“Janë të nevojshme” - Komuna e Ferizajt arsyetohet për gati 4000 eurot e shpenzuara për lule - NACIONALE

“Janë të nevojshme” - Komuna e Ferizajt arsyetohet për gati 4000 eurot e shpenzuara për lule

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Komuna e Ferizajt, më 4 prill të këtij viti, ka nënshkruar një kontratë me një operator ekonomik. Arsyeja e lidhjes së kësaj marrëveshjeje kontraktuale ishte furnizimi me “buqeta lule për aktivitete dhe festa”.

Shuma të cilën Ferizaj do ta shpenzojë për këtë çështje është goxha e madhe. Por atë e ka arsyetuar komuna, duke thënë se buqetat me lule janë të nevojshme.

4 mijë euro për lule

Lulet natyrale, të cilat pritet t’i përdorin zyrtarët komunalë, i kanë kushtuar rreth 4 mijë euro buxhetit të Ferizajt. Saktësisht, 3910 euro.

Sipas kësaj komune, kjo kontratë është e nevojshme për ta dhe drejtorinë e Kulturës, për shkak të angazhimeve që i kanë kohë pas kohe.

Drejtoria e Kulturës, të cilët edhe janë të përfshirë në kërkesën e këtij furnizimi, në përgjigjet për Nacionalen thonë se kontrata ua ka lehtësuar punën.

Kontrata të tilla janë të nevojshme për komunën dhe drejtorinë tonë, për shkak të aktiviteteve të ndryshme kulturore e sportive, ngjarjeve përkujtimore, festive, zyrtare, etj. Pasi të njëjtat janë të parapara të mbahen përgjatë viteve në kuadër të komunës së Ferizajt dhe drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së Kulturës në komunën e Ferizajt.

Kontrata për furnizimin me lule të gjalla apo natyrale, është e paraparë për 3 vjet.

E deri tani nga komuna janë porositur lule vetëm në rastet e veçanta, siç është për shembull 12 qershori, Dita e Çlirimit të Ferizajt.

Ne deri më tani kemi porositur lule vetëm në rastet e veçanta, siç janë 12 Qershori - Dita e Çlirimit të Ferizajt, ndërsa deri në vitin 2024 sipas planit të prokurimit janë të parapara në vlerë 2,000.00€, dhe se afati i përfundimit të kësaj kontrate është në vitin 2024”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Vlera e kontratës publike në webfaqen e komunës është 3910, përderisa në emailin e dërguar nga komuna, shuma e theksuar është më e vogël për 1910 euro. Pra, në email shënohej se vlera e kontratës është 2000 euro.

Gabimi në postën elektronike

E pas interesimit të Nacionales, Drejtoria e Kulturës tha se shuma e dërguar përmes emailit është gabim.

“Njerëz jemi edhe ne, mundemi me gabu. Shifra është gabim teknik i cili është bërë gjatë emailit”, tha drejtoresha e Kulturës.

Nga kompania “IDEALI” të cilët janë përfitues të kontratës, thonë se kontrata e lidhur prej 3910 euro ka të bëjë me nevojat e komunës në festat zyrtare, e raste të tjera.

“Lule kam çu në Ditët e Dëshmorëve, Ditën e Pavarësisë, 28 Nëntor, 17 Shkurt. D.m.th. çka ka nevojë të kryetarit, kulturës, teatrit, i kryjmë ne. Lulet janë natyrale”, thanë nga kjo kompani.

Gazeta ka kërkuar faturat e lëshuara nga ky operator drejt komunës së Ferizajt për lulet e dërguara deri tani. Por, ata kanë thënë se drejtori i kompanisë është në pushim dhe punëtorët e tjerë nuk kanë çasje në dokumente.

Komuna e Ferizajt udhëhiqet nga kryetari Agim Aliu i PDK-së, i cili i kishte fituar prapë zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar, që në raundin e parë. Ai kishte mposhtur me rezultat të lartë kundër-kandidatët e tij.

Ndryshe, Aliu është edhe udhëheqës i Asociacionit të Komunave.

Lajme të ngjashme