Kosovarët e vazhdojnë avazin e kredive, fitimi i bankave shkon “në qiell” - NACIONALE

Kosovarët e vazhdojnë avazin e kredive, fitimi i bankave shkon “në qiell”

1 vit më parë

nga Blendrita Avdiu

Kosova ende po kalon nëpër një krizë ekonomike, e cila karakterizohet me inflacion të lartë, që përsëri në tetor ishte 12,7 për qind. Por, bankat nuk njohin krizë, pasi fitimi i tyre ka vazhduar të rritet edhe gjatë muajit shtator. Ndonëse në shtator norma e interesit ishte më e lartë, një gjë e tillë nuk i ndaloi qytetarët të marrin kredi.

Në fakt, mbi 100 milionë euro është fitimi i pastër i 11 bankave komericiale në Kosovë ndërmjet muajve janar-shtator. Edhe më saktësisht, sipas raportit të fundit të BQK-së, profiti neto i bankave komerciale në Kosovë për 9 muaj ka arritur në 107.7 milionë euro.

Në krahasim më muajin e kaluar, kur fitimi neto ishte 97 milionë euro, kësaj radhe bankat e kanë rritur këtë fitim, duke trashur “buxhetin” e tyre edhe për 10,7 milionë euro.

Raporti tregon se shuma totale e të hyrave deri në muajin shtator kapi një vlerë prej 270.5 milionë euro. Nga gjithë kjo shumë, 190.3 milionë euro ishin të hyra nga interesi. Si rrjedhojë, në krahasim me një muaj paraprak (atë gusht) të hyrat shënuan një rritje prej 30.4 milionë eurove.

Ndërsa, shpenzimet deri në muajin shtator arritën në 162.8 milionë euro, nga të cilat 18.7 milionë euro ishin shpenzime nga interesi dhe 94.1 milionë të tjera ishin shpenzimet e përgjithshme dhe administrative.

Ani pse norma e interesit të kredive në muajin shtator të këtij viti u rrit, përsëri u shënua rritje të shumës së kredive. Norma e interesit në kredi në muajin shtator u rrit në 6.3% nga 6.0% sa ishte në muajin gusht.

Shuma e kredive të lëshuara nga bankat komerciale deri në shtator kapi vlerën e 4,230.3 miliardë eurove. Pra në krahasim me muajin gusht vërehet një rritje prej 51 milionë e 500 mijë eurove, pasiqë në muajin gusht shuma e lëshuar e kredive ishte 4,178.8.

Të dhënat e raportit tregojnë se 1,561.9 miliardë euro u lëshuan për ekonomitë familjare, 2,588.3 miliardë të tjera për korporatat jo financiare si dhe 11.8 milionë të tjera për korporatat tjera financiare.

Ky raport specifikisht tregon se edhe shuma e depozitave në këtë muaj u rrit në 5,258.4 nga 5,206.1 sa ishte në muajin gusht.

Në anën tjetër, një tjetër raport i BQK-së, lidhur me “Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë”, tregon se kreditë kanë shënuar rritje, pasiqë siç thuhet rritja e vazhdueshme e çmimeve kanë rezultuar në nxitjen e blerjeve të patundshmërive dhe dhe rritjen e stoqeve nga bizneset, duke rritur kështu kërkesën për kredi nga të dy segmentet – ekonomitë familjare dhe bizneset

Aktiviteti kreditues shënoi rritje të theksuar për të dytin vit me radhë, duke tejkaluar nivelet para pandemike. Pritjet për rritje të mëtutjeshme të çmimeve rezultojnë të kenë nxitur blerjen e patundshmërive dhe rritjen e stoqeve nga bizneset, duke rritur kështu kërkesën për kredi nga të dy segmentet – ekonomitë familjare dhe bizneset”, thekson raporti.

Tutje, i njëjti raport thekson se deri në qershor të këtij viti, kreditimi ndaj sektorit të prodhimtarisë kishte kontributin më të lartë në rritjen e kredive për segmentin e korporatave jofinanciare, duke shënuar rritje më të përshpejtuar vjetore prej prej 45.6 përqind (37.2 përqindje në vitin paraprak), apo për 158.8 milionë euro.

Sipas të dhënave të një raporti tjetër nga BQK-ja të marsit të vitit 2022, dilte se ishte rritur tepër shumë borxhi i familjeve kosovare ndaj bankave.

Siç thuheh në raport, mbi të cilin raportonte gazeta Nacionale më herët, në fazën e parë të mbingarkesës me borxh janë 21.8 për qind të huamarrësve.

Lajme të ngjashme