Conference League: Drita me paraqitje heroike, del e pamposhtur kundër Antwerp - NACIONALE

Conference League: Drita me paraqitje heroike, del e pamposhtur kundër Antwerp

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Drita me paraqitje shembullore siguroi një rezultat të çmuar kundër Antwerp në ndeshjen e parë në udhëtim, në kuadër të rrethit të dytë kualifikues në Europa Conference League, pasi ia doli ta mbyllë ndeshjen me rezultat 0:0.

Edhe kësaj radhe, gjilanasit nuk zhgënjyen në arenë evropiane. Drita korri një rezultat tjetër të rëndësishëm në Conference League, duke dalë e pamposhtur kundër Antwerp në udhëtim.

Skuadra kosovare luajti sypatrembur, anipse ishte e vetëdijshme për shkallën e vështirësisë që po e priste, përballë një kundërshtari që është i prirë të luajë futboll sulmues.

Për më tepër, Antwerp ka bërë investime edhe investime të rëndësishme gjatë periudhës së fundit, duke pasur në radhët e veta lojtarë me bagazh si Radja Nainggolan dhe Toby Alderweireld.

Pozicionimi me shumë disiplinë në mbrojtje ishte për zili. Ndoshta mund të llogaritet edhe si faktori kyç që përcaktoi këtë rezultat. Stratosferik në paraqitjen e tyre ishte i gjithë reparti i mbrojtjes.

Paraqitja heroike e pjesës së parë

Minutat e para nisën ashtu siç pritej, me ofanzivën e vendësve. Kjo nuk nënkuptoi që Drita qëndroi e frikësuar në mbrojtje. Përkundrazi, të besuarit e Ardian Nuhiut e kishin përgatitur ndeshjen asisoj që të prisnin momentin e duhur për të bërë daljet e shpejta në 30-metërshin e fundit dhe ashtu ndodhi.

Në 25 minutat e para të lojës u shënuan dy aksione të rrezikshme nga Antwerp. Ishte një mundësi e mirë shënimi për belgët, por që goditja përfundoi jashtë kornizës së portës. Përpjekja e dytë ishte nga lartësia, por sërish gjilanasit shpëtuan pa pasoja.

Ndërkohë, Drita nuk qëndroi duarkryq. Ajo rrezikoi po ashtu përmes daljeve të shpejta. Arbnor Muja ishte lojtari tek i cili koncentroheshin të gjitha pasimet, në mënyrë që kundërzbritjet të ishin sa më produktive.

Sulmuesi anësor mitrovicas në situata të lojës një kundër një, disa herë krijoi superioritet numerik, por në çastin përfundimtar, kur nevojitej pasimi i fundit i saktë, ose aksioni përfundonte në pozitë jashtë loje, ose ndodhte ndonjë mosmarrëveshje mes lojtarëve.

Mandej, ishte një periudhë nga minuta e 25-të deri në atë të 31-të, kur Drita falë pozicionimit të tyre shumë kompakt, bëri që të ulej shumë intensiteti i aksioneve të nikoqirëve.

Tek në minutën e 31-të, mesfushori me përvojë, Radja Nainggolan, rrezikoi duke goditur nga një distancë prej 25 metrave, por për fatin e mirë të gjilanasve topi përfundoi jashtë shtyllës së majtë të portës së mbrojtur nga Maloku.

Deri në përfundim të pjesës së parë ishte i njëjti narracion. Antwerp përmes pasimeve të gjata horizontale, si dhe këndoreve, përpiqej që të vihej në ndonjë mundësi të mirë shënimi, por një gjë të tillë nuk arriti ta konkretizojë, sepse Drita nuk i jepte hapësira në vijën e saj defanzive.

Sulmuesi anësor i krahut të majtë, Benson, ishte ai më aktivi gjatë pjesë së parë për nikoqirët. Po i njëjti në minutën e 43-të goditi brenda zonës së rreptësisë, por nga një kënd thuajse i vdekur. Gjuajtja nuk ishte shumë e fuqishme. Si rrjedhojë, topi përfundoi në duart e Malokut.

Kështu që, skuadrat shkuan në pushimin e pjesës së parë me rezultat 0:0.

Drita rezistoi edhe në pjesë të dytë

Duhet thënë se pjesa e dytë nisi me një ritëm tjetër. Ishte skuadra nikoqire ajo që rriti ndjeshëm presionin.

Në dhjetë minutat e para ishte dominim i plotë i Antwerp. Drita tashmë ishte e shtypur në 16-metërshin e saj.

Skuadra kosovare tek në minutën e 55-të arriti të marrë paksa frymëmarrje. Një dalje e shpejtë e Jasharit me topin në pronësi, bëri që ta fitonte një goditje dënimi nga rreth 30 metra.

Po ai vendosi që ta ekzekutojë atë. Ndoshta tregoi më shumë egoizëm sesa që duhej, ngase vendosi të godasë drejt kuadratit, por topi përfundoi lehtë në duart e portierit kundërshtar.

Në tërë minutat në vijim Antwerp sulmoi pareshtur, edhe pse iu deshën njëzet minuta të plota që të vinte te një rast i artë shënimi. Këtë e patën me sulmuesin anësor Benson, i cili nga 5 metra afërsi goditi. Në këtë rast mrekullisht dyshja e qendrës së mbrojtjes, Limani dhe Balde, zgjatën këmbët e tyre për ta devijuar rrezikun.

Ky rast ishte vetëm një rikonfirmim i radhës për nivelin superior të paraqitjes që ishin duke dëshmuar Balde dhe veçanërisht kapiteni i skuadrës, Limani.

Tek në minutën e 78-të, Ardian Nuhiu vendosi që t'i bënte zëvendësimet e para. Nga loja u larguan Baftiu dhe Simonovski, kurse në vend të tyre u inkuadruan Tahiri dhe Namani.

Ky i fundit pas një minuti pranoi një pasim të thellë, vertikal. Me topin në pronësi vrapoi drejt portës kundërshtare, por nga një pozitë këndore nuk mund të bënte më mirë, edhe pse goditja e tij përfundoi në kornizën e portës.

Në minutën e 87-të Antwerp rrezikoi sërish seriozisht, por zgjatja e Malokut ishte vendimtare për t'ia mohuar epërsinë vendësve.

Deri në fund të ndeshjes vijoi dominimi i skuadrës belge. Sidoqoftë, Drita ia doli që ta mbyllë epilogun e ndeshjes në shifrat 0:0.

Sfida e kthimit do të luhet në stadiumin "Fadil Vokrri" gjatë javës së ardhshme, konkretisht më 28 korrik.

Lajme të ngjashme