Kosova pritet të përballet me Armeninë në nëntor
Gazeta Nacionale mëson se Kosova është në prag të zyrtarizimit të miqësores kundër Armenisë, e cila pritet të zhvillohet në nëntor në Prishtinë.
Kosova do të jetë e angazhuar në dy miqësore gjatë nëntorit, më saktësisht në javën e tretë të muajit nëntor, që përkon edhe me fillimin e Kupës së Botës.
Përmes burimeve të veta, Gazeta Nacionale ka mësuar se Kosova dy ndeshjet miqësore do t’i luajë ndaj Ishujve Faroe dhe Armenisë. Që të dyja këto ndeshje pritet të zhvillohen në Prishtinë.
Pra, edhe lajmi i raportuar dje se Ishujt Faroe do të luajnë miqësore ndaj Kosovës në Prishtinë - gjeti konfirmimin në bazë të informatave që siguroi Gazeta Nacionale.
Datat kur do të luhen këto ndeshje besohet se do të jenë 16 dhe 19 nëntori. Federata e Futbollit të Kosovës shumë shpejt pritet që të vijë me një konfirmim sa i përket zhvillimit të miqësoreve në fjalë.
Nëse Kosova ka zhvilluar më herët plot tre ndeshje ndaj Ishujve Faroe, kjo do të jetë hera e parë që do të luajë ndaj Armenisë. E njëjta kombëtare (ajo armene) gjatë po të njëjtit grumbullim do të luajë edhe ndaj Kombëtares së Shqipërisë.
Datat e përcaktuara nga FIFA për zhvillimin e ndeshjeve miqësore gjatë nëntorit janë ato prej datave 15 deri më 20. Në këtë interval kohor Kosova do t’i luajë miqësoret në fjalë.
Cila është forma e Armenisë dhe Ishujve Faroe?
Armenia vjen nga një krizë shumë e thellë, ku nuk di për fitore që prej 4 qershorit të këtij viti. Pesë ndeshjet e fundit që të gjitha i ka humbur dhe shpesh me rezultate të thella.
Ajo ka rënë në Ligën C, pasi nuk ka arritur ta përballojë cilësinë e Ligës B në Ligën e Kombeve, aty ku ishte në grup me kombëtaret si Skocia, Ukraina dhe Irlanda.
Grupin 1 kombëtarja armene e mbylli me vetëm 3 pikë, me një bilanc krejtësisht katastrofik, ku shënoi 4 gola dhe pranoi 17 tjerë.

Për momentin Armenia renditet në pozitën e 93-të në renditjen e FIFA-s, e cila përditësohet në suaza mujore, varësisht prej llogaritjes së koeficienteve, që kanë për bazë rendimentin e kombëtareve veç e veç.
Një renditje më e mirë sesa ajo e Kosovës, e cila zë vendin e 107-të për momentin. Ndërkaq, rivalët tjerë, Ishujt Faroe, renditen në pozitën e 122-të.
Kosova ka mbyllur në pozitën e dytë grupin 2 të Ligës së Kombeve në Ligën C. Një formë jo shumë e pëlqyeshme ajo e “dardanëve” që është parë në dy grumbullimet e fundit (qershor dhe shtator).

Një fushatë kualifikuese jo shumë për t’u mbajtur mend ajo e “dardanëve”, që kanë shënuar dy humbje ndaj rivalit kryesor, Greqisë, si dhe kanë pësuar një disfatë të përçudshme në Belfast ndaj Irlandës Veriore me rezultat 2:1 në frymën e fundit të ndeshjes.

