Arijanet Muric i gatshëm për sfidën vendimtare të Kosovës - NACIONALE

Arijanet Muric i gatshëm për sfidën vendimtare të Kosovës

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Gazeta Nacionale merr vesh se Arijanet Muric do të jetë i gatshëm për ndeshjen kruciale të ditës së nesërme ndaj Qipros.

Portieri kosovar, Arijanet Muric, gjatë ndeshjes kundër Irlandës Veriore ka ndier një shqetësim të lehtë, por ia ka arritur të rikuperohet në kohë. Ai sot pritet që të stërvisë pa ndonjë pengesë shtesë.

Nga burimet e veta, Gazeta Nacionale ka mësuar se Muric nuk do të jetë në mëdyshje për ndeshjen kundër Qipros. Kështu, ai pritet të jetë nga minuta e parë në portë.

Kombëtarja e Kosovës ka në agjendë në orën 17:30 stërvitjen e saj të fundit para se të zbresë nesër në “Fadil Vokrri” për ta luajtur ndeshjen që mbyll fushatën kualifikuese në Ligën e Kombeve, e cila është jetike për “dardanët", sepse luhet gjithçka për të mos rënë në Ligën D.

Gjatë ditës pritet të bëhen vlerësimet e hollësishme rreth gjendjes fizike të lojtarëve tjerë. Vëmendja kryesore është te kapiteni, Amir Rrahmani, për të cilin ka shumë optimizëm që do t’ia dalë të jetë në dispozicion të ekipit ndaj qipriotëve.

Andaj, në rastin e Rrahmanit detajet pritet të vinë pas pak orësh dhe në Gazetën Nacionale do të raportojmë për më të rejat edhe sa i përket këtij zhvillimi.

Përgatitjet e Kosovës për ndeshjen kundër Qipros

Një tjetër lojtar që pritet t’i rikthehet Kosovës në gatishmëri është qendërmbrojtësi i Zurich, Mirlind Kryeziu. Ai për shkak të pezullimit me kartonë mungoi në sfidën paraprake ndaj Irlandës Veriore.

Kosova tani do të jetë më e kompletuar, për ta bërë të pamundurën që ta shmangë më të keqen, që në këtë rast nënkupton një humbje potenciale ndaj Qipros, e cila do të ishte një lojë me zjarrin, pasi Irlanda Veriore me një barazim kundër Greqisë në ndeshjen tjetër do ta siguronte mbijetesën në grup. Pra, në atë skenar Kosova do të zbriste në pozitën e fundit tabelore e bashkë me të edhe në Ligën D.

Misioni i Kosovës për sfidën e nesërme është pikërisht ky. Për këtë arsye, vetëm fitorja është opsion. Fitorja e Qipros kundër Greqisë ia ndërlikoi gjërat “dardanëve”, duke ia legjitimuar prononcimin në fund të ndeshjes Vedat Muriqit, i cili tha: "do të shkojmë për jetë a vdekje kundër Qipros."

Siç evoluan gjërat, ashtu po del edhe të jetë. Kosova do të hyjë me të gjitha forcat që ta ruajë pozitën e dytë tabelore dhe statusin e kombëtares në Ligën C.

Fakti që Arijanet Muric do të jetë gati për të qenë titullar në portë, marrë parasysh edhe formën e mirë me Burnleyn që po kalon, është lajmi më i mirëseardhur i mundshëm për përzgjedhësin Alain Giresse.

Lajme të ngjashme