La Liga refuzon sërish kërkesën e Barçës për t’i regjistruar përforcimet e reja, kampionati mund të nisë pa ta - NACIONALE

La Liga refuzon sërish kërkesën e Barçës për t’i regjistruar përforcimet e reja, kampionati mund të nisë pa ta

1 vit më parë

nga NACIONALE

Barcelona lëvizi mjaft mirë në tregun e lojtarëve, duke siguruar shumë përforcime të reja. Mirëpo, ata edhe në ditët e fundit s'po ia dalin që t'i regjistrojnë lojtarët në fjalë në La Liga.

Problemet për Barçën nuk kanë të ndalur. Ato gjithnjë lidhen me situatën e rëndë financiare që po e kalon klubi në vitet e fundit. Pavarësisht disa përpjekjeve të ndërmarra për t'i sanuar ato, akoma gjendja mbetet ndërlikuese.

Ishte raportuar para disa ditësh se Barcelona akoma nuk ia ka dalë që t'i regjistrojë lojtarët e blerë në këtë afat kalimtar. Laporta e ka pranuar një gjë të tillë. Edhe pse është munduar që t'i bindë drejtuesit e La Ligas për ta pranuar kërkesën e tyre, diçka e tillë akoma nuk ka ndodhur.

Mediet spanjolle vazhdojnë të raportojnë për një gjendje alarmante, ku kampionati rrezikon të nisë pa lojtarët si Lewandowski, Raphinha, Kessie, Lenglet, Koundie dhe Christensen.

Bllokada nga La Liga

Sipas mediumit spanjoll SPORT, klubi blaugran akoma nuk i ka kënaqur kërkesat minimale për të pasur të drejtën e federimit të përforcimeve të reja, me të cilët synon që ta zhvillojë kampionatin e ri.

Në situatën e njëjtë janë edhe dy lojtarët që kanë rinovuar kontratën, Dembele dhe Sergi Roberto. Tani Barcelona po punon në kundërkohë, meqë nisja e edicionit të ri të kampionatit spanjoll është fare pranë, ngase i njëjti do të fillojë pas një jave.

Ka doza optimizmi në ambientet e klubit katalonas se do t'ia dalin, megjatë koklavitëse ngelet e gjithë kjo procedurë teknike dhe burokratike, e cila i ka futur në ankth ata.

Një skenar ku kampionati do të niste pa Lewandowskin dhe blerjet tjera, do të ishte një imazh i keq për vetë klubin.

Çfarë duhet të bëjë Barcelona?

Gjithnjë sipas raportimit të SPORT, Barcelona duhet të mendojë sërish për ta sanuar bilancin e saj financiar. Disa veprime janë ndërmarrë gjatë qershorit, por janë të pamjaftueshme.

Njëra nga opsionet që janë në tavolinë për momentin është shitja e kuotës së Barça Studios për 25%. Edhe pse, një manovër e tillë prapë nuk do të mund të përdorej si levë për të mos e vazhduar politikën e reduktimit të pagave vjetore të lojtarëve, ku klubi një kërkesë të tillë eksplicite edhe publikisht ua ka bërë lojtarëve si Depay dhe de Jong.

Data e fundit kur Barcelona mund ta rregullojë çështjen e regjistrimit të lojtarëve në La Liga është 31 gushti. Më 13 gusht ata do të zbresin në fushë kundër Rayo Vallecanos dhe shpresojnë që deri atëherë të jetë çdo gjë në rregull.

Me gjithë këto probleme, që duken të pafundme, Barcelona sërish po mundohet që ta përforcojë skuadrën. Bernardo Silva është në krye të listës. Faktin që mesfushori portugez mund të largohet nga Manchester City e ka pranuar edhe vetë trajneri Guardiola, në konferencën e sotme për shtyp.

Lajme të ngjashme