Argjentina publikon listën për Botëror, Dybala ia del të jetë në mesin e 26 lojtarëve
Paulo Dybala ia ka dalë të jetë pjesë e listës përfundimtare të Argjentinës për Kupën e Botës 2022 në Katar, edhe pse nuk ka luajtur tash e tetë ndeshje për Romën për shkak të një lëndimi. Pjesa e tjetër e listës nuk përbën ndonjë befasi, me Messin që synon të kthehet me trofeun e vetëm që i mungon.
Lionel Scaloni ka publikuar listën me 26 futbollistët që do të udhëtojnë me Kombëtaren e Argjentinës dhe ai është kujdesur që të marrë me vete lojtarët më të mirë që ka në radhët e tij.
Në listë është edhe sulmuesi i Interit, Joaquin Correa, i cili nuk ka pasur minuta të mjaftueshme në Serie A, si shkak i konkurrencës por edhe disa lëndimeve të pësuara.
#Qatar2022 El sueño ya comenzó 💪
— Selección Argentina 🇦🇷 (@Argentina) November 11, 2022
Ésta es la lista de futbolistas que defenderán la camiseta de la Selección Argentina 🇦🇷#TodosJuntos pic.twitter.com/jwJ3hbzvf0
Argjentina llogaritet si njëra ndër favoritet kryesore për të ngadhënjyer në Kupën e Botës, marrë parasysh edhe formën e mirë që ka kaluar në këtë vit kalendarik.
Të udhëhequr nga Messi
Lionel Messi do të jetë lideri i ekipit kombëtar argjentinas në këtë Botëror. Shtatë herë fituesi i Topit të Artë do ta luajë Botërorin e fundit, në përpjekje për ta ngritur lart këtë trofe, i cili është i vetmi që i mungon në vitrinën e tij të pasur.
Po ashtu, Messi ka spikatur me formë shumë të mirë në ndeshjet e fundit me bluzën e kombëtares së tij. Të gjitha parametrat shpijnë drejt një Botërori ku ai, së bashku me bashkëlojtarët, do të jenë protagonistë në ngjarjen më të madhe në nivel futbolli.
Ylli argjentinas, në cilësinë e kapitenit, do të përpiqet që të jetë lokomotiva kryesore e ekipit, duke i shtyrë edhe lojtarët e rinj që të përformojnë në lartësinë e duhur.
Duhet thënë që në këtë listë figuron edhe emri i Paulo Dybalas. Ylli i Romës sado që ka disa javë që po vuan nga një lëndim në kofshën e majtë, ia ka dalë që ta pranojë ftesën e kombëtares së tij.
Po aq fatlum në këtë aspekt ka qenë edhe Juan Foyth, pasi kishte plot 70 ditë që qëndroi në infermeri duke u shëruar nga një lëndim relativisht i rëndë.
Në dyshim ishte edhe Execquiel Palacios i Bayer Leverkusenit, por ka arritur të ngadhënjejë në një konkurrencë të fortë çfarë është te Argjentina.
Përzgjedhësi Scaloni që nga viti 2018 është në pozitën në fjalë. Më herët kishte qenë zëvendës-përzgjedhës, respektivisht në periudhën 2017-2018.

Gjatë harkut të fundit kohor Argjentina ka fituar besimin e plotë të të gjithë tifozëve të saj, falë paraqitjeve inkurajuese që ka dëshmuar, si në ndeshjet kualifikuese, ashtu edhe në ato miqësore.
Argjentina do të jetë në Grupin C në Botëror. Ndeshjen hapëse do ta luajë më 22 nëntor ndaj Arabisë Saudite. Kujtojmë se në Grupin C janë edhe Meksika dhe Polonia.
Ndërkohë para se të fillojë Botërori Argjentina do ta luajë ndeshjen e fundit testuese kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, respektivisht më 16 nëntor (të mërkurën e javës së ardhshme).

