Presidenti i FIFA-s Infantino: Kosova duhet ta ketë stadiumin kombëtar, është vend i bekuar me talentë futbolli
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka thënë se bisedoi me liderët e Kosovës për të bashkëpunuar rreth ndërtimit të një stadiumi nacional për ekipin kombëtar, duke thënë se vendi e meriton atë për talentët e jashtëzakonshëm të futbollit që i gëzon.
Infantino u bë presidenti i parë i shtëpisë së futbollit botëror që e viziton Kosovën në historinë e saj gjashtëvjeçare si anëtare e FIFA-s të premten.
“Kosova është vend i madh futbolli, është edhe vend shumë i veçantë po ashtu, sepse Kosova u bë anëtare e FIFA-s në vitin e unë u bëra president i FIFA-s”, tha Infantino të premten në një konferencë për media.
Gjatë vizitës njëditore, shefi i FIFA-s u takua me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, si dhe liderët e vendit, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Sportit Hajrullah Çeku dhe kryetarin e Prishtinës Përparim Rama.
Ai shtoi: “Ne diskutuam me presidenten, kryeministrin, kryetarin e komunës, ministrin e sportit dhe me komunitetin e futbollit për mënyrën se si mund ta çojmë futbollin në një nivel tjetër. Ky është një vend që do të ketë sukses të madh në futbollin e burrave dhe grave, sepse tashmë ka lojtarë të mëdhenj, disa prej të cilëve luajnë për vendet e tjera sepse janë rritur aty. Por ne duhet ta rrisim futbollin në Kosovë, biseduam për futbollin në shkolla, futbollin në akademi, futbollin në fushë. Biseduam për një stadium kombëtar për këtë vend, një stadium që duhet të jetë krenar për tërë vendin, i cili duhet të jetë simbol për një vend që është i ri por me të ardhme. Pra ne shikuam se si mund të punojmë dhe bashkëpunojmë për këtë.”
Infantino, i cili u zgjodh president i FIFA-s në vitin e njëjtë të pranimit të Kosovës në këtë organizatë më 2016, mbërriti në Prishtinë mëngjesin e sotëm nga Tirana, ku qëndroi për vizitë të enjten dhe u takua me krerët e shtetit shqiptar.
Ai e lartësoi Kosovën si një vend me talentë të mëdhenj futbolli.
“Kosova është vend i bekuar në pikëpamjen e futbollit, nëse e shikon talentin që e ka në Kosovë por edhe në gjithë botën. Mendoj se kjo është një tipar shumë i veçantë i Kosovës, mbase më shumë kosovarë jashtë vendin se brenda tij me aftësi dhe talent të jashtëzakonshëm”, shtoi ai.