Dardani i javës: Celina ka rifilluar të shndritë, konkret dhe elegant në lojë
Për Bersant Celinën java që lëmë pas ishte shumë e mirë. Ai ishte ndër më të dalluarit në fushë për Kosovën kundër Qipros. Në elementin e njëjtë u paraqit edhe në fundjavë ndaj Gaziantepit, ku shënoi edhe golin përcaktues që solli fitoren për Kasimpasan.
Shkathtësitë teknike të diamantit kosovar, Bersant Celina, nuk janë vurë asnjëherë në mëdyshje. Disa lëkundje të formës si rrjedhojë e ndonjë përgatitje fizike me të meta, kanë bërë që ndonjëherë të ishte jo në lartësinë çfarë di të jetë.
Nga ajo që po shohim në këtë fillim sezoni, fantazisti 26-vjeçar e ka rikthyer vetëbesimin, qartësinë dhe shkëlqimin në lojë.
Ndeshja kundër Gaziantepit të shtunën ishte një dëshmi në favor të kësaj teze. Ai vinte nga dy ndeshje ku ishte protagonist në fushë për ekipin kombëtar "dardan", por në ekuilibrin e njëjtë u shfaq edhe në kampionatin turk dy ditë më parë. Në këtë takim titullar luajti edhe bashkëkombësi i tij dhe njëherësh bashkëlojtari te Kosova, Florent Hadërgjonaj.
Shtatë ditë, tri ndeshje – ku në secilën përmirësoi vetveten, rriti formën dhe shkallën e paraqitjes. Dëshmi me bollëk për ta legjitimuar të qenët lojtari më i spikatur i javës nga “dardanët”, që ishin të angazhuar me klubet përkatëse.

Ai më në fund u zhbllokua edhe sa i përket shënimit të golit në këtë sezon. Në minutën e 57-të, nga një penallti në lëvizje, Celina shpiu topin brenda kuadratit të portës.
Ky gol ishte i pari i tij në kampionat, që për më tepër siguroi fitoren e dytë rresht për Kasimpasan. Tani ekipi nga Stambolli zë vendin e 9-të me 12 pikë, ku distanca me kreun nuk është shumë e madhe, prej vetëm pesë pikëve.

Në ndeshjet e fundit trajneri turk, Can, ka vendosur ta inkuadrojë Bersant Celinën në pozitën e sulmuesit të krahut të majtë, në skemën 4-1-4-1.
Futbollisti kosovar në të kaluarën ka luajtur më shumë si mesfushor ofensiv mbrapa sulmuesit kryesor, por edhe kjo pozitë nuk përbën ndonjë risi të madhe, ngase në përvojat e tij te skuadrat si Manchester City, Twente apo Swansea, heraherës kishte mbuluar të njëjtën pjesë të fushës.
Pasimet maestrale të Bersant Celinës
Kur jemi te ndeshja kundër Gaziantep, Celina tregoi edhe një herë aftësitë e tij për të qenë urë lidhëse në gjetjen e korridoreve të lira në 30 metrat e fundit.
Sërish vuri në spikamë tërë vizionin e tij për të qenë konkret në pasime, me qëllimin e vetëm që të krijonte situata të përshtatshme për bashkëlojtarët në sulm, për ta rrezikuar portën kundërshtare.
Kësisoj, ai bëri vetëm dy pasime mbrapa gjatë tërë 88 minutave sa ishte në lojë. Për hir të vërtetës, edhe ato u bënë në momentin kur ra ritmi i lojës, në fund të ndeshjes, e që objektivi kyç ishte administrimi i rezultatit përmes ngadalësimit të volumit të aksioneve, duke shfrytëzuar edhe vonesat.
Nga 30 pasime, 16 shkuan në destinim të sulmit, ndërsa gjashtë të tjera ishin horizontale. Siç mund të shihet edhe nga këto fotografi të ilustruara, kështu u koncentruan pasimet e futbollistit kosovar. Pikërisht qendërsulmuesi Bahoken ishte ai të cilit më së shumti i shërbeu topa.
Edhe në pasimet e gjata, që ishin tre sosh, u tregua i saktë, ku të gjitha këto u bënë për ta hapur dhe dinamizuar lojën, nga njëri kënd në tjetrin.
Sado që goli ishte faktori më me peshë, prapë u vu re arma e tij më e fortë: pasimet maestrale.

Përtej kontakteve me topin, ku nuk ishte më i pranishmi në lojë nga skuadra, në të vetmen goditje drejt kuadratit që pati, shënoi gol – duke treguar efikasitet solid.
Kujtojmë se Bersant Celina ka kaluar te Kasimpasa gjatë afatit kalimtar veror, me formulën e huazimit një-vjeçar.
Pas këtij sezoni mbetet të shihet se çfarë trajektore do të marrë karriera e tij.

