1.002 ndeshje, 791 gola dhe 340 asiste! Messi i mahnitshëm - NACIONALE

1.002 ndeshje, 791 gola dhe 340 asiste! Messi i mahnitshëm

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lionel Messi po cilësohet si lojtari më i mirë në historinë e futbollit, pasi i ndihmoi Argjentinës të shkojë edhe në një finale tjetër të Kupës së Botës – ku natyrisht do ta ketë mundësinë e fundit për ta fituar trofeun më të famshëm të kësaj loje para se të pensionohet.

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë e shënoi një penallti dhe i krijoi të dy golat e Julian Alvarezit në fitoren 3:0 kundër Kroacisë në gjysmëfinale të martën.

Fakti se ai nuk e ka fituar kurrë Kupën e Botës – për dallim nga bashkatdhetari i vet Diego Maradona apo legjenda braziliane Pele – është llogaritur kundër tij në debatin se kush është më i miri në histori, por ai ka një mundësi për ta ndryshuar këtë në finalen e së dielës kundër Francës.

Ndeshja kundër Kroacisë ishte e 1.002-ta në karrierë e Messit si senior, goli i 791-të dhe asisti i 340-të. Ai i fitoi 35 trofe me Barcelonën, si dhe u shpall kampion i Francës me Paris Saint-Germainin sezonin e kaluar. Messi e fitoi edhe Kupën e Amerikës me Argjentinën më 2021.

Ish-mbrojtësi i Anglisë dhe Liverpoolit, Jamie Carragher, beson se Messi është më i miri në histori.

Messi, më i miri i të gjitha kohëve”, tha Carragher.

Ish-sulmuesi i Anglisë Alan Shearer tha: “Ne thamë se, nëse Messi e fiton Kupën e Botës këtu, duhet të jetë ai. Ky ka qenë dallimi, sepse Maradona e ka fituar Kupën e Botës”.

Nëse Messi e fiton, atëherë mendimi im ndryshon”.

Robert Green, i cili luajti për Anglinë në Botërorin 2010, mendon se Messi do të hiqte dorë nga titulli më i miri në histori për medaljen e së dielës.


Nëse e pyesni Messin a dëshiron të jetë më i mirë në botë apo medaljen, ai do ta zgjidhte medaljen të dielën. Ai do të bënte gjithçka për atë medalje. Messi ka bërë gjithçka për futbollin”, tha Green.

Messi është golashënuesi më i mirë i Argjentinës në historinë e Kupës së Botës me 11 gola, dhe i vetmi lojtar në histori që ka asistuar në pesë Botëror. Messi është po ashtu lojtari i vetëm që ka shënuar gol në Botëror si adoleshent, në të 20-tat dhe 30-tat.

Argjentina e Messit humbi ndaj Gjermanisë në finalen e Botërorit 2014, por ai e mori Topin e Artë si lojtari më i mirë i atij turneu.

Të dielën, Messi mund t’i fitojë të gjitha, Kupën e Botës, Topin e Artë dhe Këpucën e Artë. Ai e kaloi bashkëlojtarin e vet te PSG, Kylian Mbappe, në garë për golashënuesin më të mirë për shkak të numrit më të madh të asisteve, duke qenë se të dy kanë shënuar nga pesë gola.

Trajneri i Argjentinës Lionel Scaloni thotë se nuk ka dyshim që Messi është më i miri në histori.

E kam thënë për një kohë të gjatë. Nuk ka mbetur asgjë për t’u thënë për Messin, është nder ta stërvitësh dhe ta kesh në skuadër”, tha Scaloni.

Argjentina është në finale shkaku i Messit”, tha Shearer.

Trajneri i Kroacisë, Zlatko Daliq, e pranoi se skuadra e tij u mposht nga më i madhi.

Nuk kemi çfarë të themi për Messin. Lojtari më i mirë në botë, shumë i mirë dhe shumë i rrezikshme. Ky ishte Messi i vërtetë që e prisnim”, tha ai pas ndeshjes.

Lajme të ngjashme