Kosova mirëpret Ishujt Faroe në Prishtinë muajin e ardhshëm?
Kosova pritet të rikthehet të luajë ndaj Ishujve Faroe. Siç bën të ditur faqja e Federatës së Futbollit të Ishujve Faroe, marrëveshja është arritur dhe ndeshja do të zhvillohet në “Fadil Vokri” gjatë mesit të muajit nëntor, ndonëse akoma FFK nuk ka konfirmuar asgjë.
Gjatë javës që do të fillojë Botërori Katar 2022, Kosova pritet ta bëjë një grumbullim të radhës, ku tashmë duket se ka arritur një ujdi me Ishujt Faroe për ta zhvilluar një miqësore më 16 nëntor.

Është vetë faqja zyrtare e Kombëtares së Ishujve Faroe ajo që konfirmon një lajm të tillë, ndonëse i njëjti akoma nuk është pohuar apo mohuar nga zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kosova është kritikuar viteve të fundit që nuk ka arritur të aranzhojë miqësore të duhura, duke mos ia dalë t’i finalizojë marrëveshjet me një varg kombëtaresh evropiane.
Nëse do të konfirmohej edhe nga pala kosovare, atëherë ndeshja ndaj Ishujve Faroe nuk do të ishte e nivelit më të lartë të mundur, aq më shumë kur dihet që kombëtaret simotra, si ajo e Shqipërisë, gjatë të njëjtës kohë do të zhvillojnë miqësore ndaj kombëtareve si Italia.
Miqësore pas gjashtë vitesh ndaj Ishujve Faroe
Nëse shkojmë gjithmonë me idenë se gjithçka do të zyrtarizohet gjatë ditëve në vijim nga Federata e Futbollit të Kosovës, kjo do të nënkuptonte se përballja me Ishujt Faroe në një ndeshje të karakterit miqësor do të ishte e dyta brenda gjashtë viteve.
Ishin pikërisht Ishujt Faroe ato që pranonin të luanin miqësore me Kosovën më 3 qershor 2016, mu një muaj pas pranimit të FFK-së në gjirin e UEFA-s dhe FIFA-s.
Në atë ndeshje Kosova shënonte fitore me rezultat 2-0 falë golave të Albert Bunjakut 44’ dhe Elbasan Rashanit 94’.

Miqësore që i paraprinte ndeshjeve kualifikuese të rregullta për Botërorin 2018, e që fillonin në shtator të vitit 2016, ku të gjithëve u kujtohet më 5 shtator përballja historike ndaj Finlandës në vendin nordik si nikoqir, ku Kosova barazonte 1:1. Ajo ishte pika e parë e fituar nga "dardanët" në fushatat kualifikuese për ngjarje madhore siç është Botërori.
Ndërkaq nëse gjithmonë flasim për ndeshjen direkte ndaj Ishujve Faroe, njashtu duhet saktësuar që Kosova ka qenë në të njëjtin grup kualifikues në edicionin hapës të Ligës së Kombeve, gjegjësisht në Ligën D.
Ndeshjen e parë Kosova e fitonte me rezultat 2:0 përmes golave të Zenelit 50’ dhe Nuhiut 55’, gjegjësisht më 10 shtator 2018. Ndërsa një muaj më vonë, kur udhëtoi në ishull për ta luajtur sfidën e dytë, Kosova hasi në vështirësi të mëdha duke barazuar me rezultat 1:1 (Rashica 9’, Joensen 50’).
Një historik ndeshjesh ato mes Kosovës dhe Ishujve Faroe që kanë shënuar momentumet më ekzaltuese të kombëtares “dardane”.
Ishujt Faroe kanë shënuar progres gjatë katër-vjeçarit të fundit. Fillimisht duhet thënë që janë në të njëjtën Ligë në Ligën e Kombeve ashtu siç Kosova. Pra, në Ligën C.
Grupin 1 të kësaj Lige e ka mbyllur me 8 pikë në vendin e tretë. Në ndeshjen e fundit kundër Turqisë ka regjistruar një fitore të madhe, duke e mposhtur atë me rezultat 2:1, anipse kjo disfatë nuk ka prodhuar ndonjë tronditje kushedi sa enorme për kombëtaren turke, marrë parasysh që paraprakisht kishin siguruar pozitën e parë me 13 pikë.

Pra, tërësisht me dy fitore, dy humbje dhe po kaq barazime ka qenë tërë bilanci i tyre në kuallfikimet e fundit. Kosova për dallim nga ta ka mbyllur grupim me një pikë më shumë, por edhe me një renditje më të mirë, si të dytët.

Një fushatë kualifikuese jo shumë për t’u mbajtur mend ajo e “dardanëve”, që kanë shënuar dy humbje ndaj rivalit kryesor, Greqisë, si dhe kanë pësuar një disfatë të përçudshme në Belfast ndaj Irlandës Veriore me rezultat 2:1 në frymën e fundit të ndeshjes.

