Kah po orientohen investimet e huaja direkte dhe pse bash në blerje banesash? - NACIONALE

Kah po orientohen investimet e huaja direkte dhe pse bash në blerje banesash?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë vitit 2021, vetëm 485 milionë euro ishte vlera e investimeve të huaja direkte në Kosovë, mirëpo të dhënat nuk dalin të jenë ashtu siç po thonë nga Qeveria e Kosovës.

Rozeta Hajdari, ministre e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), kishte thënë se investimet e huaja direkte në Kosovë po rriten më shumë se në vitet paraprake, por të pyetur nga Nacionale, nga kjo ministri nuk është dhënë përgjigjje në pyetjen se ku janë të orientuara këto investime, e as nuk kanë treguar specifikisht ndonjë investitor të huaj që ka investuar në Kosovë.

Mirëpo, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, të cilat janë të qasshme, shuma prej 485.4 milionë eurosh e investuar në Kosovë, ndahet në disa kategori.

Sipas aktivitetit ekonomik, del se pjesën dërrmueshëm më të madhe të saj e përbëjnë “Aktivitetet e patundshmërisë” me 335.7 milionë euro. Bëhet fjalë pra për blerje banesash dhe tokash si pronë private, e ku kryefjala janë mërgimtarët tanë.

Në vend të dytë kemi “Aktivitete financiare dhe të sigurisë” në vlerë prej 102.4 milionë eurosh.

Ndërsa i treti për nga vlera e investuar renditet sektori i “Informacion dhe komunikim”, me vlerë të papërfillshme prej 16.1 milionë eurosh. Kategoritë e tjera kanë vlerë investive nën 10 milionë përgjatë një viti.

Ndryshe, ndër sektorët të cilët konsiderohen se mund të gjenerojnë vende pune dhe zhvillim ekonomik, janë: sektori i prodhimit, bujqësisë, minierave, transportit dhe telekomunikacionit, industrisë përpunuese dhe turizmit, etj. Mirëpo në këta sektorë nuk ka investime dhe për këtë ministria e Tregtisë nuk ka pasur përgjigje deri në momentin që është botuar ky shkrim.

Këta sektorë ballafaqohen me vlera shumë të ulëta të investimeve të huaja direkte në sektorin e prodhimit, e cila është vetëm 2.9 milionë euro dhe ajo e sektorit të bujqësisë, pylltarisë e peshkatarisë që arrin vetëm 1.1 milionë euro investime për 11 muaj të vitit 2021.

Nga cilat shtete na erdhën ata pak investitorë?

Gjermania është lider i investimeve të huaja në Kosovë. Pikërisht në këtë vend ndodhet edhe diaspora më e madhe kosovare në Evropë. Vlera e investimeve të ardhura nga Gjermania ishte 139.5 milionë euro nga totali prej 485.4 milionësh. Pas saj renditet Zvicra me 88.7 milionë euro, e që është diaspora e dytë më e madhe kosovare në Evropë.

Sipas raportit të BQK-së, Austria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëndrojnë në nivel thuajse të ngjashëm me vlerën e investimeve në Kosovë, me 51.2 milionë euro nga Austria dhe 51 milionë euro nga SHBA-të.

Pas këtyre vijnë shtetet si Shqipëria me 39.5 milionë euro investime në Kosovë, Sllovenia me 23.2 milionë, Turqia me 13.6 milionë, dhe shtete e tjera me investime nën 10 milionë euro.

Kujtojmë që Serbia gjatë vitit 2021 ka tërhequr investime të huaja direkte në vlerë prej 3.9 miliardë eurosh.*!

https://seenews.com/news/serbia-attracts-39-bln-euro-of-fdi-in-2021-pm-768798#:~:text=BELGRADE%20(Serbia)%2C%20January%2011,Ana%20Brnabic%20said%20on%20Tuesday.

Lajme të ngjashme