Pa pajisje e pa sigurim shëndetësor, punëtorët e ndërtimtarisë në mëshirë të fatit - NACIONALE

Pa pajisje e pa sigurim shëndetësor, punëtorët e ndërtimtarisë në mëshirë të fatit

2 muaj më parë

nga Anita Nikaj

Një pjesë e punëtorëve në sektorin privat ende vazhdojnë të punojnë pa kontrata pune, pa sigurim shëndetësor e me paga të vogla. Vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2022 janë evidentuar më shumë se 2 mijë punëtorë pa kontratë të punës. Punëtorët rrëfejnë për punën e vështirë e pa siguri, teksa ndërtojnë shumëkatëshet e kryeqytetit të Kosovës.

ANITA NIKAJ

Në mungesë të kontratës të punës, punëtorëve vazhdohet të mos iu paguhet kontributi pension, e në rast lëndimit apo vdekjeje, familjarët nuk mund të kërkojnë dëmshpërblim nga punëdhënësi.

Sektori më i prekur nga një dukuri e tillë, është ai i ndërtimeve.

Punëtorët në mëshirën e fatit

Prishtina ka kohë që është shndërruar në një punishte. Si qyteti më i madh urban në Kosova, brenda vitit lëshon dhjetëra leje për ndërtim banesash.

E këto ndërtime shumëkatëshe, imponojnë nevojën për siguri më të shtuar për punëkryesit në vendin e punës.

Rroba pune, helmeta, këpucë speciale, dorëza, si dhe rrip sigurimi, krahas “skeleve” të qëndrueshme, janë disa nga

Gazeta Nacionale ka kontaktuar disa nga kompanitë që operojnë në Prishtinë për t'i pyetur për sigurinë që u ofrojnë punëtorëve, si dhe shërbimet që ofrojnë në rast se ndonjëri nga punëtorët lëndohet në punë.

Deri në publikimin e këtij artikulli, kompanitë e ndërtimit kanë refuzuar t'u përgjigjen pyetjeve. Megjithatë, disa prej tyre, shkurtimisht thanë se ata u ofrojnë siguri punëtorëve në vendin e punës.

Mirëpo, Nacionale gjatë vëzhgimit në teren ka fotografuar disa vend-punishte, e ku punëtorët ndërtojnë banesat, me fare pak masa sigurie.

Siç shihet, punëtorët nuk kanë helmeta ose rripa sigurie, ndonëse janë në lartësi të mëdha e jashtë mureve të ndërtesave.

E një gjë e tillë, jo rrallëherë përfundon me lëndime për punëtorët, e madje me fatalitet.

Kështu ndodhi me një punëtor të një prej firmave të ndërtimit, i cili 2 vite më parë mbeti i lënduar në vendin e punës, pikërisht për shkak të mungesës se mjeteve mbrojtëse.

Ai, në kushte anonimiteti, ka rrëfyer për Nacionale, momentin se si erdhi deri tek lëndimi në vend-punishte.

Kur kemi filluar ndërtimin e këtij objekti ka qenë një nga punët më të mëdha që ka kontraktuar kompania. Për ne ishte mirë pasi e dinim që nuk do të rrinim pa punë për një kohë të gjatë. Unë deri në lëndim kam qenë vetëm punëtor i thjeshtë i kam punuar të gjitha punët duke filluar nga çimentoja e deri te ngarkimi i bllokave nuk ishte punë e lehtë sidomos kur duhej të qitnim “plloqe” duhej të punonim deri në mesnatë. Një nga ditët kur ishim në “plloqe”, jam rrezuar nga s’di sa kate fatmirësisht shpëtova por lëndova gjurin u desh të operohesha disa herë dhe qëndrova në spital gati dy muaj.” Edhe sot nuk mund të ec mirë, nëse do ta kisha rripin e lidhur nuk kisha ardhur deri te ky lëndim, për fatin tim kamë renë më këmbë jo më kry”, tha ai për Nacionalen.

50-vjeçari, që u lëndua vite më parë, ende punon ende për të njëjtën kompani. Megjithatë, ai ka ndryshuar vend-punishten. Sipas tij, kompania e bëri këtë për të shmangur dënimin nga Inspektorati i Punës, duke shtuar se ai ka pranuar ofertën e firmës ku punon pasi që mosha e tij dhe dëmtimi që e pësoi, ia vështirëson gjetjen e një pune të re.

Nuk mendoj më të kërkoj një punë të re, kush merr një 50-vjeçar në ndërtimtari, ka boll të rinj. Ma mirë një i ri i shëndoshe se sa një plak sakat. Kjo më ka shtyrë të pranoj ofertën e kompanisë. Ata nuk kanë ofru ndonjë ofertë të mirë, po nuk kamë ku me ja majtë. Këta (kompania) me pagoi një pjesë që duhej të vendosej në këmbë në mënyrë që me mujt më ec, po qaq s’kanë dhanë kurrgjë ma. Kur po me fillojnë dhimbjet as me në tokë as ne qiell nuk po jam”, deklaron i penduar N.

Ndonëse tashmë është penduar për vendimin që mori dy vite më parë për të mos e paditur kompaninë për aksidentin, ai thotë se edhe sikur ta kishte bërë, nuk do të fitonte rastin. Sepse, ai konsideron se nuk ka shpresa në drejtësi e as në Inspektoratin e Punës.

Ne i shohim kur vijnë dhe ata e dinë që nuk e kemi një vend të sigurt për të punuar, por me letra jemi mirë, i plotësojmë të gjitha kushtet, askush nuk ka ardhur më të na pyesë ne punëtorët që punojmë e kanë kry punën ata me shefat, është normale që ai ka rrjet pse a po ju dhimbsen na a vdesim a jo. Zoti hajr e baftë, nashta edhe naj ditë mundem me shty kështu”, përfundoi rrëfimin e 53-vjeçarit nga Lipjani.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në Inspektoratin e Punës, por nuk ka arritur të marrë asnjë përgjigje, ani pse pyetjet janë përcjellë nga një sektor në tjetrin. Drejtori dhe kryeshefi i Inspektoratit të Punës janë kontaktuar edhe përmes telefonit, por të dy nuk kanë pranuar të flasin për këtë temë.

Një punëtor tjetër rrëfen ‘historinë’ e tij të trisht të lëndimit. Gjersa po punonte në ndërrimin e natës, ai kishte shkelur në një armaturë që për shkak të mungesës së ndriçimit adekuat dhe këpucëve të punës, e njëjta ka depërtuar thellë në këmbën e tij. Si pasojë e lëndimit, këmba i shpëtoi për pak nga amputimi.

Kam disa vite që punoj këtu, kam parë shumë kolegë që kanë rënë nga lartësi të mëdha, ju ka ngul baskia e armatura, ka pasur njerëz që janë plagosur shumë më tepër se unë, ata sot po rrinë ne shtëpi as dëmshpërblimi e as firma nuk u gjobit. Në rastin tim ka qenë ndryshe sepse me kanë ofruan një vend pune tjetër, edhe normale me ka konvenu më vazhdu këtu edhe ashtu tu e prit një vizë jam. Çfarë more, këtu sen nuk punon, as që jemi lënduar e as që na vonojnë rrogat, as komuna e as shteti e le ma inspektorët e punës, kurrë pa si kam këtu brenda përveç punëtorët që po i sheh këtu”, tha N.K nga fshati Novolan komuna e Vushtrrisë.

Lëndimi që ka pësuar thotë se i ka sjellë shumë vështirësi. Ai tregon se dëshiron ta ndryshojë vendin e punës, por ka frikë se askush nuk do ta punësojë nëse e kuptojnë se është i lënduar.

Nuk kisha qëndru këtu as një minutë, por kur e dinë të tjerët që kam qenë i lënduar nuk më marrin në punë. Kur jam lënduar nuk kam pasur kontratë pune, pas lëndimit më kanë dhënë kontratën. Më shumë se gjysma punëtorët këtu që po i shohin edhe ata që nuk punojnë sot janë pa kontrata, pa kushte pune, ngjitemi në katin e 40-të, mas naltit e nuk kemi siguri, pak më të rrëshqit këmba, bjen poshtë në beton, e kush jep përgjegjësi, kurrkush hiç, bash kurrkush. Na lëndohemi, vdesim, puna vazhdon si kurrgjë”, vijon N.K.

Por, sa po zbatohet Ligji i Punës në praktikë?

Ligji i Punës liston masat e detyruara që punëdhënësi duhet t’i ndërmarrë për të siguruar kushte të favorshme për punëtorin.

“Punëdhënësi i cili punëson praktikant në kompaninë e tij, është i detyruar të sigurojë mbrojtje dhe siguri në punë në bazë të ligjit nr. 2003/19 për sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të punëmarrësve dhe mbrojtjen e mjedisit të punës”, thuhet në ligjin e punës.

Naim Bajraktari, ekspert i sigurisë dhe shëndetit në punë, thekson se mungon vetëdijesimi i punëdhënësve rreth mbrojtjes së punëtorit.

Ai i tha Nacionales se nuk ndodh shpesh që kompanitë të kërkojnë vullnetarisht trajnime për sigurinë në vendin e punës.

Rrallë e gati fare. Këtu vihet ne shprehje vetëdijesimi i pronarëve qe për mbrojtjen e punëtorëve , gati është i papërfillshëm, ata me shumë zor donë të ndajnë buxhet për sigurinë e punëtorëve. Dhe këta i kërkojnë shërbimet tona vetëm pasi t’i detyron inspektori i punës, ose çka është edhe ma e keqja, kur të ndodhin lëndimet atëherë i kërkojnë shërbimet tona nga SShP”, thotë Bajraktari.

Megjithatë, ai tregoi se deri më tani kompania e tij ka trajnuar 30 mijë punëtorë, duke u ofruar edukim bazik për mbrojtje në punë./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme