Enrique: E shoh padrejtësi që Leo Messi të tërhiqet nga futbolli pa fituar Botërorin - NACIONALE

Enrique: E shoh padrejtësi që Leo Messi të tërhiqet nga futbolli pa fituar Botërorin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Luis Enrique ka mbajtur konferencën e radhës për medie në prag të fillimit të Kupës së Botës në Katar. Ai edhe foli rreth asaj se kush ka dëshirë që të triumfojë në këtë ngjarje madhore futbollistike.

Spanja nuk llogaritet në mesin e favoriteve absolute për të ngadhënjyer në Botërorin e sivjem, por Luis Enrique është shpresëplotë që të besuarit e tij do ta bëjnë më të mirën prej vetes.

Megjithëse, ai nuk ka mëdyshje për dëshirën që do kishte në rast se ekipi kombëtar spanjoll nuk do të mund të stolisej me trofeun më të çmuar.

“Nëse nuk do të mund ta fitonim ne Botërorin, do më pëlqente ta fitonte Argjentina”
, shtoi ai.

“Shoh të padrejtë që një lojtar si Leo Messi të duhet të pensionohet nga futbolli pa fituar Kupën e Botës”, përfundoi Luis Enrique.

Lëvdatat për David Villan

Luis Enrique nuk u kursye nga pyetjet gjatë konferencës së sotme për shtyp. Pyetje të të gjitha llojeve, përfshirë edhe ato provokative.

Nga ai gazetarët dëshiruan të dinë se cili ka qenë lojtari më i mirë në historinë e kombëtares spanjolle. Dihet që në kombëtaren në fjalë kanë defiluar lojtarë të mëdhenj, qofshin edhe nga ata që i stërvitur vetë Enrique te Barcelona si Xavi apo Iniesta, por ai dha një tjetër emër.

“Ka shumë lojtarë, por do thoja David Villa. Tekefundit është ai golashënuesi më i mirë i historisë së kombëtares”, shtoi Enrique.

David Villa me Spanjën ka bërë 98 paraqitje duke shënuar 59 gola. Ai ishte protagonisti kryesor në sulmin e Spanjës kur kjo kombëtare fitoi dy trofetë e mëdhenj, siç ishin Evropiani 2008 dhe Botërori 2010.

40-vjeçari u pensionua nga futbolli më 13 nëntor të vitit 2019 sa ishte futbollist i Vissel Kobe. Edhe në futbollin në nivel klubesh ka shënuar shumë suksese, duke fituar të gjitha trofetë e mundshme.

Gjithsesi, Enrique foli edhe për lojtarin që më së shumti e ka befasuar nga ata që i ka ftuar për të qenë pjesë e këtij Botërori.

“Ansu Fati. E kam shikuar ndihmësin tim dhe iu jam drejtuar: ‘Po çfarë po shohim? Holly dhe Benji’”, tha ai.

Spanja është në Grupin E së bashku me Gjermaninë, Kosta Rikën dhe Japoninë. Llogaritet si njëri prej grupeve më të forta.

Bashkërisht me Gjermaninë shihen si favoritet për të kaluar në fazën e mëtejm. Ndeshjen e parë Spanja do ta luajë ndaj Kosta Rikës më 23 nëntor, me fillim në ora 17:00.

Lajme të ngjashme