Lionel Messi po e arrin kulmin e formës në kohë për PSG-në dhe Kupën e Botës
Sezoni i parë i Lionel Messit në Ligue 1 do të ishte cilësuar si sukses për shumë lojtarë. Ai i shënoi 11 gola dhe i dhuroi 15 asiste në 34 ndeshje për PSG-në, duke kontribuuar drejtpërdrejt me nga një gol çdo 110 minuta sa i kalonte në fushë. Megjithatë, duke i marrë parasysh statistikat e tij në të kaluarën – ai nuk kishte rënë nën një gol apo asist për ndeshje që prej sezonit 2006/07 – u duk sikur argjentinasi ishte tashmë larg zenitit të formës së tij.
Doli se njerëzit u ngutën shumë për ta gozhduar atë si lojtar të mbaruar.
Forma e Messit sezonin e kaluar u ndikua nga lëndimet, Covid-19 dhe përshtatja me rrethanat e reja të jetesës. Sezoni i tij u përshkrua nga paraqitjet e tij më të dobëta, në vend se nga ato më të mirat. Penalltia e humbur dhe paraqitja e dobët kundër Real Madridit në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve mori vëmendjen kryesore. Ai pati vështirësi për t’u përshtatur në Ligue 1, po ashtu, një ligë fizike e pragmatike e mbushur me ekipe të cilat janë të stërvitura shumë mirë për t’u përqendruar në mbrojtje plotësisht.

Me kalimin e sezonit, ndikimi i tij u rrit pasi ai e ndryshoi stilin e lojës për t’u përshtatur me rrethanat. Sidoqoftë, pasi e fitoi Topin e Artë vjet, Messi nuk u përfshi fare në listën prej 30 futbollistëve për këtë çmim sivjet. Ai kishte arritur në top pesëshe çdo vit prej 2006-s. Kjo ndodhi edhe pse ai kishte një përqindje më të mirë të golave dhe asisteve për çdo 90 minuta se sa Harry Kane, Cristiano Ronaldo, Phil Foden, Bernardo Silva, Sebastien Haller, Luis Diaz dhe Rafael Leao, të cilët luajnë në pozita të njëjta dhe prapëseprapë u futën në atë listë. Kritikat ndaj vendimit për t’ia dhënë Messit Topin e shtatë të Artë, disi të xhymert, mund të ketë ndikuar në këtë.
Duke i mbështetur Kylian Mbappen dhe Neymarin, Messi u bë më shumë një plajmejker më i tërhequr në PSG dhe prapëseprapë ishte lider i ligës për asiste për 90 minuta dhe për pasime përpara, pasime të gjata dhe pasime brenda zonës. Por, megjithëse i shënoi disa gola vendimtarë që i ndihmuan PSG-së ta kalojnë një grup të rrezikshëm në Ligën e Kampionëve, ai ishte shumë më pak vendimtar se sa në Spanjë.
Gazeta e përditshme e sportit në Francë, L’Equipe, i dha notën katër apo më dobët atij në 10 ndeshje të sezonit të kaluar në Ligue 1, në të cilin ai e fitoi titullin, pasi PSG-ja nuk kishte rivalë, pothuajse.
Messi luajti më mirë seç raportuan disa media, por ai ishte pasiv, dhe sezoni 2021/22 mbetet në histori si një pikë e ulët në karrierën e tij. Ajo rënie, megjithatë, ka ndryshuar që prej verës.
Messi tashmë ka shënuar më shumë gola këtë sezon se sa kishte shënuar tërë sezonin e kaluar. Ai ka kontribuuar drejtpërdrejt në 25 gola, një shifër që vetëm Erling Haalandi dhe Neymari mund ta kenë në pesë ligat kryesore evropiane.

Ç’është edhe më e rëndësishme, hapi i tij i shpejtë është rikthyer. Sezonin e kaluar, vrapimi i tij shpërthyes klasik me top dhe ndërrimi i drejtimit të vrapimit për t’i mposhtur mbrojtësit dhe për t’i thyer mbrojtjet dukej sikur ishte zhdukur. Megjithatë, edhe në moshën 35 vjeçe,
Pasimet ikonike të Messit që shumë shpesh i kanë ndarë në midis mbrojtjet dhe i kanë gjetur bashkëlojtarët e tij në një zonë të mbipopulluar munguan në fillim në Ligue 1. Ky sezon është ndryshe, megjithatë, sepse shumë prej 13 asisteve të tij kanë qenë topa të gjatë të dhënë në kohë të përkryer. Siç ishte dëshmitar Maccabi Haifa në Ligën e Kampionëve kur pësoi 7:2 nga PSG-ja, aftësitë e Messit për ta gjetur një hapësirë të ngushtë rreth zonës së penalltisë dhe për ta futur topin në qoshen e portës me një goditje të shpejtë vetëtimë, janë duke u rikthyer me një ndikim shkatërrues.
Mbase më e rëndësishmja është se Messit i janë rikthyer edhe emocionet. Edhe pse njihet si një njeriu u turpshëm jashtë fushës dhe që nuk ka dëshirë të duket shumë në publik, shprehjet e fytyrës së tij të ngurta dhe pa pikë emocioni vazhdimisht sezonin e kaluar, janë zëvendësuar me buzëqeshje dhe shprehje gëzimi në sytë e tij këtë sezon, siç u pa edhe kur e festoi golin vetëtimë nga largësia në fitoren e PSG-së 4:3 kundër Troyes në fundjavë.

Messi duket se po e shijon jetën sërish. Thuhet se ai është përshtatur mirë tashmë në Paris dhe po e shijon jetën në Francë, dhe raportohet se ai është në bisedime për ta vazhduar qëndrimin në PSG për edhe dy vite të tjera madje.
Është e qartë se Messi e sheh këtë sezon si vendimtar. Ai thotë se Kupa e Botës në Katar këtë muaj do të jetë e fundit për të dhe ai e ka gjetur formën kulmore në kohën e përsosur.
Me gjithë raportimet e tepruara për rënien e tij, Messi ka dëshmuar se ende nuk e ka lënë mbrapa lojën e vet më të mirë. Me mundësinë për ta fituar Kupën e Botës për herë të parë dhe me Ligën e Kampionëve me PSG-në, ky mund të jetë sezoni jetësor i tij.
