U përmend hapja e degës së Volvo-së në Kosovë: A ka vend për shpresë? - NACIONALE

U përmend hapja e degës së Volvo-së në Kosovë: A ka vend për shpresë?

3 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Ju e dini se Mercedesi Qeverisë së Kosovës nuk i shet automjete” – thoshet kryeministri, Albin Kurti gjatë kohës së fushatës elektorale për zgjedhjet në vitin 2019. Megjithatë, Kurti në të ardhmen për qeverinë mund të blejë vetura të tipit “Volvo”. Qe pse?

Një takim mes anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Kosovës, me ambasadorin e Suedisë në Kosovës, duket se ka qenë produktiv sa i përket premtimeve.

Ambasadori suedez, Jonas Westerlund, thuhet se ka premtuar që kompania sudeze e prodhimit të veturave “Volvo” shumë shpejt mund të investojë në Kosovë.

Kështu të paktën është bërë e ditur nga Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu.

Ajo ka treguar se ambasadori iu ka thënë që “jo shumë larg” Volvoja mund të hapë degën e re në Kosovë.

Një gjë e rëndësishme që është thënë nga ambasadori është se do të sillen investitorë të huaj. Na u tha se jo shumë larg, kompania e veturave Volvo do të hap degë të re në Kosovë.” – ka thënë ajo.

Deri më tani ambasadori suedez nuk e ka thënë të kundërtën, gjë që lë pak vend për shpresë.

Ndërkaq, ditë më parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se kanë pritur dhjetëra investitorë potencialë, por nuk kanë treguar nëse ata pritet të investojnë në vend.

Investimet e huaja

Në Kosovë investimet e huaja kanë shënuar rritje.

Kryesisht investimet e huja edhe pse në rritje për dallim nga viti i kaluara, ato janë të fokusuara në patundshmëri (blerje banesash, tokash etj.)

772.3 milionë euro ishte vlera e investimeve të huaja në Kosovë gjatë vitit 2022, ku 523.3 milionë përbëjnë investimet në patundshmëri.

Në anën tjetër në Serbi shumë shpejt pritet të fillohet ndërtimi i fabrikës së Mercedesit.

Ditë më parë, mediumi serb N1 raporti se kompania e veturave Mercedes, ajo e metaleve Rio Tinto, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Qeveria e Serbisë janë duke negociuar zbatimin e projektit për ndërtimin e fabrikës së makinave elektrike Mercedes në Serbi.

Vlera e këtij projektit pritet të jetë 2.7 miliardë euro.

Çka po bën qeveria?

Ndërkohë, qeveria e Kosovës është angazhuar për të bërë kornizën ligjore sa i përket investimeve.

Megjithatë fokusi i Qeverisë për investime vazhdon të jetë diaspora, por jo edhe investimet e kompanive gjigante.

Në dhjetor të 2022, Qeveria ka miratuar Projektligjin për investime të qëndrueshme.

Sipas kryeministrit, Albin Kurti, me anë të këtij projekligji pritet nxitja dhe mbrojtja e investimeve dhe parasheh përkrahjen e industrisë vendore.

“Qëllimi i këtij projektligji është vendosja e një kornize ligjore mbi parimet për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, projektligji vendos bazën për të përcaktuar dhe për të përkrahur industrinë vendore dhe punësimin e qëndrueshëm, gjithashtu parasheh fuqizimin e rinisë dhe grave si dhe bashkëpunimin e thelluar me mërgatën. Projektligji për investime të qëndrueshme mundëson zbatimin e një politike të qartë dhe të njehsuar për tërheqjen dhe përkrahjen e investimeve duke sanuar të metat e thella të dy ligjeve të tanishme për investime.” – kishte thënë Kurti.

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohen Ligji për investimet e huaja dhe Ligji për investimet strategjike në Republikën e Kosovës.

Lajme të ngjashme