Babai i Vesel Demakut për Nacionalen: Lojtari dëshiron të luajë për Kosovën, problem mbetet dyshtetësia - NACIONALE

Babai i Vesel Demakut për Nacionalen: Lojtari dëshiron të luajë për Kosovën, problem mbetet dyshtetësia

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Vesel Demaku dëshirohet me çdo kusht nga Kosova, por një ngërç juridik del se po zvarrit këtë procedurë, duke rrezikuar që gjithçka të dështojë. Për Gazetën Nacionale babai i tij ka shpjeguar të gjitha detajet.

Për mesfushorin shkatërrues 22-vjeç me prejardhje nga Kosova, Vesel Demaku, ka filluar gjuetia tani e shumë kohë nga zyrtarët e FFK-së, për ta sjellë atë në gatishmëri të “dardanëve”. Deri te kjo nevojë vjen edhe si pasojë e ngecjes që po shfaq Kosova në repartin e mesfushës tani e katër vjet, ku asgjë nuk lëviz e gjithçka është në vendnumërim.

Pa marrë parasysh faktin që Kosova shpreh admirim për të dhe është e interesuar për shërbimet e tij, për fat të keq janë shfaqur pengesa rrugës, sa për të ndërlikuar gjithçka.

Megjithatë, kjo nuk e zbeh aspak dëshirën e madhe të lojtarit për t’iu bashkuar Kosovës, siç ka treguar babai i tij, Blerim Demaku, në një prononcim dhënë për Gazetën Nacionale.

Si qëndron e vërteta e plotë rreth përpjekjeve që Vesel Demaku të luajë për Kosovën?

Vesel Demaku ishte vazhdimisht pjesë e grupmoshave të reja te Kombëtarja e Austrisë. Fatkeqësisht për të, lëndimet filluan që t’i bëjnë probleme të mëdha, duke e lënë atë jashtë fushave të blerta për shumë kohë, sa për t’ia komprometuar disi edhe formën.

Në çdo rrethanë ai mbetet objektiv i qartë i Kosovës. Siç tregoi edhe babai i tij në proncimin dhënë për Gazetën Nacionale, ai pa hezitim shfaq dëshirë t’u bashkohet “dardanëve”, por ligji rreth dyshtetësisë në Austri paraqet një bllokadë të theksuear në tërë këtë proces.

“Fatkeqësisht gjasat janë shumë të vogla që t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës. Arsyeja është sepse Austria nuk pranon dyshtetësinë, por ne jemi duke punuar me avokatë nëse ka disi ndonjë mundësi që t’i ketë dy nënshtetësitë. Përndryshe, djali ka qenë i gatshëm t’i bashkohej Kombëtares. Me dëshirën më të madhe do t’i bashkohej asaj”
, shpjegoi Blerim Demaku.

Vullnetin e të birit të vet për t’iu bashkuar Kosovës babai i tij nuk e sheh vetëm nga prizma patriotike, por edhe ndryshe.

“Zgjedhja që t’i bashkohet Kosovës është si pragmatike, ashtu edhe patriotike. Veseli me krenari mban emrin e babagjyshit të tij (Vesel Demakut), i cili është hero i Kosovës. Në fund, publikisht e falënderoj FFK-në dhe posaçërisht z.Bajram Shala për përpjekjet që Veseli t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës. Sido që të jetë, ne dhe e tërë familja Demaku i urojmë shumë suksese Kombëtares së Kosovës” nënvizoi ai.

Pritshmëritë rreth të ardhmes së Vesel Demakut

Blerim Demaku si babai i Veselit ka thënë se është mjaft i kënaqur me hapat që ka bërë në karrierë deri më tani. Transferimin te Sturm Graz që bëri gjatë këtij viti, pasi i skadoi kontrata me Austria Viennan, vlerësohet si progres.

“Djali tani ka nënshkruar kontratë katër-vjeçare te Sturm Graz, që është një ekip shumë cilësor. Në Austri vetëm RB Salzburg është klub i një niveli më të mirë. Përndryshe, këtu luajnë edhe në Ligën e Evropës, ku në grup gjenden me skuadra si Lazio apo Feyenoord. Kështu që, për të do të jetë një përvojë shumë e mirë. Tjerat detaje t’ia lëmë kohës”, potencoi ai.

Lutjet dhe shpresat më të mëdha rreth zhvillimit të mëtejm për mesfushorin 22-vjeçar kanë të bëjnë me mos pësimin e lëndimeve shtesë, ngase në rrethana tjera Blerimi si prind mendon se djali i tij ka të gjithë potencialin e nevojshëm për të bërë kalitje akoma më të madhe në futboll.

“Së pari në si prindër jemi shumë krenarë me të arriturat e djalit tonë. Ka shumë kapacitet. Jo që e them unë si prind, sepse duhet të jem modest, por e thonë edhe shumë ekspertë të futbollit. Nëse do Zoti e nuk do të ketë lëndime, besoj që do të ketë karrierë të mirë, sepse është shumë i disiplinuar”, përfundoi ai.

Sqarim: Çfarë thotë juridiksioni austriak rreth dyshtetësisë?

Shteti austriak është në mesin e shteteve evropiane që shmangin mundësinë e dyshtetësisë apo të bipatriditetit siç njihet në gjuhën juridike. Kësisoj, kur një shtetas merr shtetësi të dytë, automatikisht humb shtetësinë e parë, pra atë austriake - nëse më parë nuk kërkohet dhe jepet leje me shkrim.

Mirëpo siç dihet në botën normative ka përjashtime nga rregullat dhe një gjë e tillë, pra mundësia e të qenit bipatrid në Austri, është e lejueshme në disa raste:

  1. për personat e persekutuar dhe pasardhësit e tyre, të cilët edhe përmes një deklarate me shkrim kanë mundësi të bëhen shtetas të Austrisë pa hequr dorë nga shtetësia tjetër;
  2. Për personat që lindin si bipatridë

Përveç kësaj, neni 28 i Ligjit austriak për Shtetësinë ofron përjashtim kur mbajtja e shtetësisë është në interes të Republikës austriake ose për arsye personale që ia vlen të merren parasysh (megjithëse ligji nuk liston shembuj apo arsye konkrete).




Lajme të ngjashme