Ilir Blakçori fiku tre kundërshtarë, i pakalueshëm në krahun e tij - NACIONALE

Ilir Blakçori fiku tre kundërshtarë, i pakalueshëm në krahun e tij

4 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Lojtarët e Dritës dje dhanë dëshminë e radhës se janë të denjë për të luajtur në rrethët kualifikuese të garave evropiane. Në mesin e tyre edhe një lojtar ishte i pakalueshëm: Ilir Blakçori.

Padyshim se ishte e vështirë të gjeje ndonjë të metë te loja e Dritës, nëse bënim një krahasim mes dy skuadrave se çfarë cilësish në kontigjentet përkatëse të lojtarëve kanë.

Përgjithësisht mund të konkludohet se i tërë reparti i mbrojtjes luajti me një kimi të përkryer. Njësoj ishte edhe tandemi qendërmbrojtës Balde dhe Limani.

Megjithatë, punë të vështirë kishte edhe Blakçori. Ky i fundit me një paraqitje thuajse në suaza të përsosshmërisë arriti t'i neutralizojë të gjithë lojtarët kundërshtarë që sulmonin nga krahu i tij.

Ndoshta mund të krahasohet si njëra ndër paraqitjet e tij më të mira të tij gjatë gjithë karrierës, në mos më e mira.

Neutralizimi i tre kundërshtarëve

Rezultatet e Dritës janë produkt i punës grupore, të cilën për mrekulli e ka instaluar trajneri Nuhiu. Edhe pse duke e dijtur këtë fakt, s'kemi se si mos të ndalemi te disa lojtarë specifikisht, sikur në rastin konkret me Blakçorin.

Mbrojtësi 29-vjeç pa gjatë ndeshje tre kundërshtarë duke u zëvendësuar për të shpërthyer në krahun që mbulonte ai. Fundi i moralit, të gjithë dolën huq.

Fillimisht ishte japonezi Koji Miyoshi ai që u vendos nga trajneri Van Bommel si sulmues anësor i djathtë. Në 31 minutat e para ishte aq i pavërejtur, duke u bllokuar në çdo top nga mbrojtësi kosovar, aq sa mandej Bommel vendosi ta bëjë një rotacion, duke ua ndryshuar pozitat dy sulmuesve anësorë.

Deri atëherë në krahun e majtë të sulmit po luante Benson, i cili për hir të vërtetës gjatë gjithë ndeshjes ka qenë më i rrezikshmi për portën e Malokut dhe tërë mbrojtjen e Dritës.

Benson u zhvendos për katër minuta në krahun e djathtë gjatë pjesës së parë, por nuk preku top dhe në minutën e 35-të u rikthye aty ku ia filloi ndeshjen: si sulmues i krahut të majtë.

Blakçori ishte një magnet që iu kapej çdo kundërshtari. I tillë ishte edhe me mbrojtësin e djathtë, De Laet, kur ky i fundit i vinte në ndihmë me dyfishime sulmuesit japonez.

Koi Miyoshi u largua nga fusha në minutën e 75-të, pa prodhuar asgjë nga krahu i tij deri në atë moment, ngase Blakçori e neutralizoi në çdo pëllëmbë të fushës.

Kur mungonin rreth një çerek lojë drejt fundit, japonezi u zëvendësua nga fantazisti Balikwisha, por as ky i fundit nuk ia doli të depërtojë në zonën e Blakçorit.

Gjatë minutave të fundit Antwerp rriti vëllimin e sulmeve në drejtim të portës së Dritës, me ç'rast riktheu Bensonin në kraun e djathtë, i cili gjatë gjithë ndeshjes vetëm në një rast arriti ta driblonte Blakçorin, duke fituar një goditje dënimi nga këndi i djathtë, në afërsi të katërkëndshit të Malokut.

Paraqitje me plot personalitet

Vendosmëri, personalitet, kurajo dhe angazhim. I palodhur gjatë tërë ndeshjes, Blakçori nuk po e linte rehat askënd prej kundërshtarëve që zgjidhnin për të sulmuar në drejtim të pjesës së fushës që ai po mbulonte.

Më shumë sesa çdo lojtar tjetër i Dritës në mbrojtje gëzoi statistika ngazëllyese, nëse kemi parasysh se çfarë diktati ofroi loja në tërësi, me Antwerp që mbizotëroi në fushë me posedim të topit.

Blakçori gjithsejt në 22 duele, arriti t'i fitojë 64% prej tyre. Edhe pse i mungojnë centrimetrat sa i përket dueleve në ajër, edhe këtu ishte më së i dinjitetshëm, duke i fituar 63% prej tyre.

Ndër të tjera, sa herë që Drita po zgjedhte që ndërtimin e aksioneve ta bënte nga krahu i majtë, ai ia doli të ishte mjaft produktiv.

Të gjitha herave që mori këtë detyrë, në 70% të rasteve e çoi në përfundim suksesshëm, duke arritur të kombinonte qoftë me Arbnor Mujën apo Rron Brojën pa gabuar, anipse ndaj tij ushtrohej një presion i konsiderueshëm nga skuadra belge, të cilët luftonin për ta rrëmbyer topin sa më shpejt, sepse edhe kronometri filloi dikur të punonte kundër tyre.

Shpesh gjatë ndeshjes mesfushorët qëndrorë të Antwerpit mundoheshin që përmes diagonaleve të gjata ta zinin në befasi Blakçorin, duke u munduar ta gjenin të lirë Koi Miyoshi, por ishin përpjekje të kota, sepse mbrojtësi llapjan vazhdimisht ishte syçelur dhe lexonte mirë situatat.

Rreth paraqitjes së Blakçorit mund të zgjatemi sa të duam, por në vijë të përgjithshme ky ishte skaneri, i cili vë re një shkëlqim të padiskutueshëm të mbrojtësit 29-vjeç.

Ai gjatë muajit maj vendosi ta rinovojë kontratën me Dritën edhe për dy sezone tjera.

Drita ndeshjen e kthimit do ta luajë gjatë javës së ardhshme, më 28 korrik, ku do të mundohet që ta shënojë edhe një tjetër paraqitje mahnitëse, për të synuar një kualifikim përrallor në rrethin e tretë të kualifikimeve në Conference League.

Lajme të ngjashme