Van Bommel: Ende s'jemi gati për ta mposhtur një ekip si Drita - NACIONALE

Van Bommel: Ende s'jemi gati për ta mposhtur një ekip si Drita

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Legjenda e futbollit holandez dhe njëherit trajneri i Antwerp, Van Bommel, është deklaruar në fund të ndeshjes, ku ka thënë se akoma nuk janë gati për të mposhtur ekipe si Drita.

Sot, u zhvillua ndeshja e parë e rrethit të dytë kualifikues mes Antwerp dhe Dritës, e cila mbaroi me rezultat 0:0. Në fund, tifozët belgë kontestuan skuadrën e tyre, pasi u ndanë të pakënaqur me epilogun që dha fusha e blertë.

Mbrojtja e çeliktë e Dritës ia prishi llogaritë Bommelit

Gjithsesi, Van Bommel u mundua që të sqarojë gjithçka në lidhje me ndeshjen e sotme përballë skuadrës kosovare. Po ashtu, kjo ishte edhe ndeshja e parë për të në arenën evropiane në cilësinë e trajnerit.

"Kanë luajtur shumë në mbrojtje. Pikërisht ashtu siç e prisnim. Sot, kemi dhënë shumë pak, ndonëse kemi krijuar katër ose pesë raste të mira shënimi. Njashtu, ishte edhe një situatë kontestuese për penallti, për të cilën nuk dua që të ankohem.

"Në këso raste ke nevojë për pak fat. Një gol në fillim të ndeshjes bën që gjithçka të shkojë në mënyrë të lehtë. Një i tillë ka mundur që të shënohej"
, nënvizoi ai.

Ndaj mbrojtjes së Dritës nevojitet durim

Mbrojtja e Dritës nuk gaboi thuajse asgjë në ndeshjen e sotme, falë një pozicionimi dhe disipline të shkallës vërtet të lartë. Një paraqitje kaq e mirë e repartit mbrojtës, vuri në vështirësi të hatashme skuadrën e Antwerp, e cila përkundër inicativës të madhe që pati në fushë, nuk ia doli që ta gjejë golin.

"Nevojitet durim ndaj një mbrojtjeje që është e orientuar në detyrat e saj kësisoj. Por, të kesh durim nuk nënkupton të luash në mënyrë të ngadalshme. Eh, ne jemi akoma shumë larg për të arritur që t'u kundërvihemi këtyre llojeve të skuadrave.

"Duhet të jemi në gjendje që ta demolojmë murin e kundërshtarëve. Mirëpo, e ripotencoj edhe një herë që një gjë e tillë do kohë. I blen dy ose tre lojtarë dhe ndryshojnë tërë lojën: jo, nuk funksionon kështu"
, deklaroi Bommel në fund të ndeshjes për mediumin belg T1.

Drita do të përballet kundër Antwerp gjatë javës së ardhshme, konkretisht më 28 korrik, ku do ta luajë ndeshjen e kthimit në "Fadil Vokrri".

Pritjet janë që stadiumi do të jetë i stërmbushur me "Intelektualët" dhe futbolldashësit tjerë kosovarë, të cilët përmes përkrahjes së tyre do të mundohen ta ndihmojnë Dritën ta arrijë një kualifikim të lavdishëm drejt rrethit të tretë kualifikues në Conference League.

Lajme të ngjashme