KATAR 2022 | Brazili i jep leksion Serbisë dhe siguron fitoren e parë në Botëror - NACIONALE

KATAR 2022 | Brazili i jep leksion Serbisë dhe siguron fitoren e parë në Botëror

1 vit më parë

nga NACIONALE

Brazili e ka kaluar lehtë testin ndaj Serbisë, duke e mposhtur me rezultat të pastër 2:0. Një lojë shumë e bukur nga “Seleçao” në pjesën e dytë ishte vendimtare për këtë fitore.

Kombëtarja më e trofeshme iu deshën pak minuta deri kur mori formën e vet më të mirë në ndeshjen e sotme kundër Serbisë.

Mirëpo, pasi e gjeti elementin e vet të lojës, më pas gjithçka filloi të bëhej më e lehtë. Një paraqitje mbresëlënëse e Richarlison në pjesën e dytë tërboi Serbinë, e cila për 90 minuta nuk bëri qoftë edhe një goditje në kuadratin e portës.

Pjesa e parë nuk nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Brazilin. Loja e saj ishte e lexueshme. Kësisoj, brazilianët hasën në vështirësi të mëdha për të shpërthyer në zonën kundërshtare.

Munguan edhe rastet shumë të mira për gol nga kombëtarja braziliane në 45 minutat e para. Gjërat filluan të lëvizin në pjesën e dytë të lojës.

Menjëherë u vu re një Brazil i tëri i koncentruar në gjysmëfushën e kombëtare serbe. Fillimisht ishte Sandro ai që me një goditje të mahnitshme nga distanca goditi shtyllën e majtë të portës, kur po zhvillohej minuta e 60-të e lojës.

Kështu filloi shtypja e Serbisë në 16-metërshin e saj. Dhe, kjo lojë shumë sulmuese e Brazilit prodhoi efikasitet.

Në minutën e 62-të pas një seri driblimesh nga Neymar, topi përfundoi te Vinicius. Goditja e tij nga zona e rreptësisë u devijua nga portieri serb, por më pas përfundoi në këmbët e Richarlison, që dërgoi topin në rrjetë.

Sulmet e njëpasnjëshme të Brazilit vazhduan edhe më tej. Serbia u zhduk në fushë edhe ishte në mëshirë të fatit.

Për t’i dhënë vulë çështjes së fitores u përkujdes sërish Richarlison. Kur zhvillohej minuta e 73-të, pas një topi të mirë të pranuar nga Vinicius, ai koordinoi një gërshërë të mrekullueshme, që përfundoi në brendi të portës për 2:0, duke u shndërruar në një kryevepër të llojit të vet.

Spektakli i Brazilit vazhdoi. Në minutën e 81-të ishte Casemiro që goditi nga distanca, me topin që përfundoi në shtyllën e lartë të portës së Serbisë (VIDEO).

Dy minuta më vonë edhe Fred tej mase iu afrua golit të radhës, por fati ishte me serbët (VIDEO).

Kështu, Brazili tregoi të gjithë fuqinë e saj dhe legjitimoi në tërësi statusin e kombëtares favorite për të ngadhënjyer në këtë Botëror.

Me rezultatin 2:0 përfundoi tërë ndeshja, me kombëtaren e Tite që arkëtoi tri pikët e para. Pas ndeshjeve të sotme që u zhvilluan në Grupin G, Brazili ndan vendin e parë me 3 pikë, po aq sa ka edhe Zvicra në vendin e dytë. Pa asnjë pikë dy pozitat e fundit i zënë Kameruni dhe Serbia.

Brazili ndeshjen e ardhshme e luan ndaj Zvicrës më 28 nëntor, kurse serbët luajnë Kamerunit në po të njëjtën ditë.

Përmbledhja e ndeshjes Brazil - Serbi:

Lajme të ngjashme