Lautaro Martinez: Romelu Lukaku nuk na e hapi kurrë telefonin pavarësisht thirrjeve të shumta
Sulmuesi Lautaro Martinez është krenar që është bërë kapiten i Interit, ndërsa tregoi se Romelu Lukaku s’ia ka hapur telefonin.
Inter provoi ta transferonte belgun për 40 milionë euro, mirëpo që lojtari refuzoi të dëgjojë ofertat e “Neurazzurëve” ose t’i përgjigjet thirrjeve të drejtorëve ose lojtarëve.
“Isha i zhgënjyer, kjo është e vërteta. Provova ta thërras, por nuk e hapi asnjëherë telefonin dhe bëri njëjtë edhe me bashkëlojtarët e tjerë”.
“Pas shumë viteve dhe këtyre që kemi kaluar së bashku, isha i zhgënjyer. Sidoqoftë, ishte zgjedhja e tij dhe i uroj më të mirën”.
Argjentinasi tutje u shpreh krenar që do të jetë kapiteni më i ri i Interit, duke e pasuar Samir Handanovicin.
“Jam i përgatitur dhe krenar. Dua të jetoj si kampionët e kaluar që e kanë mbajtur shiritin në të kaluarën”.
“Është e vërtetë që disa lojtarë të rëndësishëm janë larguar dhe tani kemi një grup të ri. Është viti im i gjashtë këtu, i di dhe i kuptoj të gjitha dhe do të jem në gatishmëri për të gjithë”.
Martinez gjithashtu e pranoi se ka pasur oferta nga Arabia Saudite, por që ishte i fokusuar vetëm për të vazhduar me sukses te gjiganti italian.
“Është e vërtetë, kisha oferta por jam i lumtur te Interi. Nuk kam arsye për ta ndryshuar dhe mendoj se familja ime mendon njëjtë”.
“Inter është si shtëpi e dytë. Të gjithë kanë treguar dashuri që kur arrita. Nuk do ta harroj asnjëherë. Erdha nga një familje modeste, kisha vështirësi si fëmijë dhe kur njerëzit më ndihmojnë, e vlerësoj”.

