KATAR 2022 | Mesfushori i Francës thotë se Mbappe do të dëshmojë në finale se është më i mirë se Messi
Ylli i Real Madridit, Aurelien Tchouameni, i cili po shkëlqen me Francën në këtë Botëror, në prag të finales ka thënë se bashkëkombësi i tij, Kylian Mbappe, do ta dëshmojë vetën se ai është lojtari më i mirë në botë dhe është mbi Lionel Messin, pikërisht ndaj kombëtares së Argjentinës më 18 dhjetor.
Mbappe do të përballet me shtatë herë fituesin e Topit të Artë, Messin, kur Franca të përballet me Argjentinën për të vendosur se kush do ta marrë trofeun në shtëpi dhe Tchouameni beson se bashkëlojtari i tij do të bëjë diferencën.

"Për mua, Kylian është më i miri... dhe ai do ta vërtetojë këtë të dielën," tha ai për TyC Sports, duke shtuar: "Ne të gjithë do të punojmë së bashku për ta arritur atë. Ne do të bëjmë një plan, rikuperohemi mirë dhe do të punojmë për ta fituar këtë lojë sepse Messi do të jetë aty, por ai ka edhe 10 lojtarë të tjerë në krah”.

Franca shkon në ndeshjen e së dielës duke kërkuar të mbrojë kurorën e saj si kampione bote, pasi ka fituar titullin në Botërorin 2018 në Rusi. Ndërkohë, Argjentina shpreson t'i japë Messit një largim të dinjitetshëm duke siguruar trofeun në atë që me shumë gjasë do të jetë ndeshja e tij e fundit për ekipin kombëtar.

Djemtë e Didier Deschamps do të kalojnë nëpër përgatitje intensive në mënyrë që të jenë sërish kampion bote.

