Drenica dhe Feronikeli e konfirmojnë se FIFA ua ka ndaluar regjistrimin e lojtarëve të rinj shkaku i borxheve të vjetra - NACIONALE

Drenica dhe Feronikeli e konfirmojnë se FIFA ua ka ndaluar regjistrimin e lojtarëve të rinj shkaku i borxheve të vjetra

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

Drenica dhe Feronikeli kanë konfirmuar për Nacionalen se FIFA – shtëpia botërore e futbollit – ua ka ndaluar regjistrimin e lojtarëve të rinj në afatin kalimtar të kësaj vere, për shkak të borxheve të vjetra ndaj lojtarëve dhe ish-lojtarëve të tyre.

Drejtori i Drenicës, Taulant Dajaku, thotë për Gazetën Nacionale se ka dy muaj që është duke punuar me FIFA-n dhe lojtarët të cilëve klubi iu detyrohet për ta zgjidhur bllokadën para fillimit të sezonit të ri 2022/23 në Superligë.

“Janë borxhe të prapambetura ndaj lojtarëve që e kanë paditur klubin për mos përmbushje të rrogave të sezonit 2020-2021, periudhë kur unë as s’kam qenë në klub”, tha Dajaku.

Dajaku, i cili nuk ka qenë pjesë e klubit në kohën kur ishin grumbulluar borxhet ndaj futbollistëve, beson se do të jetë një fillim shumë i vështirë për Drenicën, e cila e nis sezonin e ri kundër Llapit në shtëpi më 14 gusht.

Pra, klubi e ka pak më shumë se një javë për t’i shlyer detyrimet në mënyrë që të lejohet nga FIFA të regjistrojë lojtarë të rinj për sezonin e ri.

“Po kam muaj që jam në kontakt me FIFA-n dhe në bisedime me lojtarët dhe duke tentuar marrëveshje që na zhbllokojnë nga kjo gjendje, po pa kryer marrëveshjen nuk zhbllokohemi dot. Në atë drejtim jemi duke shpresuar, edhe pse goxha e vështirë është por duke shpresuar në krijim fondesh nga biznese të qytetit të zhbllokohemi dhe të kemi mundësi me u fut në kampionat, sigurisht të penalizuar por të paktën me përpjekjet tona shpresojmë të mos penalizohemi shumë”, nënvizoi ai për Nacionale.

Dajaku i falënderoi bizneset të cilat janë duke e ndihmuar klubin të dalë nga kjo krizë.

“Ne i falënderohemi krejt bizneseve që po e përkrahin klubin në këtë periudhë që është më e renda ndonjëherë për shkak të borxheve”.

Bllokada e FIFA-s asgjë e re për Feronikelin

Për ish-kampionin e Kosovës ndalesa e FIFA-s për regjistrimin e futbollistëve të rinj nuk është diçka e re, sepse klubi nga Drenasi është i penalizuar që prej verës së kaluar, si pasojë e borxheve të cilat ndikuan që skuadra të bjerë nga Superliga sezonin e kaluar dhe tani do të bëjë gara në kategorinë e dytë.

Këtë e ka konfirmuar edhe vetë drejtori sportiv i Niklit, Artan Berisha, i cili tha se si pasojë e bllokadës së vazhdueshme nuk ka mundur as t’i prezantojë blerjet e reja të kësaj vere.

“Kjo çështje është moti, mediat kanë raportuar një lajm të vjetër sepse afati kalimtar i joni ka qenë i bllokuar që në vitin e kaluar kur vendosëm të luajmë me junior dhe ramë nga Superliga”, tha Berisha për Nacionale.

Ai shtoi: “Jemi duke u munduar të bëjmë zgjidhje, te shohim se a do të arrijmë. Përpjekjet tona janë maksimale, por deri të bëhet zyrtare nuk mund të them asgjë, për këtë arsye nuk kemi zyrtarizuar asnjë lojtarë në faqen tonë.”

Lajme të ngjashme