Ekskluzive: Bersant Celina huazohet me të drejtë blerjeje te Kasimpasa
Bersant Celina ka ndarë mendjen. Sulmuesi 25-vjeç kosovar do të jetë lojtari më i ri i Kasimpasas. Aty do t'i bashkohet bashkëkombësit të tij, Florent Hadërgjonajt.
Para disa ditësh do të duhej ta kompletonte transferimin te Kasimpasa, por për disa arsye një gjë e tillë u shty.
Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore e ardhmja e sulmuesit prizrenas ishte në një amolli të plotë, ku nuk dihej se çfarë do të kishte ai. Ishin shumë pista që diskutoheshin, nga Rangers, deri te skuadrat tjera si Stoke City, të cilat ishin të interesuara për shërbimet e tij.
Përfaqësuesit e lojtarit, së bashku me vetë atë, në fund arritën një gjuhë të përbashkët me klubin turk, Kasimpasa.
Pas disa viteve që kaloi në futbollin anglez, tashmë Turqia do të jetë destinacioni i tij i radhës, për ta provuar edhe një përvojë të re.
Njëherazi, Kasimpasa do të jetë klubi i gjashtë (pas Manchester Cityt, Twentes, Ipswichit, Swanseat dhe Dijonit) në të cilin do të luajë Celina si lojtar senior, pasi në grupmoshat e reja kishte qenë pjesë edhe e klubeve si Strømsgodset dhe më pas Manchester Cityt.

Detajet e marrëveshjes
Pritjes së gjatë i erdhi fundi. Dukej se Kasimpasa nuk ishte më në horizont, por gjithçka ndryshoi në orët e fundit.
Burimet e Gazetës Nacionale pranë lojtarit bëjnë të ditur se ai ka arritur marrëveshje të plotë me Kasimpasan.
Negociatat nuk kanë qenë të lehta, me Dijon që ka kërkuar shumë kushte në drejtim të Kasimpasas, të cilët me kohën janë plotësuar.
Po ashtu, Gazeta Nacionale merr vesh se Celina i ka kaluar edhe testet mjekësore. Zyrtarizimi është çështje kohe. Ai pritet të vijë gjatë orëve në vijim, varësisht nga politika e klubit turk se kur do ta shohë më të arsyeshme që ta kumtojë në publik afrimin e lojtarit kosovar.

Drejtuesit e Kasimpasas e kanë kërkuar me ngulm Bersant Celinën, pasi janë të bindur në cilësitë e tij. Nga ana e tyre nuk është shfaqur asnjë shenjë hezitimi që të provojnë me çdo formë dhe mjet arritjen e marrëveshjes, përkundër vështirësive dhe pengesave që janë shfaqur gjatë rruges.
Këshillimi me Florent Hadërgjonajn
Kështu, sulmuesi kosovar do të transferohet në formë huazimi me të drejtë blerjeje pas një sezoni. Aty do ta gjejë edhe bashkëkombësin e tij dhe njëherin bashkëlojtarin te Kombëtarja e Kosovës, Florent Hadërgjonaj.
Burimet i kanë thënë Gazetës Nacionale se ka pasur një konsultim mes të dyve, ku Hadërgjonaj ka thënë fjalë të mira për klubin dhe ndër të tjera ka qenë lehtësues i arritjes së kësaj marrëveshjeje.
Duhet thënë se edhe mikpritja që i ka dhënë Hadërgjonaj bashkëlojtarit të tij te Kombëtarja e Kosovës, Celinës, ka qenë një shtyesë e rëndësishme në përfundimin e të gjithë procesit të negociatave me sukses.
Bersant Celina që nga ditët në vijim do të mund të zbresë në fushë, për t'i ndihmuar skuadrës në sfidat që i ka në kalendar në vazhdën e zhvillimit të sezonit të ri.
Një sezon i vështirë në Ipswich
Edhe pse Ipwsich joshi Celinën me një projekt të madh në letër, të cilin e trumbetonin të atillë pronarët e klubit gjatë verës së kaluar, fusha nuk e tregoi të njëjtën gjë.
Kalimi i tij gjatë afatit kalimtar veror të 2021-ës në Ipswich, gjegjësisht në ligën e tretë angleze (League One), u pa si një regres nga shumica e ndjekësve të futbollit dhe opinionistëve të tij.

Sezoni 2021/2022 nuk ishte në lartësinë e pritshmërive të Ipswich. Skuadra nuk arriti ta sigurojë qoftë plasmanin në barazhin për t'u ngjitur në Championship, ligën e dytë angleze, duke e përfunduar kampionatin në pozitën e 11-të.
Sulmuesi kosovar arriti të kontribuojë me 6 gola dhe 6 asiste tjerë në kampionat, në 32 paraqitje sa zhvilloi.
Epoka e re me Giresse pa Celinën
Pa ndonjë arsye specifike, ai u la jashtë listës së Kosovës për ndeshjet e qershorit që u zhvilluan në Ligën e Kombeve.
Pavarësisht kësaj, Celina mbetet prej lojtarëve të parë që ka pranuar ftesën e Kosovës, edhe atëherë kur FFK nuk ka qenë fare e anëtarësuar në mekanizmat ndërkombëtare si UEFA dhe FIFA. Po flasim për kohën kur tek ndeshjet miqësore ishin pranuar që t'i zhvillonte Kosova.

Këtë zgjedhje Bersant Celina e ndërmori ndonëse më heret ishte kalitur në grupmoshat e reja të Norvegjisë, nga U15 deri te U21. Atëbotë, sulmuesi prizrenas ishte pjesë e akademisë së Manchester Cityt.
Me Kosovën ka zhvilluar 29 paraqitje, duke shënuar edhe një gol - atë ndaj Danimarkës, në miqësoren e marsit të vitit 2018 në "Fadil Vokrri".

