Babai i Medon Berishës: Mos bëni teatër, Kosovën s’e lamë për Serbinë por për Shqipërinë - NACIONALE

Babai i Medon Berishës: Mos bëni teatër, Kosovën s’e lamë për Serbinë por për Shqipërinë

1 vit më parë

nga Edonis Bytyqi

Bajram Berisha, babai futbollistit të talentuar të Lecces Medon Berisha, beson se nuk duhet të çohet shumë pluhur për largimin e të birit nga Kosova drejt Shqipërisë, duke thënë se ai nuk e la kombëtaren dardane për Serbinë apo Zvicrën.

Ai i ka cilësuar Kosovën dhe Shqipërinë si një në një bisedë për Gazetën Nacionale, megjithëse ato janë dy vende të ndryshme me dy ekipe kombëtare të ndryshme.

Medon Berisha, 18 vjeç, vendosi të largohet nga Kosova U21 dhe te kthehet te Shqipëria, të cilën e kishte përfaqësuar paraprakisht përmes ekipit kombëtar U19

.

"S'di çka po e bëjnë teatër aty për Medonin dhe për lojtarë të tjerë. Unë kam biseduar edhe me të Federatës, për mua ka qenë njësoj si Shqipëria si Kosova, na s'kemi shku të serbët e para, e dyta as te Zvicra s'kemi shkuar. Më pas shkuar te ekipi nacional i Zvicrës ose të serbët, në rregull, por na njëjtë si të Shqipëria si të Kosova, për mua njësoj është", tha Bajram Berisha për Nacionale.

Berisha, megjithatë, e braktisi Kosovën në çastin kur Shqipëria ia dha pasaportën shqiptare.

Bajrami e pranoi se djali i tij nuk kishte qenë në gjendje të pajisej me pasaportë shqiptare deri tani, prandaj ai e ka pasur të pamundur të shkonte te Shqipëria më herët.

Ai foli për përpjekjet e vazhdueshme të të birit për ta marrë pasaportën shqiptare, që nënkupton dëshirën e tij për ta përfaqësuar vetëm Shqipërinë, pavarësisht se luante te Kosova U21.

"Shqipëria U19 e ka marrë Medonin dhe atëherë ka qenë problemi i pasaportës dhe na i kemi dërguar letrat gati një vit e gjysmë për pasaportë, por situata siç ka qenë me presidentin Meta, ka pas problemet e veta dhe nuk është marrë fare me këtë çështje. Ju thashë pastaj që nuk ka asgjë deri në prill, atëherë do të kalojmë te Kosova. Na thanë Bajram s'kemi çka të bëjmë se s'ka shanse që të kompletohet pasaporta. Kjo është e tërë e vërteta", shtoi ai.

Ai këmbënguli se asnjëherë nuk ia kishte premtuar të birin asnjërës kombëtare, duke zbuluar prapaskenat si Shqipëria provoi ta merrte qysh në grupmoshat U15.

"Unë s'i kam premtuar as Kosovës dhe as Shqipërisë. Medoni ka qenë në U15 apo U16, edhe atëherë na ka thirr Shqipëria, por atëherë për shkak të klubit të Young Boys, nuk kemi dashur me shku sepse ka qenë pak problem se nuk iu kish ardh mirë. Ju pata thonë pastaj se ka ende kohë, ky është fëmijë dhe do të vendosim bashkë me Medonin".

Babai i lojtarit të Leece gjithashtu konfirmoi se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka bërë përpjekje që ta ndalnin këtë largim, por në fund gjithçka është mbyllur siç duhet sipas tij.

"Po, po ka bërë përpjekje (FFK që të mos e lejojë të largohet). Na kanë thirr, kemi biseduar, ka qenë gjithçka korrekte. Kjo është bërë thjeshtë e panevojshme, polemikë koti".

Berisha gjithashtu edhe mbrojti ‘scoutin’ Armend Alidemaj, i cili u akuzua nga Albert Bunjaki që është duke i ofruar lojtarët te dy Kombëtaret.

"Sa i përket Armendit (Alidemaj) më vjen shumë keq, sepse ai e patë propozu Medonin te Kosova. Ai nuk është agjenti i Medonit dhe s'ka qenë asnjëherë. Më vjen shumë keq prej tij sepse ne s'kemi pas fare agjent deri tash. Kemi pas shumë oferta, por nuk e kam parë të arsyeshme sepse nuk të duhen. Para tre apo katër jave e kemi një marrë një menaxher, që është LIAN Sports".

Në fund, Berisha bëri të ditur se vetë lojtari kishte vendosur të luante për Shqipërinë.

"Askujt nuk i kam dhënë fjalë, as Shqipërisë dhe as Kosovës nuk i pata thënë "jam te ju, apo jam te ju". Ju kam thënë iu vendosim, i kemi treguar edhe Zgjimit (Sojevës), personalisht edhe Medoni ka thënë se ka vendos për Shqipërinë, ai i ka uruar sukses, pastaj nuk e di. Më ka thirr edhe presidenti (Agim Ademi), kemi biseduar, por gjithçka në rregull", përfundoi ai për Nacionalen.

Lajme të ngjashme