Mbyllen dyert e sallës: Deputetët e opozitës i zë mesnata në Kuvend, VV nuk thirri sonte seancë
Deputetë të partive opozitare kanë qëndruar deri në mesnatë në objektin e Kuvendit të Kosovës, mes kërkesave ndaj Lëvizjes Vetëvendosje që ta thërrasë sonte vazhdimin e seancës konstituive. Megjithatë, dyert e sallës kanë qenë të mbyllura.
Deputetët që kanë tentuar të hynë në sallën e seancave, nuk kanë pasur mundësi që ta bëjnë një gjë të tillë.
Në lidhje me këtë, para mediave foli Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës:
“Siç e patë, dyert e Kuvendit, të sallës ku sonte do të duhej të konstituohej Kuvendi janë të mbyllura, përkundër faktit që ne si GP e kemi lajmëruar me kohë kryesuesin e seancës të konstituimit të Kuvendit e po ashtu edhe administratës, por siç shihet salla është e mbyllur. Afati 30 ditor për konstituimin e Kuvendit përfundon sonte në ora 23:59 pra më 7 gusht të vitit 2026.
Kemi kërkuar nga kryesuesi i seancës që mënjehrë të bëhet caktimi i vazhdimit të seancës, i cili është caktu nesër, kur përfundon afati Kushtetues. Deputetët e AAK-së, PDK-së, janë lartë. Mirëpo siç u pa, dera është e mbyllur, ne e dijmë, që një pjesë e atyre, pra ata që kanë dhënë urdhër me mbyllë derën, duan që ne të bëjmë akte të dhunshme ta hapim derë, por ne nuk do ta bëjmë këtë kurrë, nuk do ta lëndojmë kurrë institucionin më të lartë të Republikës së Kosovës, me asnjë vakt vandal”.
Para mediave më pas u deklarua edhe Lutfi Haziri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke tëhënë se kanë pritur që sonte deri në mesnatë VV-ja ta thërrasë seancën.
“Edhe gjatë takimit, edhe pas takimit me z.Kurtin për një marrëveshje të mundshme, kemi thënë, kemi kërku edhe sonte që LDK-ja ka kërku, ka prit seancë sonte deri në ora 00:00 në mënyrë që të ruhen afatet kushtetuese.
Ne deputetët e zgjedhur kemi mandat dhe përgjegjësi para njerëzve dhe qytetarëve që ta avancojmë jetën, mirëqënien t’i japim shpresë kësaj republike. Sonte jemi gardianë të Republikës, është dashur të ftohet seanca jo vetëm nga kryesuesi por nga partia e parë, asaj i takon”.
Ndërkohë, ai nuk mohoi pjesëmarrjen e partisë në seancën e thirrur për nesër nga VV-ja.
“Nesër GP i LDK-së takohet paradite, e kemi marrë ftesën nga kryesuesi që po sillet karshi të tjerët. Është dashur të thirret seanca sot, sipas kërkesës kushtetuese. Nuk është hera e parë, është hera e tretë për sa muaj po del se po lëndohet demokracia. Do të takohemi prap paradite.
Nuk mohojmë, nuk refuzojmë në asnjë mënyrë, do të sillemi karshi ftesës në mënyrë institucionale, edhe përgjigja jonë do të jetë një “po”, tha Haziri.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka kryer shkelje të rëndë kushtetuese, duke e thirrur seancën konstituive për të shtunën në ora 11:00, pas afatit që përfundon sonte në mesnatë.
“Seanca konstituive e Kuvendit, filluar më 06.08.2026 i vazhdon punimet të shtunën më 08.08.2026 në orën 11:00, në sallën e seancave plenare. Ftohen të gjithë deputetët”, thuhet në ftesën me mbishkrimin e Avni Deharit.
Ky i fundit, ndërpreu seancën e parë me kërkesë të shefit të tij në këtë parti, Albin Kurti, nën pretendimin se kanë nevojë për më shumë bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës.