Afrim Tovërlani: Me këmbë në tokë, Ballkani mposhti kamarierët e San Marinos, Drita s’ka çka të humbasë ndaj Royalit - NACIONALE

Afrim Tovërlani: Me këmbë në tokë, Ballkani mposhti kamarierët e San Marinos, Drita s’ka çka të humbasë ndaj Royalit

1 vit më parë

nga Edonis Bytyqi

Trajneri i njohur kosovar, Afrim Tovërlani në një bisedë për gazetën Nacionale thotë se Drita nuk ka çfarë të humbasë në përballjen ndaj Royal Antwerp, derisa duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë sa i përket fitores së fundit të Ballkanit.

Drita sonte në mbrëmje do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Royal Antwerp në kuadër të rrethit të dytë të Conference League.

I pyetur për këtë sfidë, “Toki” për Nacionalen deklaroi se “Intelektualët” nuk kanë se çfarë të humbasin, përkundrazi vetëm do të përfitojnë nga kjo sfidë dhe shpreson se do të luajnë si kundër Feyenoordit para një viti.

Mendoj që Drita nuk ka çfarë me humb ndaj Royal Antwerpit. Pavarësisht se çka ndodh, ata veçse do të përfitojnë nga kjo ndeshje. Ndeshja e parë që zhvillohet në Belgjikë do të jetë shumë e rëndësishme se cila skuadër do të avancojë tutje. Unë shpresoj që kanë me lujt njësoi si kundër Feyenoordit në vitin e kaluar".

Trajneri më i trofeshëm në Kosovë gjithashtu kërkoi që të gjithë të qëndrojnë me këmbë në tokë sa i përket Ballkanit, pasi ka mposhtur “kamarierët” e San Marinos, diçka që nuk është shumë e lartë njësoi si kualifikimi i Dritës ndaj Inter Turkut.

Për Ballkanin s’është najsen me u lavdëru. I kanë mposht ata kamarierët e San Marinos, prandaj nuk është najsen njësoi si Drita që mposhti Inter Turkun. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të jemi realist, të shohim edhe nivelin e kundërshtarit”.

Në fund, Tovërlani nënvizoi se klubet tona janë duke u eliminuar gjithmonë në Evropë nga kundërshtarë më të dobët, por beson që si Drita, ashtu edhe Ballkani do bëjnë çmos për të arritur në fazën grupore, gjë që nuk e ka arritur asnjë klub kosovar në histori.

Gjatë viteve së fundit gjithmonë klubet tona janë eliminuar nga skuadra më të dobëta. Siç është rasti i Prishtinës në vitin e kaluar, Feronikeli, Trepça ’89, gjithmonë na ka eliminu një kundërshtar më i dobët. Unë besoj që të dy klubet do të japin gjithçka që të arrijnë në fazën grupore”.

Klubet kosovare ende nuk dinë se çfarë është faza grupore në Evropë

Kjo statistikë është vërtetë e tmerrshme, por deri më tani asnjë klub nga Kosova nuk ka arritur të kualifikohet deri në fazën grupore.

Prishtina vitin e kaluar bëri arritjen më të madhë duke mbërritur deri në ‘play-off’ të Conference League, ku pastaj u mposht nga Bodo/Glimt edhe pse këtë të fundit e kishte mposhtur në Prishtinë (2:1).

E këto rezultate negative na kanë ndjekur edhe këtë vit, së paku deri me tani me Gjilanin dhe Llapin që tashmë janë kthyer “në shtëpi”.

Llapi ishte i pafuqishëm ndaj Buducnost, ku pavarësisht që gati i tërë stadiumi “Fadil Vokrri” u mbush me tifozë, nuk arritën ta përmbysin rezultatin e ndeshjes së parë 0:2, ku malazezët në fund avancuan tutje me rezultatin përfundimtar 2:4.

Nga ana tjetër, Gjilani gjithashtu u befasua nga skuadra e Letonisë, Liepaja. “Skifterët” kishin triumfuar me rezultat 1:0 në “Fadil Vokrri”, por pastaj u eliminuan në ndeshjen kthyese pasi humbën me rezultat 3:1 pas 120 minutave lojë.

Kështu, Ballkani dhe Drita mbesin dy skuadrat të vetme që vazhdojnë të ‘luftojnë’ për një vend në fazën grupore të Conference League.

Ballkani është kualifikuar direkt në rrethin e dytë të Conference League pasi u eliminua nga Zalgiris në kuadër të raundit të parë të Ligës së Kampionëve (2:1) dhe tani me një “këmbë” është në rrethin e tretë të kompeticionit të tretë në Evropë pasi ‘shkeli’ La Fioritan me rezultat 0:4 si mysafir.

Ndërkohë, Drita kreu detyrën ndaj skuadrës nga Finlanda, Inter Turku me rezultat të përgjithshëm 3:1 sa i përket raundit të parë, kurse sonte do të përballen gjigantit holandez Royal Antwerp me fillim nga ora 19:00.

Lajme të ngjashme