Kurti ‘pa barrikada’ për produktet serbe: U rritën edhe më shumë importet nga Serbia
Në kohën kur situata në veri të Kosovës është e tensionuar, importi i mallrave nga Serbia në Kosovë ka ‘fluturuar’ duke e radhitur atë, si një nga vendet me pjesëmarrjen më të lartë në tregun kosovar.
Mungesa e reciprocitetit të plotë tregtar, ka bërë që volumi tregtar mes Kosovës dhe Serbisë të rritet jashtëzakonisht shumë. Kjo ka çuar në situatën ku importi nga Serbia arriti kulmin, me 310 milionë euro vetëm deri në muajin tetor të këtij viti.
Këtë e tregon edhe raporti i fundit i ASK-së, lidhur me “Statistikat e Tregtisë së Jashtme, Tetor 2022”, ku thuhet se importet me Serbinë janë rritur për 7 për qind, ndërkohë që shihet një rënie prej -7.9 për qind me vendet e CEFTA-s.
“Importet nga vendet e CEFTA-së në muajin tetor 2022, arritën në 83.2 milion Euro, ose 17.0% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-7.9%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.0%), Shqipëria (4.4%), dhe Maqedonia e Veriut (4.0%)”, thuhet në raportin e ASK-së.
Vlera e importit nga Serbia në muajin tetor u rrit në 34 milionë e 90 mijë euro, ndërkohë që në tetorin e vitit të kaluar ishte 31 milionë e 186 mijë euro..
Kjo çeshtje ka ngjallur edhe reagimet e opozitës dhe të ekonomistëve, pasiqë Vetëvendosje sa ishte në opozitë paralajmëronte masa të ashpra ndaj Serbisë.
Çka thonë opozita?
Ish-Kryeministri i Kosovs, Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë përiudhës janar-tetor 2022, në krahasim me përiudhën e njëjtë të vitit paraprak, janë importuar 850 milionë euro më shumë mallra nga jashtë në një koment pak më të përgjithshëm.
“Gjatë periudhës janar-tetor 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021, janë importuar 850 milionë euro më shumë mallra nga jashtë. Për shkak se eksportet për këtë periudhë janë rritur vetëm me 154 milionë euro, deficiti tregtar është thelluar dhe ka arritur në -3.9 miliardë euro. Thellimi i deficitit tregtar e vë në dyshim rritjen ekonomike, të prodhimit vendor dhe të punësimit në Kosovë, siç po propagandohet nëpër konferenca ndërkombëtare,” - ka shkruar Hoti.
Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se nëse analizohet tregtia me vendet e Ballkanit Perëndimor shihet se importet me këto vende janë ulur, ndërkohë që ka një rritje të importit nga Serbia.
Hoti tutje është shprehur se tregtia e lirë ka ekzistuar edhe në vitet kur qeveria aktuale i rrotullonin kamionët me mallra nga Serbia.
“Nëse e analizojmë tregtinë me vendet e Ballkanit Perëndimor, shohim se importet me të gjitha këto vende janë ulur pa përjashtim, përveç me Serbinë. Dikush mund të thotë se tregtia është e lirë dhe ajo i përcakton importet dhe eksportet. Dakord jam me këtë. Por tregtia e lirë ka ekzistuar edhe në vitet kur këta që sot qeverisin i rrotullonin kamionët me mallra nga Serbia,” - përfundon postimi i tij.
Në anën tjetër, edhe anëtari i PDK-së, Arben Mustafa, në një përgjigjie për Nacionalen, ka thënë se Serbia tashmë është shndërruar në partnerin kryesor tregtar të Kosovës.
Ai tutje është shprehur “se tani është koha e duhur që ta dëgjojmë perspektivën e Qeverisë aktuale ndaj kësaj çështjeje dhe të shohim nëse kanë në mendje ndonjë strategji që do të mund ta ndryshonte këtë situatë.” – ka nisur fjalën e tij z. Mustafa.
“Serbia tashmë është shndërruar në partnerin kryesor tregtar të Kosovës në rajon, pra vendi prej ku Kosova importon më së shumti produkte në kuadër të vendeve të rajonit. Me këtë, Kosova po shërben si një financues i rëndësishëm i ekonomisë dhe shtetit të Serbisë, pikërisht në kohën kur në pushtet kemi partinë e cila Qeveritë e kaluara i quante antikombëtare për shkak të importeve nga Serbia, ndërsa kishte ndërmarrë edhe masa të dhunshme ndaj tregtarëve që furnizonin ekonominë e Kosovës me mallra serbe. Tani është koha e duhur që ta dëgjojmë perspektivën e Qeverisë aktuale ndaj kësaj çështjeje dhe të shohim nëse kanë në mendje ndonjë strategji që do të mund ta ndryshonte këtë situatë”, ka thënë Mustafa për Nacionale.
Por si e vlersojnë ekonomistët këtë rritje të importit nga Serbia?
Në anën tjetër, edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, ka thënë se duhet “të punohet për kampanja vetdijësuese, në promovim të prodhimeve vendore. “
“Besoj që është koha që duhet të punohet për kampanja vetdijësuese, në promovim të prodhimeve vendore. Duhet të kuptohet se bësimi i konsumatorit duhet të vërtetohet, andaj duhet që prodhimet vendore të sigurojnë kualitet dhe cilësi. Vetëm një bashkëpunim në mes të mediave, reklamave dhe kampanjave të ndryshme është rruga më e mirë e cila do ta ulë prezencën e këtyre mallrave nga Serbia në Kosovë,” - ka thënë Gërxhaliu.
Sipas tij, në të kaluarën ka pasur një agresivitet në qasje nga qeveria aktuale, mirëpo siç thotë ai, është e lëhtë të sulmosh Qeverinë kur je në opozitë, mirpëpo nuk është e lehtë të vendosësh kur je në Qeveri.
“Në të kaluarën kemi pasur një agresivitet në qasje nga qeveria aktuale, mirëpo është e lëhtë të sulmosh Qeverinë kur je në opozitë, mirpëo nuk është e lehtë të vendosësh kur je në Qeveri. Ajo çka duhet në të vërtetë të bëhet është të forcimi i kontrollit dhe monitorimit duhet domosdo të mbështetën mediat vendore dhe bizneset që ta kenë një bashkëpunim më të mirë për të promovuar se vetëm vetdijësimi i qytetarëve është zgjidhja më e mirë për të minimizuar praninë e këtyre produkteve në tregun kosovarë”, është shprehur Gerxhaliu për Nacionale.
Edhe ekonomisti, Mustafë Kadriaj i tha Nacionales së këto produkte nga Serbia mund t’i zëvendësojmë me produkte të tjera.
“Ky import është shqetësim për faktin se ne kemi mundur t’i zavendësojmë këto produkte, pasiqë Serbia nuk është i vetmi korridor dhe e vetmja mundësi që të furnizohemi dhe në këtë drejtim Kosova i ka mundësitë që mund tës bashkëpunojë dh të importoj ndonjë produkt që ne kemi nevojë dhe nuk mund ta prodhojmë,” - ka thënë Kadrijaj.
Ai e ka cilësuar si dështim i të bërit qeveri, pasiqë sipas tij, partia në pushtet sa ishte në opozitë kishte kritikuar vazhdimisht për një gjë të tillë, ndonëse tani ndodhë e njëjta edhe me ta.
“Në këtë drejtim përveç që është njkë dështim nga ana e të bërit Qeveri, është edhe një dështim i madh sepse patia politikë që është ardhur në pushtet, kur ka qenë në pozitë i ka rrokullisur maunët, ndërsa sot kur ajo qeverisë, importi me Serbinë vetëm po shtohet dita e ditës,” - ka vazhduar ekonomisti Kadriaj.
Ai tutje ka thënë se duhet favorizuar prodhimi vendor, siç janë perimet që sipas tij Kosova ka kapacitet t’i prodhojë, ndonëse edhe për grurë tha se nuk është obligative që të importohet nga Serbia.
“Duhet favorizuar prodhimin vendor që së paku produktet e konsumit mbulohen nga prodhimi vendor, sepse Kosova sidomos tek pjesa e perimëve ka kapacitet që t’i mbulojë, ndërsa gruri nuk është më patjetër të importojmë nga Serbia por ka edhe vende, edhe shtete tjera. Pra, në këtë drejtim ne nuk jemi të imponuar që të importojmë produkte nga Serbia aq më shumë kur dihet politika atakuese e saj ndaj Kosovës,” - ka thënë ndër të tjera ai.
Në anën tjetër, javë më parë edhe eksperti i ekonomisë, Edison Jakurti ka thënë se nëse kalkulohen të dhënat, tregohet se Kosova paguan çdo ditë nga 1 milionë euro për produkte që importohen nga Serbia.
“Sipas ASK-së, deri në fund të tetorit të këtij viti, Kosova ka importuar mbi 310 milionë euro mallra nga Serbia. Kjo i bie që Serbisë ia kemi dhënë mbi 1 milionë euro çdo ditë. Apo rreth 42.5 mijë euro çdo orë. Apo rreth 708 euro çdo minutë. Apo rreth 12 euro çdo sekond. Bojkotoni mallrat e Serbisë!P.S. U deshën 2 minuta e 30 sekonda për ta shkruar këtë status. I bie që gjatë kësaj kohe kemi importuar rreth 1,770 euro nga Serbia. Bojkoto 860!” - ka shkruar Jakurti në Facebook.
Nacionale ka tentuar të kontaktojë edhe me Doganën e Kosovës për të pyetur se çka është importuar më shumë nga Serbia në Kosovë, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit nuk është kthyer asnjë përgjigjie.