Inflacioni për tetor 12,7%, rritet çmimi i drunjve, peletit, bukës e qumështit - NACIONALE

Inflacioni për tetor 12,7%, rritet çmimi i drunjve, peletit, bukës e qumështit

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin e përmuajshëm në lidhje me çmimet e produkteve bazike dhe inflacionit. Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, inflacioni në muajin tetor ka vazhduar të jetë i lartë, duke shënuar të njëjtën vlerën e njëjtë sikurse në shtator.

Sipas ASK-së, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar është 0,9 për qind më i lartë në muajin tetor të 2022, në krahasim me muajin paraprak të të njëjtit vit.

Inflacioni…ende problem

Një befasi, aspak e mirë, është po ashtu në lidhje me inflacionin, i cili vazhdon të jetë i lartë në Kosovë. Në përllogaritjet e ASK-së, norma vjetore e inflacionit në muajin tetor 2022 është 12,7 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2021.

Është e çuditshme që e njëjta vlerë e inflacionit, pra 12,7% për qind, ishte edhe në muajin shtator të këtij viti, krahasur me të njëjtin muaj të vitit 2021.

ASK ka treguar se në analizën e çmimeve të konsumit, më së shumti ngritje të çmimeve u vërejt në dru e pelet, por edhe në vajra e yndyra ushqimore.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (56.6%); vajra dhe yndyra ushqimore (42.7%); bukë dhe drithëra (29.5%); qumësht, djathë dhe vezë (27.1%); mish (22.9%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira (21.5%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (20.8%); prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj. (17.1%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (16.4%); gaz (16.1%); kafe, çaj dhe kakao (15.1%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (14.9%);”, vlerëson ASK.

Por, sipas ASK-së, çmimet u rritën edhe në shërbimet e hotelerisë, duha, e pije joalkoolike.

Shërbime hoteliere (13.9%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (11.0%); kujdes personal (9.8%); peshq (9.6%); perime (8.6%); shërbime për transport (7.7%); pajisje shtëpiake (7.5%); pije alkoolike (7.4%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (7.2%); pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (7.1%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (6.8%); mobile dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (6.4%); duhan (5.4%); qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës (4.5%); produkte farmaceutike (4.0%); veshje (3.0%); blerje e automjeteve (2.4%); pemë (2.3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 12.7 për qind në IHÇK.”, përfundon ASK në raportin e tyre të publikuar sot.

Përndryshe kosovarët po përballen me inflacion e çmime të shtrenjtuara që nga marsi i këtij viti. Përkundër kësaj, Qeveria Kurti vazhdimisht ka përmendur rritjen ekonomike e të eksporteve si një nga arritjet më të mëdha të vendit në periudhën kur ekzekutivit udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

Kujtojmë që inflacioni gjatë muajit qershor dhe korrik kishte prekur shifrën prej 14,1 për qind dhe 14,2 për qind respektivisht.

Por, një përqindje më e lartë e inflacionit për muajin qershor doli në një analizë të Bankës Botërore, e cila theksoi se inflacioni në produktet ushqimore kapi shifrën prej 19,2 për qind.

Pra kosovarët vazhdojën të paguajnë më shumë për shumicën e mallrave të konsumit ditor, duke e shtrenjtuar kosoton e jetës.

Lajme të ngjashme