Andi Hoti i Inter flet për Nacionalen: Kam mësuar shumë nga de Vrij dhe Skriniar - NACIONALE

Andi Hoti i Inter flet për Nacionalen: Kam mësuar shumë nga de Vrij dhe Skriniar

4 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Në moshë të mitur (17-vjeçe) iu bashkua Interit nga skuadra e të rinjve të Zurich. Pas një sezoni fillestar të luajtur me juniorët e klubit zikaltër, ai nënshkruajti kontratën e parë profesionale. Bëhet fjalë për Andi Hotin, qendërmbrojtësin e ri, i cili ndër të tjera është edhe përfaqësues i Kosovës në grupmoshën U21. Ai zgjodhi gazetën Nacionale për ta realizuar një intervistë të shkurtër.

Zakonisht skautët e klubeve milaneze, si dhe ato të klubeve tjera që gravitojnë në veriperëndim të Italisë, shohin te Zvicra një mundësi të mirë për të peshkuar talentë të rinj, marrë parasysh edhe afërsinë gjeografike. Njësoj si Andi Zeqiri që ishte transferuar në Juventus, po ashtu edhe Andi Hoti pati fatin që nga vendi zviceran, respektivisht Zurich, të kalonte në radhët e Inter.

Por, futbolli ndryshon shumë. Jo të gjithë përshtaten. Historia tregon që fare pak lojtarë arrinë të afirmohen në Itali nga vendet fqinje të Alpeve.

Sido që të jetë, Andi Hoti është inkuadruar mirë në sistemin e lojës së Inter, qoftë më herët kur këta të fundit aplikonin mbrojtjen me 3 me Armando Madonna, apo tani me Cristian Chivun që luajnë me mbrojtjen me 4.

"Po, shumë mirë jam përshtatur. Besoj që shkolla italiane është më e mira në përgjithësi", u përgjigj Hoti.

"Kam mësuar shumë nga të dy trajnerët. Por, fakti që Cristian Chivu ka qenë mbrojtës i afirmuar dikur, është shumë mirë dhe optimale për mua, ngaqë mund të mësoj akoma e më shumë nga trajneri në fjalë"
, shtoi Hoti.

Andi Hoti pas një forme shumë të mirë që gëzoi në sezonin paraprak, u shpërblye, pasi pranoi ftesën e Simone Inzaghi për të marrë pjesë në fazën parapërgatitore të skuadrës së parë.

"Kam qenë shumë krenar ta kisha mundësinë të stërvitesha me lojtarë të atij niveli. Duhet ta them që kam mësuar shumë nga de Vrij dhe Skriniar", nënvizoi ai.

Kontrata që e lidhë Hotin me Inter, përfundon në vitin 2024, pas dy vitesh. Ai aktualisht po zhvillon sezonin e dytë në kampionatin Primavera, duke qenë lider i mbrojtjes, me ç'rast po vazhdon të spikasë me paraqitje solide. Tani është në mëdyshje se çfarë do të sjellë e ardhmja e tij, meqë zakonisht të gjitha klubet, e në veçanti ato italiane, preferojnë që pas dy sezonesh në kampionatin junior t'i huazojnë lojtarët e dalluar në Serie B apo Serie C, ose t'i grumbullojnë te skuadra e parë. Duke e parë shkallën e cilësisë që posedon Inter në mbrojtje, është e ndërlikuar që sot të mendohet që Hoti do të ftohet nga Inzaghi prej sezonit të ardhshëm, qoftë edhe për të qenë pjesë e stolit.

"Nuk e di tani se çfarë do të ndodhë. Mbetet të shihet. Çfarëdo vendimi që do të merret dhe do të vjen, unë do ta mirëpres", theksoi Hoti.

Mbrojtësi rahovecas zgjodhi Kosovën për ta përfaqësuar asnjë dilemë. Shumë pak u flit për zgjedhjen e tij të shpejt dhe pa hamendje. Në qoftë se do të dëshironte ta zbatonte "politikën" e disa agjentëve, familjarëve dhe lojtarëve të rinj në mërgim, të cilët pikë reference e kanë blerjen e kohës, duke jetuar me iluzione dhe rezerva - atëherë edhe Andi Hoti do të mund të arsyetohej me pretekstin që "po pres akoma". Mirëpo, ai diçka të tillë nuk e bëri. U grumbullua me Kosovën. Fjalëpak, pa shumë zhurmë dhe në ndeshjen e parë kualifikuese të Kosovës U21 ku nuk u angazhua për asnjë minut në fushë, as që protestoi apo shkaktoi ndonjë tollovi brenda zhveshtores. Ai nuk ka lindur në Kosovë, por në Zvicër. Mirëpo, për hir të prindërve dhe respektit ndaj gjakut dhe prejardhjes së tyre, ka bërë një zgjedhje zemreje.

"Jam shumë krenar që mund të luaj për shtetin e prindërve të mi. Mua nuk më pengon të luaj edhe jashtë pozitës time natyrale [siç bën te Kosova, pasi luan mbrojtës i krahut të djathtë shpeshherë, ndryshe nga Inter ku aktivizohet si qendërmbrojtës]. Unë pranoj të luaj aty ku ma përcakton trajnerin. Arsyeja e zgjedhjes së Kosovës është se jam shumë krenar me familjen time", përfundoi qendërmbrojtësi i ri 19-vjeç.

Andi Hoti ka zhvilluar 27 paraqitje me bluzën e Interit në këtë sezon, ku ka shënuar mes tjerash edhe 2 gola. Gjatë fundit të muajit maj, skuadra e tij do të luajë në play-off, për ta synuar titullin kampion në kampionatin junior të Primavera, pasi Inter aktualisht zë vendin e dytë në renditjen tabelare, tre pikë mbrapa Romës që udhëheq kampionatin në fazën e rregullt të tij.

Ndërkaq, kjo mund të shkaktojë ndonjë problem edhe sa i përket grumbullimit te Kosova U21, ku kombëtarja e drejtuar nga Albert Bunjaki do t'i luajë tre ndeshjet e fundit në grup gjatë muajit qershor, gjegjësisht përballë Andorrës si mysafir [4 qershor], Anglisë në Prishtinë [10 qershor] dhe Shqipërisë në Elbasan [14 qershor]. Objektiv i padeklaruar, por i dëshiruar - është mbyllja e grupit në vendin e tretë.

Lajme të ngjashme