Aktakuza ndaj Shehollit si spiun i BIA-s famëkeqe, “mori materiale në veri të Mitrovicës dhe 5 mijë euro...” - NACIONALE

Aktakuza ndaj Shehollit si spiun i BIA-s famëkeqe, “mori materiale në veri të Mitrovicës dhe 5 mijë euro...”

1 orë më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, duke e ngarkuar me veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Sipas aktakuzës që ka parë gazeta Nacionale, Sheholli dyshohet se deri më 9 tetor 2025 veproi si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, BIA.

Prokuroria pretendon se ai mblodhi dhe përcolli te zyrtari i BIA-s, Bojan Dimiç, informacione për aktivitetet politike, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se Sheholli zbatoi plan operacional të përgatitur nga zyrtari serb, me synim “dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës”.

Sipas Prokurorisë, plani synonte edhe “ndërhyrjen direkte në procesin zgjedhor” të 12 tetorit 2025, vetëm pak ditë para votimit.

Më 26 shtator, sipas aktakuzës, Sheholli udhëtoi në Mitrovicën e Veriut, ku pranoi materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të lartë.

Materialet, sipas Prokurorisë, ishin destinuar për komprometimin e zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe u shoqëruan me 5 mijë euro, të cilat sipas aktakuzës i kishte pranuar Sheholli nga zyrtari i BIA-s.

Aktakuza thotë se Sheholli më pas ia dorëzoi materialet gazetarit Milaim Zeka, bashkë me 1 mijë euro dhe udhëzime për publikimin e tyre.

Publikimi ishte planifikuar në emisionin e Zekës, disa ditë para zgjedhjeve lokale, sipas pretendimit të Prokurorisë.

“Me këto veprime konkrete”, thuhet në aktakuzë, Sheholli “ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor”.

“Betimi për Drejtësi” publikoi edhe reagimin e Zekës.

Ai tha se për pretendimet për pagesën po dëgjonte për herë të parë.

“Paratë prej 1 mijë euro janë dhënë për përkthim të materialeve”, deklaroi Zeka.

Ai shtoi se Sheholli i kishte thënë se materialet ishin “të Gizzit gjerman”.

Në aktakuzë, Prokuroria propozon që Nenad Rashiq të thirret si i dëmtuar dhe dëshmitar, ndërsa Zeka të dëshmojë si dëshmitar.

Sipas “Betimit për Drejtësi”, Prokuroria ka përfshirë në aktakuzë edhe materiale mbi veprimtarinë publike të Shehollit dhe lidhjet e tij politike.

Në një intervistë të vitit 1999 për “Los Angeles Times”, sipas aktakuzës, Sheholli kishte deklaruar se

“forcat serbe nuk po kryenin gjenocid në Kosovë, por vetëm krime individuale”.

Krahas spiunazhit, Sheholli akuzohet edhe për shantazh ndaj një biznesmeni nga Podujeva, të cilit dyshohet se i kërkoi mbi 13 mijë euro.

Sipas aktakuzës, kërcënimi lidhej me publikimin e videove dhe informacioneve që mund t’i dëmtonin rëndë reputacionin e biznesmenit.

Madje, gjatë paraburgimit, sipas Prokurorisë, përmes një familjari iu kërkuan viktimës 700 euro në muaj.

Në një rast, viktima, përmes një punëtori, i dorëzoi familjarit të Shehollit 500 euro, thuhet në aktakuzë.

Sheholli ndodhet në paraburgim, ndërsa çështja pritet të procedohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lajme të ngjashme