Rënia e jashtëzakonshme e Besës së Pejës, nga tri herë kampione e Kosovës në Ligën e Dytë - NACIONALE

Rënia e jashtëzakonshme e Besës së Pejës, nga tri herë kampione e Kosovës në Ligën e Dytë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Klubi kosovar Besa e Pejës vazhdon të bie gjithmonë e më poshtë, e aspak nuk është duke arritur ta gjejë suksesin që kishte para shumë viteve.

Për shumë tifozë të hershëm, Besa e Pejës mbetet një klub jashtëzakonisht i madh që dominonte plotësisht në kampionatin tonë.

Kujtojmë, para më shumë se një dekade, Besa ishte klubi i rekordeve në Kosovë, duke e fituar titullin për herë radhazi. Që të jemi më të qartë, i përket sezoneve 2004/05, 2005/06, 2006/07.

Në edicionin 2004/05, Besa e fitoi edhe Kupën e Kosovës, trofe të cilën e morën edhe në vitet 2010/11 dhe së fundmi 2016/17.

Rënia e madhe e Besës së Pejës

Nëse shohim tani skuadrën nga Peja, padyshim është thjesht një ekip tjetër kosovar që nuk po arrin aspak sukses.

Ish tre herë kampioni i Kosovës tani gjendet në Ligën e Dytë, pasi edicionin e kaluar e mbylli si pozitë e fundit në tabelën e Ligës së Parë, grupi A.

Pas 27 ndeshjeve të zhvilluara, Besa e Pejës arkëtoi vetëm 29 pikë me një golaverazh të tmerrshëm negativ -28.

Në edicionin 2020/21, skuadra kosovare ishte patë ngritur në Superligë – mirëpo nuk ishte aspak si ishte mësuar në të kaluarën. Besa u ‘demolua’ nga shumica e klubeve dhe e mbylli sezonin si pozitë e fundit vetëm me 15 pikë pas 36 xhirove.

Si nisi rënia e madhe e “klubit historik kosovar” dhe cilat janë arsyet

Ishte edicioni 2016/17, kur Besa kaloi një sezon deri diku të suksesshëm, ku fituan Kupën e Kosovës dhe e mbyllen atë edicion si pozitë e gjashtë.

Mirëpo, një sezon më vonë kur të gjithë menduan se do rikthehej “Besa e vjetër”, nisën problemet ekonomike, ku ekipi humbi disa sponsorë e që u ndjek me largimin e disa futbollistëve shkaku i borxheve – klubi pejan ra nga elita e futbollit.

Që nga ai edicion, Besa nuk arriti më të ‘ringjallet’ duke pasur disa investime për tre vite, që u ndiqen me një promovim në Superligë, por prapëseprapë, po në atë edicion u kthye në Ligën e Parë.

Këto probleme të mëdha ekonomike, mungesa e sponsorëve – mospagesat ndaj futbollistëve, ndikuan që edicionin e kaluar të bien në Ligën e dytë të Kosovës, ku do të garojnë në sezonin tjetër 2022/23.

Lajme të ngjashme