Kurthi i Kurtit për Republikën: Pse fitorja në zgjedhje nuk të bën pronar të shtetit - NACIONALE

Kurthi i Kurtit për Republikën: Pse fitorja në zgjedhje nuk të bën pronar të shtetit

1 orë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Adri Nurellari

Gabimi më i madh që mund të bëhet sot në Kosovë është nënvlerësimi i krizës aktuale duke e trajtuar si një telenovelë të zakonshme parlamentare. Për një publik të lodhur nga tranzicioni dhe zhgënjimet e njëpasnjëshme ky ngërç mund të duket si një tjetër përplasje egosh mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të opozitës. Mirëpo përballja e sotme nuk është thjesht mes pushtetit dhe opozitës, por mes rregullave të lojës demokratike dhe etjes për pushtet që kërkon ta shndërrojë mandatin elektoral në monopol politik. Mirëpo bëhet fjalë për diçka shumë më serioze, për një nga mekanizmat më të rrezikshëm përmes të cilëve demokracitë bashkëkohore fillojnë të kalben, të zbrazen nga përmbajtja dhe të çmontohen nga brenda. Studimet na tregojnë që demokracitë moderne nuk vdesin më brenda natës me autoblinda në bulevard, me shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme apo me arrestimin e bujshëm të opozitarëve në mesnatë. Ato sot zakonisht vdesin nën dritën e diellit, në mënyrë krejtësisht të ligjshme, me rregullore në dorë, dhe të shoqëruara nga duartrokitjet entuziaste të një turme të bindur se fitorja e saj morale qëndron mbi çdo ligj të shkruar.

Juan Linz, një nga studiuesit më të njohur të sistemeve demokratike, e pati vërejtur dekada më parë se fati i një republike nuk garantohet kurrë vetëm nga përsosmëria e tekstit kushtetues apo nga rregullsia teknike e kutive të votimit. Demokracia mbahet gjallë nga gatishmëria e aktorëve politikë për t’i pranuar rregullat e lojës edhe kur ato nuk iu leverdisin, për të njohur legjitimitetin e kundërshtarit dhe për ta pranuar humbjen apo kufizimin e pushtetit pa e vënë në pikëpyetje gjithë sistemin. Levitsky dhe Ziblatt e zhvilluan më tej këtë ide duke theksuar rëndësinë e normave të pashkruara që mbajnë gjallë demokracinë sikurse është vetëpërmbajtja institucionale që nënkupton të mos përdorësh çdo mundësi që të jep pushteti vetëm sepse teknikisht mundesh.

Në librin Si Vdesin Demokracitë ata paralajmërojnë se në botën bashkëkohore, gardianët e hershëm të demokracisë shpesh shndërrohen në varrmihësit e saj. Ndryshimi mes autoritarizmit të vjetër ushtarak dhe atij bashkëkohor nuk qëndron te qëllimi, por te mjetet.. Autokrati i sotëm nuk ka nevojë ta sulmojë parlamentin me ushtri; atij i mjafton të hyjë në të me shumicë votash. Ai nuk ka nevojë ta shfuqizojë Kushtetutën me dekret por i mjafton ta keq-interpretojë apo ta tejzgjasë zbatimin sipas nevojës taktike të orës. Ai nuk ka nevojë t’i mbyllë me dry gjykatat por i mjafton t’ua relativizojë peshën morale, duke i trajtuar vendimet e tyre si pengesa jolegjitime që po i bëhen "vullnetit të shenjtë të popullit".

Historia është e mbushur me udhëheqës që kanë ardhur në pushtet me votë dhe më pas kanë dobësuar, hap pas hapi, institucionet liberal-demokratike që ua mundësuan atë fitore. Viktor Orban në Hungari nuk erdhi në pushtet me tanke, por përmes zgjedhjeve. Hugo Chavez në Venezuelë dhe Alberto Fujimori në Peru fituan presidencën me votën e qytetarëve dhe më pas përqendruan gjithnjë e më shumë pushtet në duart e tyre dhe shkelën opozitën.

Në kulturën tonë politike ekziston një tundim i vjetër dhe i rrezikshëm për të kërkuar shpëtimtarin. Nga kryefamiljari, prijësi i krahinës te udhëheqësi i partisë, deri tek “baba i kombit” e “udhëheqësi historik”, politika shqiptare ka vuajtur shpesh nga dëshira për ta zëvendësuar institucionin me njeriun. Por Republika moderne është ndërtuar pikërisht për ta mposhtur këtë instinkt. Askush nuk është aq i mirë sa t'i besohet pushtet pa kufi dhe askush nuk është aq i keq sa t'i mohohet e drejta për të qenë opozitë.

Thelbi i ngërçit që po shpërfaqet sot në Kosovë lidhet drejtpërdrejt me filozofinë politike që udhëheq Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Kurti nuk duket se e percepton mandatin elektoral vetëm si një autorizim të përkohshëm për të qeverisur brenda rregullave të lojës. Gjithnjë e më shumë, ai paraqitet si bartës i një misioni historik dhe i një epërsie morale ndaj pjesës tjetër të sistemit politik.

Retorika e tij prej vitesh ushqehet nga një ndarje e rrezikshme bardhë e zi. Nga njëra anë qëndrojmë "Ne": ndryshimi, pastërtia, populli, e mira. Nga ana tjetër qëndrojnë "Ata": regjimi i vjetër, hajdutët, sabotatorët dhe penguesit e së ardhmes. Studiuesit tregojnë se kjo është skema klasike e populizmit. Tipari përcaktues i populistit nuk është thjesht kritika ndaj kastës ekzistuese, por pretendimi moral për monopolin ekskluziv të përfaqësimit. Populisti i bindur nuk pranon dot se kundërshtarët e tij kanë thjesht një vizion tjetër politik për taksat, shëndetësinë apo diplomacinë; ai beson thellësisht se ata janë thelbësisht jolegjitimë si qenie politike, sepse vetëm ai dhe partia e tij flasin në emër të popullit autentik.

Në çastin kur kjo logjikë zë vend në zyrën e kryeministrit, e gjithë arkitektura kushtetuese fillon të trajtohet si një pengesë e bezdisshme. Kundërshtari politik nuk është më një bashkëqytetar me të cilin duhet të gjesh një kompromis të vështirë, por një tradhtar që duhet mposhtur. Ose siç tthoshte me krenari Kurti për opozitën gjatë fushatës vjet " jena tu i sos, tu i zgrobit, tu i raskapit, tu i dërrmu, tu i thërmu, se kem ndër mend me i shpartallu". Me këtë mentalitet përjashtues e anatemues kompromisi parlamentar shpallet dobësi morale dhe Gjykata Kushtetuese pushon së qeni arbitri suprem i shtetit dhe damkoset nga pushteti si një çerdhe e mbeturinave të së kaluarës sa herë që vendimet e saj nuk përputhen me interesin e partisë në pushtet.

Dhe pikërisht në përplasjen mes vullnetit të shumicës dhe kufijve institucionalë ndahet demokracia kushtetuese nga tirania e shumicës. Është jashtëzakonisht e lehtë të shpallesh kampion i demokracisë kur rrethanat politike të shkojnë për shtat. Është e rehatshme të predikosh shtetin e së drejtës kur ke një shumicë dërrmuese në parlament, kur Kuvendi miraton me rrahje shuplakash çdo nismë tënden dhe kur institucionet e pavarura marrin vendime që përkëdhelin agjendën dhe egon tënde qeverisëse. Në ato kushte komode, çdo sundimtar mund të duket si një burrështetas i ndritur.

Mirëpo prova e vërtetë e demokratit, e vetmja provë lakmusi që ndan udhëheqësin republikan nga autokrati i maskuar, fillon pikërisht në momentin kur sistemi institucional, ligji dhe rregullat e pashkruara të thonë një "Jo" të prerë dhe të hidhur. Në Aktgjykimin KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese, të 26 qershorit 2025, Gjykata përcaktoi shprehimisht se deputetët duhet “sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë, të përfundojnë Seancën Konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij. Këtu shikohet nëse i bindesh këtij verdikti sepse e do Republikën më shumë se karrigen tënde, apo fillon të sulmosh apo injorosh institucionin që guxoi të të vendosë kufij?

Kjo është arsyeja pse zvarritja e konstituimit të Kuvendit dhe shpërfillja e frymës kushtetuese në Kosovë nuk janë vogëlsira procedurale. Nëse Gjykata Kushtetuese vendos një afat dhe përcakton një rrugë, përgjigjja e një qeverie demokratike nuk mund të jetë tentativa për ta mbajtur sistemin të bllokuar derisa të gjendet një artificë që i siguron mbijetesën partisë më të madhe. Nëse rregullat e lojës respektohen vetëm atëherë kur na japin të drejtë ne, atëherë kemi braktisur shtetin ligjor dhe kemi hyrë në territorin e arbitraritetit të pastër.

Llogaria politike që ngrihet mbi këtë ngërç është cinike. Sa më gjatë të mbetet vendi në amulli, aq më gjatë vazhdon qeverisja në detyrë pa një Kuvend plotësisht funksional dhe aq më shumë partia në pushtet ruan mundësinë të ndikojë mbi momentin politikisht më të favorshëm për zgjedhje të reja. Mundësisht atëherë kur opozita të jetë plotësisht e dërrmuar dhe qytetarët të jenë të rraskapitur nga kriza e sajuar. Këtë gjë e pamë vitin e kaluar ku me vetëdije u zvarrit procesi dhe u shkel në mënyrë të përsëritur Kushtetuta në mënyrë që zgjedhje të organizoheshin në fund të vitit, periudhën më të volitshme për Vetëvendosjen. Faktikisht kemi një forcë politike që në mënyrë të përsëritur po përpiqet ta detyrojë kalendarin institucional të Republikës të ecë me sahatin e selisë së saj.

Kosova është një shtet i ri, me inde të brishta institucionale, i ngritur mbi sakrificat e panumërta të brezave, mbi gjakun e luftës çlirimtare dhe mbi mbështetjen thelbësore të aleatëve tanë perëndimorë. Në një Ballkan gjithnjë e më të paqëndrueshëm dhe përballë një fqinji verior me pretendime të hapura revanshiste, e vetmja kartë morale, diplomatike dhe strategjike e Kosovës në botën perëndimore ka qenë pikërisht narrativa e saj si një demokraci pluraliste, vibrante dhe e përkushtuar ndaj shtetit ligjor. Në momentin kur Kosova fillon të imitojë modelet autokratike të rajonit; ku Gjykata Kushtetuese shpërfillet ku parlamenti mbahet i paralizuar për kalkulime të ngushta elektorale dhe ku lideri sillet si pronar i të vërtetës; ne nuk po dëmtojmë thjesht rendin tonë të brendshëm. Ne po gërryejmë me duart tona një nga shtyllat kryesore të kredibilitetit dhe mbështetjes ndërkombëtare të Kosovës.

Kjo temë nuk ka të bëjë me simpatitë apo antipatitë personale ndaj Albin Kurtit apo rivalëve të tij. Politikanët janë qiramarrës të përkohshëm të zyrave publike; ata vijnë, qeverisin dhe një ditë largohen në harresë. Por rregullat, normat dhe precedentët që lënë pas janë muret e shtëpisë sonë të përbashkët. Kjo pra është një betejë shumë më themelore për karakterin e shtetit që Kosova dëshiron të jetë. Një republikë ku shumica qeveris brenda kufijve të Kushtetutës, apo një sistem ku Kushtetuta vlen vetëm për aq kohë sa nuk pengon shumicën? Kushdo që sot duartroket anashkalimin e procedurave dhe dobësimin e institucioneve vetëm sepse në pushtet është politikani që admiron, duhet të kuptojë një parim themelor të demokracisë; që institucionet nuk ndërtohen mbi besimin se udhëheqësi është i përsosur, por mbi nevojën që pushteti i çdo udhëheqësi të ketë kufij. Sado popullor, i ndershëm apo qëllimmirë të konsiderohet një lider, ai nuk mund të qëndrojë mbi rregullat dhe institucionet që kufizojnë pushtetin e tij. Prandaj, Kosova ka nevojë jetike të shkëputet nga kulti i individit dhe të përqafojë atë sot konsiderohet si patriotizëm kushtetues i cili kërkon besnikërinë ndaj Republikës, Kushtetutës dhe institucioneve përpara besnikërisë ndaj një partie apo një udhëheqësi. Republika e Kosovës është pafundësisht më e madhe se çdo parti politike, më e shenjtë se çdo kryeministër dhe më jetëgjatë se çdo mandat qeverisës.

Në fund të fundit, Republika e Kosovës nuk është një institucion abstrakt që ra nga qielli në vitin 2008. Pas çdo neni të Kushtetutës qëndron një varr dëshmori, një familje e dëbuar, një shtëpi e djegur, një shkollë e mbajtur në bodrum, një emigrant që kursente nga rroga e punës në ndërtim për trepërqindshin apo fondin vendlindja thërret, një mjek vullnetar pa rrogë i viteve 90-ta; një student i rrahur në protesta, një ushtar i vrarë pabesisht duke mbajtur uniformën e armatës jugosllave. dhe breza të tërë që e kaluan jetën me sakrifica duke besuar se një ditë shqiptarët do të kishin shtetin e tyre demokratik. Të luash me rendin kushtetues për një avantazh elektoral nuk është thjesht cinizëm politik por papërgjegjshmëri e pafalshme ndaj gjithë asaj historie. Sepse fitorja në zgjedhje të jep të drejtën ta qeverisësh Republikën por kurrsesi nuk të jep pronësinë mbi të.

Lajme të ngjashme