Krasniqi: Të qenit pjesë e listës së Kombëtares është ëndërr e çdo futbollisti - NACIONALE

Krasniqi: Të qenit pjesë e listës së Kombëtares është ëndërr e çdo futbollisti

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Ilir Krasniqi mori ftesë nga Kombëtarja e Kosova për të qenë pjesë e listës për dy ndeshjet e fundit kualifikuese që “dardanët” do t’i luajnë në fund të muajit shtator.

Ai në një prononcim të shkurtër dhënë për Gazetën Nacionale tregoi të gjithë lumturinë e tij që do të ketë mundësi t’i mbrojë ngjyrat e fanellës së Kosovës, respektivisht atij të ekipit kombëtar A.

Futbollisti i Llapit, Krasniqi, kishte luajtur edhe për grupmoshën e Kosovës U21 gjatë pranverës, duke bërë paraqitje të mira.

Lëndimet në të kaluarën e kanë penalizuar karrierën e tij, por gjatë viteve të fundit ai ka shënuar një ngritje të konsiderueshme të formës së tij.

Përfaqësimi i Kosovës, emocion i papërshkrueshëm

Gazeta Nacionale gjatë ditës kontaktoi Ilir Krasniqin, i cili nuk hezitoi që ta transmetojë krejt gëzimin e tij për ftesën e pranuar nga Giresse.

“Të jesh në listën e Kombëtares është ëndërr e çdo futbollisti. Është një emocion i papërshkrueshëm që ta përfaqësosh Kombëtaren tënde”
, tha Krasniqi.

Tutje, Krasniqi me një pohim konciz pranoi se është njohur paraprakisht me përzgjedhësin Giresse, por pa dashur të elaborohet më detajisht. “Po, kam pasur rastin të njihem nga afër me të” – potencoi ai.

Në listën që sot publikoi Giresse janë tre lojtarë nga Superliga e Kosovës. Në të kaluarën, ishte bërë tabu në vete që këto ftesa t’u dërgoheshin lojtarëve vendorë, për arsye të shumta.

Superliga e Kosovës nuk ishte kaq konkurruese sa sot dhe vetë ndeshjet ndërkombëtare klubeve kosovare u mungonin. Megjithatë, Krasniqi mendon se ky kurs mund të ndryshojë akoma, pasi sheh shumë potencial te futbollistët që luajnë në kampionatin vendor.

“Mendoj që kemi shumë futbollistë që meritojnë të ftohen, sepse kanë cilësi shumë të mira për ndeshjet e nivelit të lartë”, pohoi ai.

Krejt në fund, Krasniqi nuk ka mund të mos u jetë mirënjohës, pa dallim, të gjithë atyre që i ndihmuan që t’i bëjë këto hapa, në mënyrë që të arrijë deri në këtë stad. Njësoj ai mendon se edhe paraqitjet tepër dinjitoze që ka pasur në dy ndeshjet kualifikuese me Kombëtaren U21 kundër Sllovenisë ta kenë ndihmuar që të futet në mesin e lojtarëve që duhen ftuar nga Giresse.

“Të gjitha këto paraqitje më kanë ndihmuar që ta fitoj besimin dhe ta marr ftesën nga përzgjedhësi Giresse”, përfundoi ai.

Kujtojmë se Kosova dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve do t’i luajë më 24 dhe 27 shtator, kundër Irlandës Veriore në udhëtim, respektivisht Qipros në “Fadil Vokrri”.

Deri më tani “dardanët” kanë grumbulluar 6 pikë në grupin 2 të Ligës C, aty ku Greqia vetëm se ka siguruar plasmanin në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve.

Kosovës krejt çfarë i mbetet në këto dy takime është ta konsolidojë pozitën e dytë dhe ta çimentojë një formacion titullar, identiteti i të cilit ka humbur tani e një kohë, për shkak të faktorëve të ndryshëm.

Lajme të ngjashme