Lojtarët që e kanë mbizotëruar Kupën e Botës, kush do t’iu bashkohet atyre, Messi apo Mbappe? - NACIONALE

Lojtarët që e kanë mbizotëruar Kupën e Botës, kush do t’iu bashkohet atyre, Messi apo Mbappe?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Argjentina do të përballet me Francën në finalen e Kupës së Botës të dielën, të frymëzuara nga Lionel Messi dhe Kylian Mbappe përkatësisht gjatë këtij muaji në Katar.

Prandaj, a do të mbahet në vend kjo si “Kupa e Botës e Messit”, dhe Argjentina ta fitojë më në fund trofeun e vetëm që i mungon atij, apo Mbappe do ta udhëheqë Francën drejt triumfit të dytë radhazi, pas atij para katër viteve në Rusi?

Më mposhtë mund të lexoni se si gjashtë lojtarë të tjerë ishin vendimtar në suksesin e vendeve të tyre në Botërorët e kaluar.

Pele, Brazil – 1958

Pele ishte vetëm 17 vjeç kur Brazili shkoi në Kupën e Botës 1958 në Suedi, duke kërkuar ta fitojë atë për herë të parë. I lënë jashtë ekipit të vendit të vet në dy ndeshjet e para, sulmuesi mahniti në një triumf 2:0 kundër Bashkimit Sovjetik dhe e shënoi golin e vetëm në një fitore 1:0 kundër Uellsit në çerekfinale.

Nga ai çast e tutje, Pele ishte i pandalshëm. Ai shënoi het-trik në një fitore 5:2 në gjysmëfinale kundër Francës dhe dy gola të tjerë në triumfin 5:1 kundër Suedisë në finale.

Ai doli të ishte titulli i parë Botëror nga tre sa i fitoi Pele në karrierë, megjithëse më 1962 ai luajti vetëm në dy ndeshjet e para, para se të mungonte shkaku i lëndimit. Në Botërorin 1970, megjithatë, ai ishte në formën më të mirë, duke i shënuar katër gola, përfshirë golin e parë të Brazilit në triumfin madhështor 4:1 kundër Italisë në finale.

Mario Kempes, Argjentina – 1978

Argjentina e ka fituar Kupën e Botës dy herë dhe, në të dy rastet, një lojtar ka luajtur rol të madh në triumfin e tyre. Në vitin 1978, në shtëpinë e vet, ishte Mario Kempes.

Sulmuesi i Valencias ishte futur në turne si golashënuesi më i mirë në dy sezonet e fundit në La Liga dhe ishte lojtari i vetëm në skuadrën e Argjentinës që nuk luante futboll në ligën vendore.

Kembes dështoi të shënoi në fazën e parë grupore, por në fazën e dytë ai shkëlqeu duke i shënuar të dy golat e fitores 2:0 kundër Polonisë, dhe golin e parë dhe të tretë në fitoren 6:0 kundër Perusë.

Kjo e çoi Argjentinën në finale dhe Kempes i shënoi edhe dy gola të tjerë, në një fitore 3:1 kundër Holandës në Buenos Aires. Ai jo vetëm që i ndihmoi vendit të vet ta fitojë Botërorin për herë të parë, por u shpallë edhe golashënuesi dhe lojtari më i mirë i turneut.

Paolo Rossi, Itali – 1982

Para Kupës së Botës 1982 në Spanjë, sulmuesi i Italisë Paolo Rossi sapo ishte kthyer në fushë pas një pezullimi dyvjeçar për pjesëmarrje në kurdisjen e ndeshjeve në një skandal që kishte goditur kampionatin italian Serie A, ndërsa trajneri i kombëtares Enzo Bearzot ishte kritikuar nga mediat italiane pse e kishe marrë Rossin në Botëror.

Por pas një fillimi të dobët, Rossi shkëlqeu kundër Brazilit duke e shënuar një het-trik të mrekullueshëm në një ndeshje që Italia duhej patjetër ta fitonte për të shkuar në gjysmëfinale. Ai pastaj i shënoi të dy golat në triumfin 2:0 kundër Polonisë në gjysmëfinale, si dhe e shënoi golin e parë të Italisë në fitoren 3:1 kundër Gjermanisë në finale.

Me gjashtë gola, Rossi e fitoi Këpucën e Artë si golashënuesi më i mirë dhe Topin e Artë si lojtari më i mirë i turneut.

Diego Maradona, Argjentina – 1986

Kapiteni Diego Maradona ishte shembullor në vitin 1986, pasi i ndihmoi Argjentinës ta fitojë Kupën e Botës për herë të dytë në Meksikë. Golin e parë ai e shënoi në një barazim 1:1 me Italinë, që i ndihmoi asaj ta fitojë grupin.

Në çerekfinale, ai i shënoi dy gola për ta rrëzuar Anglinë 2:1. I pari ishte goli famëkeq “Dora e Zotit” – kur e futi topin me dorë në rrjetë – por goli i dytë cilësohet si goli më i mirë në historinë e Kupës së Botës, pasi ai e mori topin në pjesën e fushës së vet dhe vrapoi me të në këmbë nëpër mbrojtjen e Anglisë dhe e dribloi edhe portierin Peter Shilton për të shënuar.

Ai i shënoi dy gola të tjerë mahnitës në fitoren 2:0 kundër Belgjikës në gjysmëfinale dhe ishte vendimtar në triumfin 3:2 kundër Gjermanisë Perëndimore në finale.

Me pesë gola dhe pesë asiste, Maradona ia hodhi si fitues i Këpucës së Artë dhe si lojtari më i mirë i turneut.

Zinedine Zidane, France – 1998

Mesfushori plot aftësi Zinedine Zidane ishte djaloshi në afishen e Francës në Kupën e Botës 1998, të cilën e organizuan ata.

Ai e nisi shumë mirë turneun duke asistuar në golin e parë të Francës në atë Botëror, të shënuar nga Christophe Dugarry në një fitore 3:0 kundër Afrikës Jugore.

Zidane ishte pastaj vendimtar kur Franca udhëhoqi kundër Arabisë Saudite, por pastaj u përjashtua me karton të kuq në fitoren 4:0 dhe mungoi në ndeshjen e tretë grupore kundër Danimarkës, si dhe në fitoren e vështirë 1:0 në vazhdime kundër Paraguait në një të tetën e finales.

Por ai u rikthye në stil, duke shënuar në penallti kundër Italisë në çerekfinale dhe duke i ndihmuar Francës ta mundë 2:1 Kroacinë në gjysmëfinale.

Në finale, Zidane i shënoi dy gola me kokë në fitoren 3:0 kundër Brazilit, dhe paraqitja aty ia siguroi një vend në ekipin më të mirë të turneut. Dy vite më vonë, ai u shpall lojtari më i mirë në Euro 2000, të cilën e fitoi Franca po ashtu.

Ronaldo, Brazil – 2002

Finalja e vitit 1998 pritej të ishte momenti më madhështor për sulmuesin e Brazilit, Ronaldo. Megjithatë, atij i kishte rënë të fikët para ndeshjes dhe fillimisht nuk ishte në formacionin startues, por luajti titullar në fund dhe dështoi ta shtrinte ndikimin në disfatën 3:0 kundër Francës.

Një lëndim serioz në gju në vitin 1999 ishte kërcënim serioz për karrierën e tij, por ajo që ndodhi pastaj ishte njëri prej rikthimeve më madhështore në futboll. Në Botërorin 2002 në Korenë Jugore dhe Japoni, Ronaldo ishte i jashtëzakonshëm, pasi e la mbrapa ankthin e viteve të kaluara, duke i shënuar tetë gola në shtatë ndeshje.

Ai i shënoi katër gola në tri ndeshje në grup. Pastaj e shënoi një gol në fitoren 2:0 kundër Belgjikës në një të tetën e finales. E realizoi golin e vetëm në fitoren 1:0 kundër Turqisë në gjysmëfinale, si dhe të dy golat në triumfin 2:0 kundër Gjermanisë në finale.

Ronaldo e mbaroi turneun si golashënuesi më i mirë dhe që prej atëherë asnjë lojtar nuk i ka shënuar tetë gola në një Botëror, megjithëse Messi dhe Mbappe janë ende në garë për ta thyer këtë rekord.

Lajme të ngjashme