrierën ndërsa unë ende po luaj në nivelin e lartë”, tha Ronaldo për Rooney, i cili u pensionua në moshën 35-vjeçare.

“Nuk dua të them se unë jam më i pashëm se ai, gjë që është e vërtetë”, shtoi ai.
Rooney nuk ka qenë plotësisht negativ për Ronaldo dhe kishte thënë se ai do të mundë të ishte aset për Unitedin nëse do ta ulte kokën, megjithëse intervista e tij të dielën nënkupton se ai nuk e ka dëgjuar këshillën e tij.
Në intervistën e së dielës, Ronaldo po ashtu tha se ndihet i tradhtuar nga Manchester Unitedi dhe se trajneri Erik ten Hag nuk e gëzon e as nuk do ta gëzojë kurrë respektin e tij.
