KATAR 2022| Argjentina po përgatit rreshtim enkas në mbrojtje për ta ndalur Mbappen
Shtypi argjentinas i afërt me “Seleccion” shkruan se përzgjedhësi Lionel Scaloni po bën përgatitjet e fundit për rreshtimin në mbrojtje, i cili do të ketë mision kryesor neutralizimin e yllit të PSG, Kylian Mbappe.
Franca ka shumë lojtarë cilësorë, por nuk do mend që është Mbappe ai që ndryshon ekuilibrin e ekipit. Si pasojë e kësaj edhe Argjentina po mundohet të përgatitet për ndeshjen finale të së dielës, duke pasur në mendje që neutralizimi i Mbappes është jetik.
Gazeta më e madhe sportive në Argjentina, “Olè”, shkruan se Scaloni është duke menduar që të shkojë me mbrojtjen me pesë, duke pasur fokusin e posaçëm te ndalimi i çdo shpërthimi të mundshëm në zonën e 16-metërshit nga Mbappe.

“Scaloni e njeh fuqinë e Kylian Mbappes dhe për këtë ka dashur që t’i japë më shumë siguri skuadrës”, shkroi “Olè” duke iu referuar vendosjes së sotme në seancën stërvitore me pesë mbrojtës.
Molina, Romero, Otamendi, Lisandro Martinez dhe Acuna janë testuar në stërvitjen e sotme, për t’i dhënë skuadrës sa më shumë siguri në repartin e mbrojtjes.
Më të rejat rreth kampit argjentinas
Argjentina ka mbajtur stërvitjen e radhës sot. Gjithmonë duke iu referuar të përditshmes “Olè”, Scaloni ka provuar tre formacione të ndryshme.
E ka nisur me 5-3-2, pastaj e ka vazhduar me 4-3-3 me dy variante të saj dhe në fund e ka mbyllur me 4-4-2. Në formacionin e parë nuk ka qenë e tij edhe Di Maria, përkundër se është 100% i gatshëm për lojë, pasi është rikuperuar nga lëndimi.
Në rastin e parë që do të futej në lojë “El Fideo”, rreshtimi do të kalonte nga 5-3-2 në 4-3-3. Pikërisht në formacionin 4-3-3 ishte edhe Di Maria pjesë e ushtrimeve.

Në formacionin 5-3-2 sipas gazetës argjentinase këta ishin lojtarët: Dibu Martínez; Molina, Cuti Romero, Otamendi, Lisandro Martinez, Acuña; DePaul, Enzo Fernández, Mac Allister; Messi e Julian Alvarez.
Ndërsa me formacionin 4-3-3 rreshtimi kishte pak ndryshime në lojtarë: Dibu Martínez; Montiel, Cuti Romero, Otamendi, Acuña; DePaul, Enzo Fernández, Mac Allister; Messi, Julian Alvarez e Di Maria.
Ndërkaq krejt në fund në formacionin 4-4-2 luajtën këta lojtarë: Montiel, Cuti Romero, Otamendi, Acuña; DePaul, Enzo Fernandez, Paredes, Mac Allister; Messi e Julian Alvarez.
Në çdo rast Lautaro Martinez sërish parashihet të lihet në stol. Në vend të tij, ashtu sikur në ndeshjen e fundit, llogaritet favorit Alvarez.

Shkëlqimi që pati në ndeshjen e fundit kundër Kroacisë në gjysmëfinale, duke shënuar dy gola, e ka përforcuar edhe më shumë idenë se ai do të jetë startues nga minuta e parë, pasi ka treguar një kimi të mirë edhe me Lionel Messin në fazën sulmuese.

