Laura Fazliu dhe Akil Gjakova fitojnë medalje të bronztë në Kampionatin Evropian të Xhudos - NACIONALE

Laura Fazliu dhe Akil Gjakova fitojnë medalje të bronztë në Kampionatin Evropian të Xhudos

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Laura Fazliu dhe Akil Gjakova e vazhduan rrugën aty ku e lanë dje Distria Krasniqi e Nora Gjakova, duke i sjellë Kosovës edhe dy medalje të tjera nga Kampionati Evropian i Xhudos, që po mbahet në Francë.

Të dy fituan të bronztën nga repesazhi, ku Laura e mposhti portugezen Barbara Timo, ndërsa Akili garuesin nga Gjeorgjia Lasha Shavdatuashvili.

Për të fituar medaljen e bronztë, Laura Fazliu pati një rrugëtim shumë të mirë, ku fillimisht u synua edhe medalja e artë, por një gabim i vogël në gjysmëfinale i kushtoi.

Raundin e parë ajo e kaloi pa ndeshje, ndërsa në të dytin u përball me garuesen nga Ukraina, Yuliia Hrebenozhko, të cilët e mposhti shumë shpejt me Ippon, për të kaluar në çerekfinale.

Edhe në çerekfinale Laura ishte fantastike, ku me Waza-ari e mposhti francezen Clarisse Agbegnenoun, ku siguroi një vend në mesin e katër më të mirave.

Në gjysmëfinale po shkonte shumë mirë ndaj sllovenes Andreja Leski, por një gabim i vogël i kushtoi dhe kundështari e përdori mirë për ta rrëzuar me Ippon, kështu për t’ia ndalë shpresat për medalje të artë kosovares.

Edhe pse humbi, lufta për medalje nuk përfundoi, pasi u kualifikua drejtëpërdrejt në finale të repesazhit, aty ku pati punë me portugezen Barbara Timo, të cilën e shkatërroi shumë shpejt me një përplasje në tatami me IPPON, që ishte një hakmarrje për humbjen që portugezja ia pësoi për të bronztën në Baku Grand Slam.

Me këtë fitore, Laura Fazliu e siguroi medaljen e bronztë të tretë për këtë vit, krahas edhe një të arte dhe një të argjendte.

Në anën tjetër, edhe Akil Gjakova e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian.

E kaloi raundin e parë pa luftë, ndërsa në të dytin u përball me serbin Bajsangur Bagajev, të cilin e mposhti me Waza-ari, për të kaluar në raundin e tretë.

Në ndeshjen e radhës ai pati punë me bullgarin Mark Hristov, të cilin ia përfundoi luftën shumë shpejtë, duke ia bërë dy Waza-ari, me çka siguroi çerekfinalen.

Në çerekfinale, edhe pse e nisi luftën më mirë dhe e vuri kundërshtarin e tij Petru Pelivan në vështirësi, Gjakova pësoi humbje me IPPON.

Pak minuta pushim dhe xhudisiti kosovar u kthye te fitoret, ku në gjysmëfinale të repesazhit e mposhti shumë shpejt hungarezin Daniel Szegedi me dy Waza-ari.

Në luftën për medalje të bronztë, pra në finale të repesazhit u takua me gjeorgjianin Lasha Shavdatuashvili, të cilin e dominoi në krejt takimin, por fituesi u caktua vetëm në Golden Score, ku Akil Gjakova triumfoi për të fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian.

Lajme të ngjashme