KATAR 2022| Pasi e mposhti Argjentinën, përzgjedhësi i Arabisë Saudite tregon se si duhet të ndalet Messi
Shtypi francez ka menduar që ta intervistojë përzgjedhësin e Arabisë Saudite, Herve Renard, pasi ishte i vetmi që i krijoi probleme Argjentinës në këtë Kupë të Botës. Ai ka rrëfyer edhe sekretin se si duhet ndalur Lionel Messi.
Ka mbi gjashtëmbëdhjetë (16) vjet që mbizotëron në futboll, por pyetjen e njëjtë vazhdojnë ta shtrojnë të gjithë kundërshtarët: “Si duhet ndalur Messi?”
Kjo është pyetja që po prevalvon edhe në shtypin francez. Një përgjigje rreth kësaj pyetje e ka përzgjedhësi Renard, i cili arriti t’ia shkaktonte Argjentinës humbjen e vetme në këtë edicion të Kupës së Botës, duke e mposhtur me përmbysje me rezultat 2:1 në ndeshjen e parë të fazës së grupeve.

Në një intervistë dhënë për “L’Equipe”, ai ka pranuar se në ndeshjen në fjalë koncentrimin kryesor e ka pasur te Lionel Messi, me idenë që nëse ndalet ai, neutralizohet i gjithë boshti i ekipit të Argjentinës.
Neutralizimi i De Paul jetik për ndaljen e Messit
Renard shpjegoi se si e kishte dizajnuar planin për neutralizimin e ndeshjes, duke treguar edhe pikat kryesore që i kishte analizuar.
“Mbi të gjitha, duhet t’i bëhet presion De Paulit që për mua është njëri prej futbollistëve më të mirë të Argjentinës dhe ai i cili mund ta vendosë Messin në situatën më të favorshme”, nënvizoi ai.

Ai rrëfeu se si në ndeshjen që kishte luajtur kundër “Seleccion” kishte mobilizuar tre lojtarë që të punonin në drejtim të ndalimit të avancimit të Lionel Messit me topin në pronësi dhe të mos e lejonin De Paulin që të shprehej në optimumin e vet në fushë.
“Mobilizova krahun e majtë të mbrojtjes dhe mesfushës, si dhe njërin nga mesfushorët që ta kryenin këtë detyrë. Dhe, ishte ai (De Paul) që u frustrua në pauzën mes dy pjesëve në zhveshtore, sepse shpesh gjente veten larg Messit”, shtoi ai.
Sekreti i ndaljes së Messit kur ai është në kontakt me topin
Njëri prej faktorëve kryesorë për ta ndalur Messin është që t’i vërsulesh porsa ta pranojë topin, duke mos i dhënë liri të mjaftueshme për të manovruar siç di të bëjë ai.
“Duhet të jesh menjëherë ngjitur me të porsa ai ta pranojë topin. Në atë moment duhet t’i vërsulesh. Pikërisht kur është 35-40 metra larg portës. Nuk duhet ta ketë lirinë e manovrimit. Pastaj, siç e dimë, Argjentina nuk është se e përdorë edhe aq shumë thellësinë”, deklaroi ai.
Përzgjedhësi i kombëtares arabe beson se Franca ka të gjitha parametrat e nevojshme për ta bërë një gjë të tillë, duke ditur cilësinë e lojtarëve në mesfushë.
“Me Adrien Rabiot dhe Aurelien Tchouameni, Franca ka të gjithë kualitetin për t’i bllokuar dy blloqet e fushës”, përfundoi ai.

Arabia Saudite përkundër përshtypjeve të mira që kishte lënë në fazën e grupeve, nuk arriti që ta sigurojë kualifikimin në fazën e eliminimit direktë.
Finalja e madhe mes Argjentinës dhe Francës zhvillohet nesër me fillim në ora 16:00. Te Franca ka ende disa paqartësi në lidhje me gjendjen fizike të disa lojtarëve, të cilët thuhet që vuajnë nga lëndime apo viruse.

Situatë më e qetë reflektohet te kampi argjentinas, aty ku edhe Di Maria ka arritur plotësisht të rikuperohet dhe të jetë në shërbim të përzgjedhësit Lionel Scaloni.
Sa i përket Lionel Messit, ky do të jetë 90 minutëshi i fundit për të në Kupën e Botës, me shpresë se do të mund t’ia dalë që të triumfojë në finale për ta fituar kështu edhe këtë trofe të shumëkërkuar, që njëherësh është edhe i vetmi që i mungon në vitrinën e tij të pasur të trofeve.

