Punëtorët në lartësi pa masa sigurie, kompania e mohon dhe pastaj shfajësohet - NACIONALE

Punëtorët në lartësi pa masa sigurie, kompania e mohon dhe pastaj shfajësohet

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Sektori i ndërtimarisë shpesh është kritikuar për mungesë të sigurisë së nevojshme në vendin e punës. Për më shumë, një pjesë e punëtorëve vazhdojnë të punojnë ende pa kontrata pune, pa sigurim shëndetësor e me paga vogla.

Megjithatë, ndër treguesit më shqetësues vazhdon të mbetet mungesa e sigurisë në punë në sektorin privat të ndërimtarisë.

Në një video e ardhur në adresë të Nacionales, vërehet mungesa e sigurisë në punishtet e Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës.

Në videon 7-sekondëshe, shihen disa punëtorë, më saktësisht tre punëtorë, të cilët gjatë punës në një lartësi të konsiderueshme dyshohet se nuk e kishin mbrojtjen adekuate.

Gazeta Nacionale arriti ta lokalizonte vendin që shihet në video dhe kontaktoi me kompaninë “Alba Group”, që është kompania përgjegjëse për ndërtimin e objektit, në numrin e telefonit në faqen e tyre në Facebook.

telefonatën e parë, Nacionale pyeti se nëse punëtorët po e kryenin punën te zona e njohur si “Prishtina e Re”, pa ndonjë mbrojtje adekuate, duke theksuar se ka një video që e konfirmon këtë.

Përgjigjja e bashkëbiseduesit ishte e shpejtë, e rrufeshme.

Nuk ka shansa, është vendi më i sigurt në Prishtinë”, deklaroi një person nga kjo kompani.

Nacionale pastaj e dërgoi videon në faqen zyrtare të kompanisë në Facebook, duke pritur për një përgjigje. E kur kjo e fundit vonoi, Nacionale telefonoi përsëri, duke kërkuar sqarime shtesë.

E në telefonatin e dytë u përgjigj Orhani, inxhinieri i “Alba Groupit”, por pa e treguar të plotë emrin e tij, duke thënë se siguria është në nivel.

Po, e pashë videon, por nëse e bon pak më zoom, e sheh që është një far rrethoje aty, dhe nëse e sheh, rreth e rreth objektit e sheh sa shumë kemi marrë masa për sigurinë tonë edhe e sheh që pajisjet janë shumë më speciale në raport me këto tjerat”, tha fillimisht ai.

Z.Orhani, inxhinieri i punishtes, theksoi se kompania e tij ka edhe ekip për sigurinë në punë, duke tentuar të shfajësohej.

Na kemi edhe ekip në sigurinë në punë, edhe ka dokumentacion që secilën herë mirret dhe bëhet trajnimi i krejt materialeve për secilin punëtor, për helmeta, për pajisje të sigurisë, për rrypa të sigurisë, për gjithçka”, shtoi Orhani nga “Alba Group”.

Në fund të përgjigjes, z.Orhani i tha Nacionales se nëse eventualisht gazeta ka parë ndonjë gjë jo të rregullt, “është e mirëseardhur për të marrë masa të tjera” që e synojnë përmirësimin e kushteve të punëtorëve.

Punëtorët

Nacionale në vazhdimësi ka raportuar për sektorin privat dhe posaçërisht për rrëfimet e punëtorëve që punojnë pa siguri teksa i ndërtojnë shumëkatëshet e kryeqytetit të Kosovës.

Kohë më parë, gazeta Nacionale kishte vëzhguar në terren një sërë objektesh në ndërtim në kryeqytetin e Kosovës.

Gjatë vëzhgimit në terren ka fotografuar disa vend-punishte ku punëtorët i ndërtojnë banesat me fare pak masa sigurie.

Siç shihej në fotot e shkrepura nga fotografi i Nacionales, punëtorët nuk posedonin helmeta ose rripa sigurie, ndonëse janë në lartësi të mëdha e jashtë mureve të ndërtesave.

E një gjë e tillë, jo rrallë, përfundon me lëndime për punëtorët e madje edhe me fatalitet.

Në një shkrim para disa ditëve, Nacionale i solli vështrimet e punëtorëve fizikë, të cilët mezi e presin liberalizimin e vizave.

Në videon e Nacionales, disa punëtorë konfirmuan se do të iknin nga Kosova, nëse liberalizohen vizat.

"Ja, ko me shku në ndonjë shtet, Gjermani a dikun, ku t'muj", tha një punëtor, siç mund ta shihni e dëgjoni në videon e përgatitur më poshtë.

"Ku t'mujmë (me shku). Me punu çka t'gjajmë. Këtu s'ka kurrgjë. S'nxjerrim kurrgjë, po çfarë t'nxjerrni këtu? A pe sheh, gjithë ditën rrimë", shtoi një punëtor tjetër.

Lajme të ngjashme