Zbulohet fjalimi rrëqethës i Lionel Messit para finales së Kupës së Amerikës
Një fjalim rrëqethës i Lionel Messit para finales së Kupës së Amerikës vitin e kaluar, të cilën Argjentina e fitoi kundër Brazilit, është zbuluar në një dokumentar të ri për turneun e Amerikës Jugore.
Messi e udhëhoqi si kapiten Argjentinën drejt fitimit të trofeut – i cili ishte i pari i tij me Kombëtaren pas shumë finaleve të humbura – me një fitore prej 1:0 kundër Brazilit në finalen e stadiumit të famshëm Maracana.
Netflixi do ta publikojë dokumentarin për fushatën e Argjentinës në këtë turne me titullin “Bëhu i përjetshëm: Kampionët e Amerikës Jugore”, dhe një trajler i këtij dokumentari tregon se si Messi i frymëzoi bashkëlojtarët e tij para finales.

“Dyzet e pesë ditë pa i parë familjet tona, 45 ditë, djem. Ne kishim një synim dhe tani jemi vetëm një hap të vogël larg arritjes së tij”, dëgjohet Messi duke thënë në zhveshtore para ndeshjes finale.
“Nuk ekziston rastësia, dje. E dini çfarë? Për këtë turne duhej të luhej në Argjentinë dhe zoti e solli atë këtu – zoti e solli atë këtu në mënyrë që ne të mundë ta ngrinim lart në Maracana, djem, në mënyrë që të ishte më mirë për të gjithë”.
“Prandaj, hajde të dalim në fushë me vetëbesim dhe qetësi, sepse këtë trofe do ta çojmë në shtëpi”, vazhdoi Messi.
Full speech by Lionel Messi before the final against Brazil 🥹
— All About Argentina 🛎🇦🇷 (@AlbicelesteTalk) November 2, 2022
“We are 45 days without our families, 45 days, boys, Dibu became father… father. I want to thank you for every day we spent together, it’s a pleasure for me to be with you….”
pic.twitter.com/y5d3Pozl4N
Kupa e Amerikës vitin e kaluar duhej të zhvillohej në Argjentinë dhe Kolumbi në vitin 2020, por u shty për një vit më vonë dhe u zhvendos në Brazil për shkak të pandemisë së Covid-19 dhe trazirave sociale në Kolumbi.
Messi kishte mbetur zemërthyer me Argjentinën në disa raste, duke i humbur tri finale radhazi në turne të mëdhenj në vitet 2014, 2015 dhe 2016.
Goli i triumfit i shënuar nga Angel Di Maria kundër Brazilit i dha fund asaj serie humbjesh dhe bëri që Argjentina ta fitojë trofeun e parë të madh pas 28 viteve.
“Tani mendja ime është në paqe pasi e përmbusha ëndrrën që më ishte mohuar kaq shumë herë”, kishte thënë Messi për ESPN vitin e kaluar.
Messi do të shpresojë ta udhëheqë Argjentinën drejt titullit të parë në Kupën e Botës që prej vitit 1986 në Botërorin e këtij muaji në Katar.

