Legjenda e Besës: Ata që e sollën klubin në këtë gjendje, duhet të hyjnë në burg - NACIONALE

Legjenda e Besës: Ata që e sollën klubin në këtë gjendje, duhet të hyjnë në burg

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Në një prononcim të shkurtër për Gazetën Nacionale, ish-legjenda e Besës, Mensur Duraku, është treguar i ashpër ndaj zyrtarëve që kanë zhytur në krizë të rëndë klubin pejan, Besa, cili është pranë shuarjes.

Besa ka bërë histori në futbollin kosovar. Veçanërisht në kohën e pasluftës në Kosovë, kur Besa ka dominuar, duke i fituar tri kampionate radhazi, duke ndalur hegjemoninë e Prishtinës, për të triumfuar në sezonet 2004/'05, 2005/'06 dhe 2006/'07.

Njëri prej aktorëve kryesorë të sukseseve të klubit pejan është edhe Mensur Duraku. Falë vizionit dhe fantazisë që e ka karakterizuar ndër vite, Duraku ka dhënë një kontribut tejet të çmuar për Besën.

Sidoqoftë, klubi për të cilin dha shumë ai, sot po përballet me një situatë gri, e që aludohet në shumë medie vendore se është shuar. Gazeta Nacionale u mundua të kontaktojë me zyrtarët komunalë të Pejës për ta sqaruar amullinë e krijuar në Klubin Futbollistik Besa, por ishte e pamundur, ngase ata ishin të paqasshëm.

Prononcimi i ashpër i legjendës së Besës në lidhje me situatën e klubit

Mensur Duraku nuk ka zgjedhur gjuhën diplomatike për t'u prononcuar rreth katandisjes së ish-klubit të tij, Besës. Nga zemërimi dhe dëshpërimi i madh, prononcimi i tij dhënë për Gazetën Nacionale doli të jetë shumë i vrazhdë.

"Çka të flas? Turp u qoftë atyre që e sollën klubin në atë gjendje. Duhet të hyjnë në burg", deklaroi Mensur Duraku për Gazetën Nacionale.

Sado që prononcimi ishte i shkurtër, ai ishte mjaft domethënës dhe një tregues i qartë për mërinë e thellë që e ndiejnë njerëzit që kanë qenë kontributdhënës në raport me atë çfarë i kanë dhënë klubit ndër vite.

Për krejt këtë konjukturë njerëzish, katrahura në të cilën po kalon Besa është e pafalshme, marrë parasysh edhe rolin që e ka pasur në futbollin e Kosovës, duke i fituar tre tituj kampion, sa për të qenë edhe klubi i dytë më trofeshëm në Superligën e Kosovës, së bashku me Feronikelin dhe Dritën.

Si nisi rënia e madhe e “klubit historik kosovar” dhe cilat janë arsyet

Ishte edicioni 2016/17, kur Besa kaloi një sezon deri diku të suksesshëm, ku fituan Kupën e Kosovës dhe e mbyllën atë edicion si pozitë e gjashtë.

Mirëpo, një sezon më vonë kur të gjithë menduan se do të rikthehej “Besa e vjetër”, nisën problemet ekonomike, ku ekipi humbi disa sponsorë, e që u ndjek me largimin e disa futbollistëve shkaku i borxheve – klubi pejan ra nga elita e futbollit.

Që nga ai edicion, Besa nuk arriti më të ‘ringjallet’, duke pasur disa investime për tri vite, që u ndoqën me një promovim në Superligë, por prapëseprapë, po në atë edicion, u kthye në Ligën e Parë.

Këto probleme të mëdha ekonomike, mungesa e sponsorëve – mospagesat ndaj futbollistëve, ndikuan që edicionin e kaluar të bien në Ligën e dytë të Kosovës, ku do të garojnë në sezonin tjetër 2022/23.

Lajme të ngjashme