Seedorf: Franca ka paksa më shumë cilësi sesa Argjentina, por ta kesh Messin në skuadër është gjithnjë përparësi
Legjenda holandeze e futbollit, Clarence Seedorf, në një intervistë dhënë për të përditshmen “La Gazzetta Dello Sport”, ka folur rreth finales mes Argjentinës dhe Francës.
Mungojnë vetëm dy ditë deri te finalja e madhe e Kupës së Botës. Për ish-mesfushorin e Milanit dhe Real Madridit, Clarence Seedorf, ndeshja do të jetë e ekuilibruar, anipse te Franca sheh cilësi më të madhe.
“Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar. Të dy skuadrat janë të mira në kundërsulme, por edhe kanë kapacitet që ta administrojnë lojën me siguri dhe posedim të topit. Janë të kompletuara. Kështu që, do të jetë ndeshje interesante. Mirëpo, Franca ka diçka më shumë (në cilësi)”, shtoi ai.
Sido që të jetë, ish-mesfushori holandez është i vetëdijshëm që Lionel Messi mund ta ndryshojë fatin e lojës nga momenti në moment, duke pasur parasysh tiparet e tij.
“Gjithsesi, Argjentina gjithmonë ka demonstruar një se sa i bashkuar është si ekip, duke zhvilluar futboll me intensitet dhe presion. Seleccion është gjithnjë vështirë të mposhtet dhe pastaj nëse e ke Messin në anën tënde, është gjithnjë përparësi”, tha ai .

Lëvdatat për Griezmann
Ndonëse Antoine Griezmann nuk është duke kaluar në një moment të mirë në Atletico Madrid, ai ka treguar një fytyrë tjetër në Kupën e Botës.
Dhe, shumë personalitete të botës së futbollit e kanë veçuar sulmuesin 31-vjeçar për atë çfarë ka dëshmuar në ndeshjet e fundit me fanellën e “Tre Kolorëve”.
Karvanit të lëvdatave për të iu bashkua edhe Seedorf: “Për Francën është Griezmann ai që bën një punë të madhe mes dy blloqeve të fushës dhe transmeton shumë kualitet.”

Griezmann në këtë Kupë të Botës akoma nuk ka shënuar gol, por ka ndihmuar kombëtaren e tij me tri (3) asiste deri tani.
Fjalë të mira për të ka shprehur edhe përzgjedhësi Deschamps, si dhe ekspertët tjerë të futbollit në Francë dhe jo vetëm.
Ndeshja finale mes Argjentinës dhe Francës luhet këtë të diel me fillim në ora 16:00. Te Franca ka akoma paqartësi rreth gjendjes fizike të disa prej lojtarëve.
Në këtë aspekt më mirë duket situata në kampin e Argjentinës. Di Maria ka arritur të rikuperohet në kohë për finalen e madhe dhe mungesa të tjera nuk është se janë raportuar.

