Deschamps: Nuk ndiej stres që Messi ka përkrahje popullore, do të hyjmë në ndeshje për ta fituar trofeun
Përzgjedhësi i Kombëtares së Francës, Didier Deschamps, ka folur sot në mëngjes në konferencë për shtyp një ditë para finales së madhe të Kupës së Botës kundër Argjentinës. Ai dha disa detaje rreth përgatitjeve që po i bën.
Franca për herën e dytë radhazi ka arritur ta sigurojë finalen e Kupës së Botës. Edhe pse e përballur me shumë lëndime, kampionia në fuqi ia ka dalë me sukses që ta ketë një ecuri fituese, e cila e solli deri në finale.
Sido që të jetë, një fakt që tashmë është më se i ditur është se të gjithë sytë e sportdashësve më shumë sesa te vetë këto dy kombëtare, janë te Lionel Messi.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë do ta luajë ndeshjen e fundit në Kupën e Botës. Kësisoj, ai njashtu do ta ketë rastin e fundit që ta fitojë trofeun në fjalë, i cili është i vetmi që i mungon.
Deschamps u pyet nëse është i brengosur me të gjithë këtë përkrahje të madhe që po merr Messi nga të gjitha skajet e botës.
“Ndihem mirë kur jam i vetëm”, tha duke qeshur.

“Duhet të përshtatemi. Kemi bërë gjithçka për të arritur deri këtu që ta luajmë këtë ndeshje. Nuk kam stres. E rëndësishme është qetësia. Objektivi i një finale mbetet kërkimi që ta fitosh një trofe më shumë, edhe pse e di që disa francezë dëshirojnë që të fitojë Argjentina”, shpjegoi ai.
Sqarimi pse Mbappe qëndron i heshtur dhe nevrikosja me pyetjet për Benzeman
Njëri prej lojtarëve kryesorë të Francës në këto javë ka qenë Kylian Mbappe. I njëjti nuk ka preferuar të ekspozohet shumë në publik me intervista. Deschamps tregoi përse ai nuk shfaqet në publik.
“Mbappe kur duhet të flasë, flet. Mirëpo, ka edhe nevojë për të qëndruar i qetë dhe për qetësi në tërësi. Gjëja e vetme që atij i intereson është fusha. Ai është në këtë gjendje emotive prej fillimit të Kupës së Botës dhe nuk dua ta acaroj”, tha ai mes të qeshurave.
Anipse kjo është finalja e dytë rresht që e arrin Franca, Deschamps mendon se nuk mund të dilet me përfundime se ka ndonjë ngjashmëri të madhe.
“Nuk është e njëjta gjë me finalen e vitit 2018, sepse edhe konteksti është i ndryshëm. Gjashtë ndeshjet e zhvilluara, shpesh me futbollistët e njëjtë titullarë, na ndihmojnë që t’i analizojmë më mirë ato”, nënvizoi Deschamps.

Ai gjithashtu foli edhe rreth të ardhmes së tij, ku la të nënkuptohej se e ka të qartë se çfarë vendimi do ta kumtojë dhe se i njëjti nuk do të ndikohet nga rezultati i ndeshjes së nesërme.
“Udhëheqja e një ekipi kombëtar si Franca është gjëja më e mirë që më ka ndodhur në jetën time profesionale. Franca është mbi të gjithë dhe jam në shërbim të saj. Rezultati i nesërm nuk do të ndikojë në vendimin tim për të ardhmen. Të vetmen gjë që kam ndër mend tani është ndeshja e nesërme”, saktësoi ai.
Deschamps u shfaq tejet i indinjuar në momentin kur gazetarët i parashtruan pyetje rreth Benzemas, në lidhje me atë nëse do të jetë pjesë e ndeshjes kundër Argjentinës ose jo.
“Nuk i përgjigjem kësaj pyetje. Kam pasur shumë probleme me lëndime, mes tyre edhe Karim. Kam 24 futbollistë në gatishmëri pas lëndimit të Lucas dhe nuk është se unë merrem tani me ftesat shtesë të lojtarëve. Nuk e di nëse do të jetë Karim. Këta janë 24 futbollistët që do të jenë të rëndësishëm nesër kundër Argjentinës”, u shpreh ai.

Për Francën finalja e nesërme do të jetë një mundësi e mirë që ta fitojë edhe trofeun e tretë në historinë e Kupës së Botës, pasi një gjë të tillë arriti ta bëjë më 1998 dhe 2018.


