Jetmir Haliti ndër lojtarët më në formë në futbollin suedez – ja pse Kosova duhet ta ftojë - NACIONALE

Jetmir Haliti ndër lojtarët më në formë në futbollin suedez – ja pse Kosova duhet ta ftojë

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Nuk komentohet shumë, ose fare – por Jetmir Haliti po bën një sezon të jashtëzakonshëm në kampionatin suedez. Ftesa nga Kosova nuk do të ishte një absurditet. Përkundrazi.

Jetmir Haliti nuk ka qenë në të kaluarën në mesin e lojtarëve që kanë përbërë lajm për shkak të paraqitjeve të tyre.

Mbrojtësi kosovar 26-vjeçar po shënon një erupsion mahnitës të formës në sezonin aktual të Suedisë, i cili ka hyrë në fazën më të nxehtë.

Në shumë parametra ai jo vetëm që është më i dalluari në vijën defansive të skuadrës së tij, Mjallby, por bën dallimin edhe në tërë kampionatin.

Jemi dëshmitarë si ish-kapiteni i Kosovës, Edvin Kurtulus, gjatë qershorit vendosi ta braktisë ekipin dardan, për t’iu bashkuar Suedisë. Edhe në raport me të Jetmiri është duke zhvilluar kampionat shumë më të mirë. Paradigmat janë në kohën e tashme.

Nëse flasim në kontekst të Kombëtares së Kosovës dhe nëse krahasimin e bëjmë me disa nga lojtarët që luajnë në pozitën e njëjtë – nuk ka asnjë mëdyshje të vetme: Jetmir Haliti qëndron larg më mirë sesa lojtarët si Fidan Aliti, Betim Fazliji dhe Mirlind Kryeziu. Më vonë do të tregojmë se përse qëndrojnë kështu rrethanat.

Kujtojmë se mbrojtësi 26-vjeçar nuk përfaqëson asnjë kombëtare për momentin. Ai ka qenë i ftuar për grumbullimin e qershorit të vitit të kaluar, kur Kosova kishte në program disa ndeshje miqësore, por ka munguar për shkak se vuante nga një lëndim pak ditë para se ekipi kombëtar "dardan" të mblidhej në kontinetin aziatik.

Mjallby për momentin zë pozitën e 9-të tabelore me 35 pikë të grumbulluara. Padyshim se mbrojtësi kosovar është titullar i padiskutueshëm në formacionin e trajnerit Brannstrom.

Statistikat që dëshmojnë sezonin mahnitës të Jetmir Halitit

Për ata që nuk kanë pasur rastin ta shohin duke luajtur, Jetmir Haliti mbulon pozitën e mbrojtësit të majtë në vijën defansive të përbërë me tre lojtarë. Pikërisht pozita që deri vonë është aktivizuar Fidan Aliti te Zurich.

Kjo është pozita ku ai po shndrit. Me 8,19 rrëmbime të topave renditet në pozitën e pestë në mesin e lojtarëve më të mirë sa i përket këtij parametri në kampionatin suedez.

Haliti veçohet edhe për duele të fituara në ajër, ku gjithmonë zë pozitën e pestë në tërë kampionatin.

Në të gjitha parametrat e mundshme, Edvin Kurtulus është para tij vetëm sa i përket dueleve të fituara në ajër. Kurtulus në këtë aspekt është i dyti me 55,32% të dueleve të fituara në ajër, ndryshe nga Haliti që edhe në këtë rast zë vendin e pestë me 51,72% të dueleve ajrore ku rezulton i suksesshëm.

Megjithatë, tiparet ku është i pakonkurrencë mbrojtësi 26-vjeçar janë ato sulmuese. Për kënaqësinë e publikut të Mjallby, ai ka më së shumti driblime të suksesshme në kampionat nga mbrojtësit (3,59 për ndeshje, prej të cilave 70,59% të sakta).

Sa për ilustrim të shkurtër, në videon e mëposhtme mund të shihni njërin prej inkursioneve të shumta të tij në ndeshjen e fundit kundër Kalmarit, që Mjallby fitoi me rezultat 2-1 në udhëtim dhe ai kishte një bilanc të mrekullueshëm me të gjitha driblimet e sakta, sa herë që tentoi ato.

Njëherësh, zë vendin e parë edhe sa i përket dueleve të fituara në fazën sulmuese (57,81%). Fakti që është shumë proaktiv në fazën sulmuese, në ndërtimin e aksioneve dhe tranzicionin e skuadrës, bën që të jetë edhe në mesin e mbrojtësve me më së shumti pasime të sakta në kampionat (87,88%).

Insistimi i tij për ta shtyrë skuadrën përpara me topin në pronësi, e ka shndërruar atë që të jetë lojtari që bën vrapime drejt gjysmëfushës kundërshtare më së shumti në raport me të gjithë mbrojtësit tjerët në nivel kampionati (158,8 m).

Në shumicën e kohës këto dalje të shpejta nga ai rezultojnë me harkime të rrezikshme për portën kundërshtare, duke shërbyer bashkëlojtarët që gjenden në zonën e rreptësisë.

Kjo formë nuk është e rastësishme, pasi deri më tani ka bërë 21 paraqitje në kampionat. Idea që vlerësohet kaq shumë në Suedi, ku sivjet po lë mbresa të mëdha – nuk duhet lejuar që të shoqërohet me anashkalim nga Kombëtarja e Kosovës.

Pse Kosova duhet ta ftojë Jetmir Halitin pa menduar gjatë?

Gjendja e mbrojtësve qëndrorë të Kosovës është e kristalët: kemi Amir Rrahmanin që është duke vuajtur nga një lëndim në kofshë dhe nuk do t’ia dalë të rikuperohet deri në vitin e ri kalendarik; disa javë do të mungojë edhe Mirlind Kryeziu për shkak të lëndimit që pësoi në fundjavën e shkuar; Betim Fazliji me pak minuta te St. Pauli, ku veçohet për paraqitje të dobëta; Fidan Aliti ka humbur pozitën e titullarit; Ibrahim Dresevic titullar me Andrea Pirlon në kampionatin turk.

Qëkur trajneri danez Henkriksen ka marrë drejtimin e Zurichit, Fidan Aliti nuk ka parë më fushën. Po flasim për tre ndeshjet e fundit.

Në krejt këtë gjendje të tanishme të mbrojtësve “dardanë” nuk do mend që ka hapësirë për Jetmir Halitin.

Nëse Dresevic dhe Rrahmani janë të pazëvendësueshëm (e veçanërisht ky i fundit) për momentin që po flasim, niveli i tre të tjerëve (Alitit, Fazlijit dhe Kryeziut) nuk është i paarritshëm dhe i pakrahasueshëm.

Bile, duke parë formën mizore të Zurichit në kampionatin helvet, ku renditet në pozitë të fundit tabelore me humbje të njëpasnjëshme – nuk duhet paragjykuar një skuadër si Mjallby, e aq më pak një futbollist si Jetmir Haliti. Tekefundit, nuk ka ndonjë dallim substancial për nga cilësia mes dy kampionateve.

Të mos harrojmë një gjë: -nëse Kalmar dikur, që ishte në prag të rënies nga kategoria e parë e Suedisë, shihej si klub optimal për t'u ftuar Fidan Aliti në gjirin e kombëtares dardane, duhet ditur se Mjallby i sotëm është disa herë ekip më kualitativ sesa ai Kalmar i atëhershëm. Pra, këtë e themi nëse i qëndrojmë besnikë masës krahasimore të njëjtë.

Kujtojmë se Kosova dy ndeshjet e radhës miqësore do t'i zhvillojë më 16 dhe 19 nëntor ndaj Armenisë, respektivisht Ishujve Faroe. Të dy këto ndeshje do të luhen në "Fadil Vokrri".

Në këto ndeshje nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Amir Rrahmanit dhe Mirlind Kryeziut.

Së fundi, ishte ftesa e Lumbardh Dellovës që solli risi në listën e Alain Giresse, edhe pse nuk u aktivizua në asnjërën prej ndeshjeve. Po flasim për ndeshjet kualifikuese, sepse mbrojtës i Ballkanit ishte ftuar edhe gjatë marsit, duke u inkuadruar për 18 minuta ndaj Burkina Fasos, por ajo ndeshje ishte miqësore.

Megjithatë, edhe një ftesë e merituar e Jetmir Halitit nuk do të mund të shihej si e tepruar. Përkundrazi: -do të ishte e nevojshme marrë parasysh rrethanat e reja.

Nëse për Edvin Kurtulusin është vuajtur shumë në momentin e largimit, duke shprehur zemërim, nevrikosje, indinjatë dhe çdo gjë tjetër – me arsyen se po kalon në formë të mirë në Suedi – atëherë duhet konstatuar se ka një tjetër mbrojtës me prejardhje kosovare që po gëzon formë akoma më solide: Jetmir Haliti.

Lajme të ngjashme