E pazakontë: Suedia paralajmëron qytetarët për vapë të madhe
Një valë rekorde e vapës në Evropë është duke lëvizur drejt Suedisë në veri dhe temperatura jashtëzakonisht të larta priten në mbarë vendin këtë javë, paralajmëroi Instituti Meteorologjik dhe Hidrologjik.
Ky institut tha se rreziku për mungesë të ujit dhe zjarre në natyrë është shumë i lartë, pasi temperatura pritet të arrijë në 35 gradë.
Autoritetet rekomanduan që të qëndrojnë të hidratuar për ta mposhtur vapën dhe sugjeruan pastrim me ujë të ftohtë e rroba të gjera për të pasur më shumë freski.
Temperaturat kanë shkuar në nivele rekorde në shumë shtete evropiane, ndërsa në Itali, Francë, Portugali, Spanjë, Greqi e Kroaci ka pasur edhe zjarre në natyrë. Ekspertët thonë se moti ekstrem është i lidhur me ndryshimet klimatike.
Swenja Surminski, drejtore menaxhuese e organizatës “Climate and Sustainability” dhe anëtare e komisionit britanik për ndryshimet klimatike, tha se vala e madhe e vapës përputhet me parashikimet për klimën dhe se ndryshimet klimatike i bëjnë valët e vapës më të mundshme dhe më të ashpra.
Ajo theksoi se qeveritë duhet ta fillojnë ndërtimin e infrastrukturës që do të jetë e qëndrueshme në temperatura më të larta, ndërsa operatorët e infrastrukturës duhet të kenë plane të gatshme për t’u përgatitur për temperatura ekstreme, të cilat, sipas saj, do të jenë më të shpeshta në të ardhmen./Nacionale