Barcelona me fitim prej 98 milionëve në sezonin e fundit, pret rritje prej 271 milionëve këtë sezon - NACIONALE

Barcelona me fitim prej 98 milionëve në sezonin e fundit, pret rritje prej 271 milionëve këtë sezon

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Barcelona ka njoftuar se sezonin 2021/22 e mbylli me 98 milionë eurove fitim dhe parashikon se fitimet do t’i rrisë në 271 milionë euro në këtë sezon.

Klubi katalonas thotë se të hyrat e përgjithshme vitin e kaluar ishin 1.017 miliard euro, të cilat ia mundësuan ta mbyllë sezonin me fitim për herë të parë që prej pandemisë.

Barça thotë se pret që të hyrat të rriten në 1.255 milionë euro këtë sezon, kryesisht falë shitjes së aseteve të klubit gjatë kësaj vere.

Të hyrat e vitit të kaluar u rritën po ashtu falë shitjes së 10 për qind të të drejtave televizive të ekipit për ndeshjet në ligë, te firma për investime globale Sixth Street në fund të qershorit.

Marrëveshja ishte në vlerë prej 200 milionë eurove dhe u arrit para 30 qershorit, e cila ishte afati i fundit për mbylljen e vitit financiar.

Barça i siti edhe 15 për qind të drejtave të veta televizive në La Liga te kompania Sixth Street në korrik për 300 milionë euro dhe pastaj 24.5 për qind të aksioneve te Barça Studios për 200 milionë euro, të cilat u fakturuan në të hyrat e sezonit 2022/23.

Ky është një ndryshim i jashtëzakonshëm nga sezoni 2020/21, kur Barça regjistroi mbi 400 milionë humbje dhe nuk ishte në gjendje ta regjistronte Lionel Messin me kontratë të re, për shkak të kufizimeve në shpenzime të La Ligës, duke e detyruar argjentinasin të largohet dhe t’i bashkohet Paris Saint-Germainit.

Falë shitjeve të aseteve dhe përfitimeve të parashikuara, limiti i shpenzimeve të Barçës u rrit në 650 milionë euro, siç konfirmoi La Liga këtë muaj.

Kjo bëri që Barcelona t’i shpenzojë mbi 150 milionë euro për t’i blerë yjet si Robert Lewandowski, Raphinha dhe Jules Kounde, derisa Franck Kessie, Andreas Christensen, Marcos Alonso dhe Hector Bellerin iu bashkuan klubit si lojtarë të lirë, po ashtu.

Lajme të ngjashme